Sa më shumë ligje, aq më shumë kaos, kur Qeveria vë dorë mbi Kuvendin

Që nga viti 2009 e këndej, po thuajse çdo vit në Maqedoni miratohen mbi 300 ligje, akte nënligjore dhe rregullore. Këtë dukuri ish deputetë dhe ekspertë që flasin për Portalb, e vlerësojnë si një kaos në Parlament dhe e cilësojnë si një dukuri negative miratimin dhe votimin e ligjeve me anë të përshpejtuar.

Ish deputeti Izet Zeqiri thotë se është jokorrekte që në një vend demokratik ligjet të cilat kalojnë në Qeveri pa debat pa diskutim vetëm e vetëm se janë reforma të VMRO-së, të njëjtat kalojnë edhe në Parlament pa opozitë.

“Ajo që është funksionaliteti i shtetit është stabiliteti politik dhe ekonomik. Ajo që bën qeveria me ndryshimin e ligjeve vend e pa vend, dhe mos angazhimin e ekspertëve gjatë konceptimit të ligjeve e bën që në Maqedoni të kemi aq shumë ndryshime e plotësime të ligjeve saqë krijohet një kaos i vërtet që prodhon jo stabilitet juridik i cili ndikon drejtpërdrejtë në stabilitetin ekonomik dhe politik, duke u referuar protestave dhe ngritjes së zërit nga qytetarët. Është jokorrekte që në një vend demokratik ligjet të cilat kalojnë në Qeveri pa debat pa diskutim vetëm e vetëm se janë reforma të VMRO-së, të njëjtat kalojnë edhe në Parlament pa opozitë, saqë Parlamenti është shndërruar nga organi që kontrollon qeverinë, në institucion plotësisht i nënshtruar qeverisë. Deputetët e koalicionit qeveritarë nuk guxojnë as gëk e as mëk të bëjnë në Parlament lidhur me ligjet e qeverisë. Kjo është diçka karakteristike në vendet me demokraci të cunguar dhe shtetet autoritare. Kam bindjen që shumë zgjidhje ligjore jo që janë vetëm autokratike por edhe despotike, ku nuk respektohen ligjet dhe janë me kundërshtim me kushtetutën”, tha për Portalb, Zeqiri.

Për ish deputetin, Ismet Ramadani shumica e ligjeve janë kopje nga ligjet evropian, mirëpo që nuk janë përshtatur standardeve, kushteve dhe mentalitetit tonë.

“Nëse merret në dimensionin kuantitativ këto vite janë miratuar shumë ligje në Parlamentin e Maqedonisë. Ligjet duhet të jenë kompatibile me ato propozimet evropiane. Ligjet që janë sjellë shumë herë kanë qenë copy –paste pa u bazuar fare në kushtet e vendit, në standardet dhe mentalitetin tonë. Po ashtu problem tjetër është edhe miratimi i ligjeve me procedurë të shpejtë pa pasur debate fare as brenda Parlamentit as debate publike. Vjen faza kur qeveria duhet t’i zbatojë dhe pastaj ka probleme të shumta, dhe shumica i bojkoton në heshtje ligjet e miratuara. Vetë pushteti nuk i zbaton ligjet, siç është ai me përdorimin e gjuhës shqipe. Udhëheqës të ndryshëm shtetëror nuk respektojnë atë edhe kur ka pasur iniciativë për sanksione. Probleme më të mëdha janë potencuar në ato me miratim të përshpejtuar për shqiptarët. Shpesh shqiptarët miratojnë kur nuk duhet miratuar ndonjë ligj, po ashtu bëhen lojëra të ndryshme gjatë interpretimit ku pala maqedonase dhe ajo shqiptare bëjnë interpretimin e dyfishtë dhe këtu lindin keqkuptimet dhe dëmtojnë rëndë segmentin ndëretnik në vend”, tha për Portalb, Ramadani.

Profesoresha e fakultetit juridik dhe ish deputetja, Ana Pavllovska  Daneva thekson se kjo dukuri për miratimin e ligjeve pa debate dhe pa nevojën e opozitës është që nga viti 2008, kur VMRO fitoi shumicën në Parlament dhe filloi opozitën ta sheh si një faktor jo relevant.

Ajo madje shtoi se me ligjet e reja në mënyrë konstante rriten obligimet e qytetarëve, gjë që korrespondon me uljen e të drejtave të tyre.

“Ky trend i miratimeve të ligjeve në mënyrë të përshpejtuar ka filluar në Maqedoni që nga viti 2008 kur VMRO fitoi dy të tretat e shumicës në Parlament dhe opozitën e vlerësoi si një subjekt  jo relevant, sepse asnjë nga ligjet e propozuara nuk varej nga opozita. Kjo do të vazhdonte njëjtë edhe tani, edhe po të ishte opozita në Parlament. Po të shikoni përmbajtjen e ligjeve dhe normave do të shikoni se në mënyrë konstante rriten obligimet e qytetarëve, gjë që korrespondon me uljen e të drejtave të tyre. Po në vendin tonë mbizotëron kaosi normativ. Ligjet nuk i dinë madje as ata që i votojnë. Nuk i dinë ata që janë të detyruar t’i zbatojnë, e më së paku i dinë ata që duhet respektojnë. Në Maqedoni tani më disa vite kemi rritje të dominimit të qeverisë ndaj Parlamentit. Parlamenti është vetëm një dorë e zgjatur e Qeverisë, instrument i saj për zbatimin e politikave dhe ambicieve personale të një grupi të ngushtë të ministrave të cilët udhëheqin me këtë shtet”, tha për Portalb Daneva.

Ndërkaq gjatë gjashtë viteve të fundit në Maqedoni janë sjellë gjithsej 1873 rregulla, mese të cilave dominojnë ligje e reja (64%), aktet nënligjore (31%) dhe tekstet e rishikuara (4%). /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button