“Reformat” 5D

Viti 2014 shkoi, por shiritat e kuq për “Shkupin 2014”, ende nuk u prenë!

Qeveria po i tregon ethet e para të panikut që manifestohen me lëmshin 5D të “reformave”: arsimore, investuese, bankare, kushtetuese dhe ekonomike. Shumëfishi i përbashkët i tyre: si duket kuleta e shtetit paska mbetur bosh! Reformat arsimore (ndër më të kundërshtuarat deri tani) të cilat nuk parashihen në programin e punës së Qeverisë për vitin 2014, e as në programin vëmëroist “Provereno”, po shënojnë absurditetin në rritje që nga v. 2006. Në vend që qeveria (si çdo qeveri serioze në botë), t`i tërheq prapë këto “reforma”, dhe të bëjë një analizë strategjike të gjendjes dhe perspektivës së arsimit në të gjitha nivelet, dhe më pas t`i shkruajë ato në programin e saj të punës, dhe të zhvillojë një dialog afatgjatë me universitetet, profesorët dhe studentët për rritjen e cilësisë së arsimit, pse jo edhe me shkollat e mesme, profesorët dhe nxënësit, ajo zgjodhi rrugën tjetër, atë të imponimit me çdo kusht të “reformës”, në stilin sicilian: “Unë do t`u jap një reformë, kurse ju nuk mund ta refuzoni!”. Njëjtë si Vito Korleone në filmin “Godfather”. Çka di qeveria se çka është autonomia universitare, autonominë e han, kurse universitetin e hedh poshtë! Një qeverie e cila në 6-të vitet e fundit, 15-të herë “e reformoi” (e eksperimentoi) ligjin për arsimin e lartë, duhet qartë t`i thuhet: “Hej! Alo! Boll më!”.

Tetova vazhdon të jetë qyteti më i helmuar në Evropë, kurse qeveria vazhdon ta luftojë pirjen e duhanit nëpër lokalet tetovare, duke gjobitur shqiptarët. Si duket kuleta e shtetit paska mbetur bosh! Tetova me ajrin më të ndotur në Evropë për shkak të tymit të Jugohromit, kurse qeveria në Tetovë e lufton tymin e duhanit! Parodi! Qeveria lejon Jugohromin të bëhet frajer duke mos vënë filter! Askush nuk tregon qartë se çka shkrijnë investitorët ruso-ukrainas “Kamelot Grup” në Jugohrom! Falë kësaj qeverie, Tetova me rrethinë si pjesë e planetit Tokë po helmohet dhe nuk ka ajër të shëndoshë. Kryeministri “reformator” Gruevski në forumin e biznesit në Indi duke lavdëruar reformat biznesore, theksoi se para 12-të viteve, Maqedonia nuk kishte regjistër qëndror, kurse sot e ka regjistrin më të mirë në Evropë, madje më të mirë edhe se Norvegjia! Mirëpo, kryeministri nuk tregoi se në Norvegji a ka ndonjë kompani që punon me teknologji helmuese si Jugohromi?! Sa “reformë profitabile” për Pollogun nga kjo qeveri me partnerët ruso-ukrainas: “Qeveria fiton milionat, kurse Tetova fiton kancerin!”. Çka di qeveria se çka është ekologjia, eko-n e han, kurse logosin e hedh poshtë! Një qeverie që me arrogancë lejon vdekjen e njerëzve, duhet qartë t`i thuhet: “Hej! Alo! Boll më!…aq më tepër, kur sipas mjekëve të Tetovës, vitin e fundit ka pasur mbi 100 aborte spontane, kryesisht të nënave shqiptare! Jugohromi lëre që i vdes të tanishmit, por i vdes edhe të ardhshmit!

Një padi gjyqësore e ministrit shqiptar të ekologjisë për mbylljen e furrës së shtatë të Jugohromit është “hedhje pluhur syve”, sepse, kjo padi nuk e prek vendimin qeveritar për punën e furrave të tjera helmuese të Jugohromit, sepse ministri s`mund të jetë kundër vendimit të qeverisë, përveç nëse jep dorëheqje! Andaj, topi i mbetet Komunës së Tetovës, e cila si pushtet lokal më i afërt me qytetarët, e ka për borxh që të veprojë me mekanizmat ligjorë në interes të banorëve të saj dhe të Pollogut në përgjithësi, duke mos lejuar që helmuesi të jetë më i fortë se ligji! Sa për fillim, njëri mekanizëm ligjor është që Komuna e Tetovës të paraqesë kallëzimin penal kundër Jugohromit për veprat e kryera penale kundër mjedisit jetësor si dhe Komuna e Tetovës t`i dërgojë njoftim me shkrim “qeverisë investuese reformatore” se nëse menjëherë nuk ndërpritet ky helmim masiv, do të administrohen mbi 300.000 padi gjyqësore kundër shtetit dhe Jugohromit në emër të çdo banori të rajonit të Tetovës dhe Gostivarit.

Reforma bankare parasheh që institucionet si: Agjencia për punësim, Ministria për punë dhe politikë sociale dhe Fondi për sigurimin shëndetësor të kenë qasje në llogaritë bankare të qytetarëve që kërkojnë të drejta sociale, të drejta nga punësimi dhe nga sigurimi shëndetësor, me atë që bankat do të detyrohen me ligj që t`ua japin këto të dhëna. Kjo reformë bëhet në kohën kur nuk dihet saktë se sa është borxhi publik i shtetit, prandaj, ja edhe një mundësi që shteti të ketë “një kapixhik” të hapur në llogaritë bankare të qytetarëve, që në të ardhmen, ta dijë fuqinë e faturimit të tyre! Për shkeljen e privatësisë së qytetarëve as që duhet të flitet. Si duket kuleta e shtetit paska mbetur bosh! Çka di qeveria se çka është sekreti bankar, sekretin e han, kurse bankën e hedh poshtë!

Reformat kushtetuese kaluan fazën e parafundit. Për shqiptarët nuk u bë asgjë, edhe pse kishte mundësi të parashihet që ligji për gjykatën kushtetuese të miratohet me shumicën e badinterit, që të mos përsëritet viti 2007 kur gjykata kushtetuese i degradoi shqiptarët duke i shfuqizuar dispozitat ligjore për përdorimin e simbolit kombëtar, gjë që ia lexoi “tallkinin” Marrëveshjes së Ohrit.

Risia e reformave kushtetuese ka të bëjë me zonat ndërkombëtare financiare, me ç`rast eksperimenti i qeverisë mëton të kopjojë: Njujorkun, Dubain, Tokion, Luksemburgun, Dablinin, Londrën, etj. Komisioni i Venecias qartë e kritikoi këtë reformë kushtetuese, me arsyetimin se qeveria po fiton një kartë blanko për të krijuar shtetin në shtet jashtë strukturës kushtetuese gjë që është në kundërshtim me rendin kushtetues evropian, si dhe paralajmëroi për rrezikun që qeveria duke dashur të tërheqë më tepër investitorë të huaj të futet në rrezikun e larjes së parave të pista botërore. Qeveria fare nuk e dëgjoi kërkesën e Komisionit të Venecias që në këtë amendament kushtetues të shkruhet një paragraf i veçantë sipas të cilit, legjislacioni dhe rregullat që do të zbatohen në këto zona të jenë në pajtim me detyrimet ndërkombëtare të RM-së si dhe me standardet evropiane dhe praktikat më të mira për luftimin e larjes së parave, terrorizmit fiskal dhe evazionit tatimor. Andaj, mbetet të shihet nëse këto zona në të ardhmen do të jenë “magnete” për tërheqjen e parave të pista botërore dhe a do të bëhet Maqedonia problemi i ardhshëm fiskal i rajonit dhe i BE-së, ngjashëm si dikur Greqia! Si duket kuleta e shtetit paska mbetur bosh! Kushedi se a do ta kishte qeveria këtë gatishmëri politike dhe ekonomike të eksperimentimit me territorin e shtetit, nëse nesër do të përballej me kërkesën e shqiptarëve për “shtet në shtet” në Maqedoni!

Risia tjetër ka të bëjë me kompetencën e re kushtetuese të qeverisë lidhur me politikën fiskale, duke përcaktuar rregullin kushtetues fiskal, se deficiti buxhetor nuk guxon të tejkalojë nivelin prej 3% nga prodhimi bruto vendor dhe se borxhi publik nuk guxon të tejkalojë nivelin prej 60% nga prodhimi bruto vendor. Mirëpo, krahas rregullit, në kushtetutë parashihen edhe shmangiet nga ky rregull, në situatat e jashtëzakonshme dhe në rast të katastrofave natyrore si dhe goditjeve të jashtme që ndikojnë në rrezikimin e sigurisë nacionale, shëndetin e njerëzve ose në rast të rënies së konsiderueshme të prodhimit bruto vendor. Pra, këtu qeveria me këtë reformë kushtetuese e parasheh rregullin kushtetues fiskal si dhe shmangien nga ky rregull! Pra, jo që e kufizon borxhin publik në 60%, por e parasheh edhe shmangien prej tij në të ardhmen! Përse veprohet kështu?! Dilema kryesore ka të bëjë me faktin nëse, këtë rregull fiskal dhe shmangien prej tij, qeveria e parasheh për vete apo për ndonjë qeveri tjetër në të ardhmen! Mbretëron bindja se, në kushte kur nuk dihet saktë borxhi publik i shtetit (sepse kjo qeveri kurrë nuk e ka treguar saktë atë), këtë reformë kushtetuese qeveria ta bëjë për vete, sepse sipas njohësve të rrethanave ekonomike, ekonomia e vendit nuk mund të përballojë borxhin publik mbi 50% nga prodhimi bruto vendor, dhe në kushte të trendit të vazhdueshëm të futjes së shtetit në borxhe të jashtme, nuk duhet të çuditemi nëse borxhi publik tashmë të ketë tejkaluar 60%-in, andaj, qeverisë i nevojitet patjetër arsyetimi kushtetues për situatat e rrezikshme ekonomike që mund t`i godasin qytetarët në të ardhmen! Kështu që, qeveria përmes kësaj reforme kushtetuese i krijon komoditetin vetes që nesër t`u thotë qytetarëve dhe BE-së se punon sipas kushtetutës! Si duket kuleta e shtetit paska mbetur bosh!

Preferuesi i kryeministrit Gruevski, kryeminstri sërb Vuçiç, i cili para një viti tha se si shabllon të veprimit të tij politik po e ndjek shembullin e kryeministrit të Maqedonisë, para disa ditëve në CNN deklaroi se është i vetëdishëm se për shkak të “reformave” do t`i humbë zgjedhjet e ardhshme në Sërbi mirëpo, a e di këtë gjë edhe kryeministri “reformator” i Maqedonisë si dhe ata që si “rimorkio” shkojnë pas tij!

Lajme të ngjashme

Back to top button