Hasi ia dedikon çmimin gjithë shqiptarëve

Trajneri i njohur kosovar, Besnik Hasi ka folur për çmimin e fituar në Belgjikë. Gjakovari ka bërë të ditur se atë çmim ia dedikon të gjithë shqiptarëve.

Besnik Hasi nuk është kurrë një nga ata personazhe që dorëzohen. I tillë ka qenë si futbollist në fushë dhe i tillë u shfaq dhe si trajner, ku për vite me radhë shërbeu te Anderlechti në pritje të momentit të tij, të cilin Besniku e mbërtheu fortë kur erdhi, duke u shpallur brenda pak kohësh dhe ‘Trajneri i Vitit’ në Belgjikë. Një trofe që Besniku kërkoi ta ndante me të gjithë shqiptarët, duke folur shqip në momentin më të rëndësishëm të karrierës së tij, për të treguar se ai është dhe do të mbetet gjithmonë shqiptarë. Një deklaratë që e përforcoi dhe në një intervistë ekskluzive telefonike për ‘Sport News’, ku nuk fshehu as dëshirën për të drejtuar një ditë kuqezinjtë.

“Nuk fola rastësisht në shqip gjatë ceremonisë, sepse doja që zëri im të dëgjohej shqip. Doja të jepja një mesazh, doja të tregoja dhe identitetin tim e origjinën time si person. Komuniteti shqiptarëve është shumë i madh në Belgjikë dhe ky ishte një trofe dhe për ta, ashtu si dhe për të gjithë shqiptarët. Një trofe i arritur falë familjes sime, që është e para që ka sakrifikuar për sukseset e mia. Më vjen mirë që i kam bërë krenar shqiptarët, dhe shpresoj që një ditë t’i bëj të ndihen krenar pse jo dhe nën drejtimin e Kombëtares Shqiptare”.

Një titull kampion me Anderlechtin dhe një Superkupë e vendit, janë dy arrijte që nuk mund të anashkalohen në 2014 e tij ashtu si dhe cmimi i trajnerit më të mirë.

“2014 ishte një vit fantastik për mua. Fituam kampionatin duke qenë mbrapa në renditje, aq më tepër në fazën e Play-Off. Mundëm rivalë direkt dhe arritëm të fitonim dhe titullin, që ishte momenti më i bukur i vitit. Më pas fituam dhe Superkupën, bëmë mirë në Champions League me një skuadër të re duke marrë dhe komplimentat e mediave në vend por dhe atyre ndërkombëtare. Suksese që u arritën falë punës por dhe skuadrës sime. Çmimi i trajnerit më të mirë të vitit ishte më pas një arritje e mrekullueshme, sepse për të votojnë gazetarët, analistët, futbollistët, trajnerët dhe gjithashtu dhe fitues të “Këpucës së Artë” apo “Topit të Artë” në Belgjikë, ndaj ishte një vlerësim shumë i madh për mua”.

Përpara nuk ka një vit të lehtë, por Hasit i pëlqejnë sfidat ndaj dhe objektivat nuk i ka të thjeshtë, pavarësisht se pranon se si në kampionat dhe në Europë nuk do të ketë një detyrë të lehtë ndaj dhe përforcimet nuk do të mungojnë.

“Në momentin që hidhet shorti t’i shpreson të kesh përballë një skuadër të lehtë, por në fakt në short nuk na buzëqeshi fati. Do të kemi përballë një skuadër si Dinamo e Moskës që është një skuadër shumë e vështirë. Megjithatë besoj se me punë mund të arrijmë të shkojmë larg në Evropë. Gjithashtu në kampionat jemi katër pikë pas Brugge por unë jam optimist për fitimin e titullit. Do të bëjmë dhe dy ndërhyrje në merkato dhe besoj se më pas do të jemi të kompletuar”.

Kombëtaren Shqiptare e ndjek gjithmonë dhe një lojtar në veçanti do e dëshironte te Anderlechti i tij.

“Në fakt për momentin më nevojitet një mbrojtës dhe një lojtar ideal në këtë pozicion do të ishte Lorik Cana, por për fat të keq ai ka një kontratë me Lazion ndaj nuk mund ta blejmë dot. Është një futbollist shumë i kompletuar dhe po bën mirë me kombëtaren ashtu si e gjithë përfaqësuesja në fakt, që shpresoj ta shikoj në Evropian”.

Ndërkohë që Hasi zbuloi gjithashtu se Emir Lenjani ishte shumë pranë transferimit te Anderlehti, por një kapricio e fatit bëri që ai të kalonte te Rennes në Francë.

“Provuam të blinim Lenjanin, madje dërgova dhe scoutet e mi për ta ndjekur nga pranë por në atë ndeshje ai ishte i dëmtuar. Ishte një lojtar që më pëlqente shumë por në janar kur donim të lëviznim konkretisht mësova që firmosi për Rennes. Gjithsesi i uroj shumë suksese”.

Lajme të ngjashme

Back to top button