fbpx

Lajm: Marrëveshjen për stemën e kanë nënshkruar tre funksionarë të BDI-së?!

Nënshkrimet e tre funksionarëve të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) nga njëra anë dhe tre funksionarëve të VMRO-DPMNE-së, nga ana tjetër, qëndrojnë në marrëveshjen për ndryshimin e stemës aktuale të Maqedonisë dhe miratimin e një steme të re shtetërore me luan, merr vesh gazeta“Lajm” nga burime qeveritare. Sipas tyre, negociatat për stemën kanë zgjatur tre javë dhe janë zhvilluar në periudhën mes zgjedhjeve të fundit parlamentare dhe formimit të qeverisë.

Këtë informacion e konfirmojnë edhe burime partiake në BDI, të cilët janë të pakënaqur nga politika aktuale që bën subjekti i tyre, duke shtuar se marrëveshja është nënshkruar si kusht që BDI të jetë pjesë e Qeverisë.

“Mendoj se BDI e ka pranuar këtë stemë në momentin kur VMRO  ja ka bë me dije se pa pranimin e saj, nuk mund të jetë pjesë e qeverisë”, thotë i njëjti burim, duke dëshiruar të mbetet anonim.

Ai i përmend edhe emrat e tre funksionarëve të BDI-së dhe VMRO-së, për të cilët thotë se janë nënshkrues të marrëveshjes por gazeta“Lajm” tani për tani nuk do t’i publikojë ato emra nga frika e padisë dhe sistemit jo-efikas gjyqësor që nuk mbron fjalën e lirë të gazetarisë.

Ekzistimin e një marrëveshje mes VMRO-së dhe BDI-së për stemën me luan e ka konfirmuar edhe deputeti i VMRO-së, Antonio Milloshoski, por ai nuk ka përmendur emrat e funksionarëve të cilët kanë nënshkruar këtë marrëveshje.

Çështja e stemës shkaktoi shumë reagime në opinionin shqiptar duke thënë se ajo nuk ka asnjë element shqiptar, madje tensionoi jashtë mase edhe raportet brenda BDI-së. Në mbledhjen e kryesisë partiake lidhur me stemën, për herë të parë anëtarët e kryesisë së BDI-së kundërshtuan një propozim të kryetarit Ali Ahmeti, i cili sipas burimeve partiake, i befasoi me këmbënguljen e tij për të pranuar këtë stemë.

Tags

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close