Shkëndija prezantoi edhe Adilin dhe Vukçeviçin (Video)

Mbrojtësi 30 vjeçar nga Mali i Zi, Nikolla Vukçeviç dhe 21 vjeçari shkupjan Mevlan Adili i bashkohen Shkëdnijës si përforcime të mbrojtjes. Vukçeviç me përvojën e tij pritet të sjellë cilësi shtesë në skuadër falë eksperiencës së tij në kampionate dhe klube të ndryshme. Ai vjen nga Lovçeni i Malit të Zi, ka luajtur për Vllazninë e Shkodrës në dy periudha kohore, ndërsa ka luajtur për Kazman në Kuvajt, Etnikos Ahnan në Qipro, si dhe klubin e tij amë Buduçnost nga Podgorica. Vukçeviç ka të zhvilluar një ndeshje edhe për ekipin përfaqësues të Malit të Zi, ndërsa me Shkëndijën firmos kontratë për 6 muaj, me opsion për të vazhduar bashkëpunimin për afat më të gjatë kohor.

“Më vjen mirë që kam firmosur me Shkëndijën. Unë shpresoj të arsyetoj besimin e njerëzve që më kanë sjellur këtu dhe shpresoj që me paraqitje të mira t’i ndihmoj Shkëndijës të luajë mirë në gjysmëstinorin pranveror dhe të realizojmë qëllimet e përcaktuara. Kam ndëgjuar se Shkëndija është klub shumë mirë i organizuar dhe për këtë jam bindur. Falenderoj të gjithë për ngrohtësinë me të cilën më kanë pranuar dhe unë shpresoj të arsyetoj atë besim nga ana e kryesisë, të luajmë mirë në gjysmëstinorin pranveror dhe të shënojmë rezultate të mira”, deklaroi Nikolla Vukçeviç në prezantimin e tij me fanellën ‘kuqezi’.

Mevlan Adili është më i ri në moshë dhe vjen si futbollist perspektiv. Rjedh nga shkolla e KF Shkupit, ku ishte standard në ekipin e parë që për momentin është lider i Ligës së Dytë. Adili me Shkëndijën ka firmosur kontratë për 2 vitet e ardhshme.

“Më vjen mirë që kam nënshkruar kontratë me KF Shkëndija. Falemenderoj drejtuesit e klubit që më mundësuan të vesh fanellën ‘kuqezi’ e cila ka vlerë të madhe. Konkurenca në klub është e madhe dhe shpresoj se me një angazhim maksimal dhe me diciplinë do të arsyetoj besimin dhe t’i bind drejtuesit se nuk kanë gabuar me mua”, u shpreh Mevlan Adili.

Vukçeviç dhe Adili çojnë në 6-të numrin e përforcimeve të Shkëndijës në këtë merkato. Paraprakisht taborit ‘kuqezi’ iu bashkuan Besir Demiri, Viktor Nildo Xhufo, Stefan Ashkovski dhe Enes Azizi.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button