SHGM bën thirrje për marsh masiv gjatë ditës së martë

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë është e shokuar nga vendimi i Gjykatës së Apelit lidhur me dënimin e gazetarit Kezharovski për rastin “Likuidimi”.

Nga SHGM thonë se ky është një akt brutal i demonstrimit të forcës dhe fuqisë, pas refuzimit të vendimit për Kezharovskin nga ana e SHGM-së dhe kërkesa e tyre për lirimin e gazetarit.

“Kjo sjellje vetëm se vërteton së vendimi është politik dhe jo i drejtë. Drejtësinë në Maqedoni e krijojnë partitë në pushtet dhe jo gjykatat. Urgjent ftojmë ministrin Adnan Jashari që të ngre iniciativë për lirimin e gazetarit Kezharovski dhe presidenti Gjorgje Ivenov menjëherë ta pranojë atë”, thuhet në kumtesën e SHGM-së.

Po ashtu SHGM bën thirrje për marsh masiv gjatë ditës së martë.

“Edhe një herë bëjmë thirrje drejt të gjithëve që të na bashkëngjiten në marshin të cilin do ta organizojmë të martën në orën 12.00, kundër dhunës ndaj lirisë e të shprehurit në Maqedoni. Në kohën kur e gjithë Evropa marshon për mbrojtjen e lirisë së shprehjes, në Maqedoni burgosen gazetarët. Të gjithë jemi Kezharovski! Bëhuni edhe ju Kezharovski! Të marshojmë së bashku për lirinë!”, thuhet më tej në kumtesë.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button