Qytetarët më tolerantë se politikanët

Në bazë të Kodit Penal të Maqedonisë për nxitje të urrejtjes nacionale, fetare si dhe për fyerje të simboleve etnike apo shtetërore, është paraparë dënim me burg prej 1 deri në 5 vjet.

Ekspertët juridik thonë implementimi i përpiktë i këtij ligji është më se i nevojshëm në një shoqëri multi-etnike dhe multi-fetare, si masë për të parandaluar shpërthimin e revoltës te një etnitet apo grup i një besimi të caktuar fetar.

Qebir Avziu, ligjërues në Fakultetin Juridik në Universitetin Shtetëror të Tetovës thotë për Radion Evropa e Lirë se qytetarët në përgjithësi janë shumë më tolerantë sesa politikëbërësit.

“Mendoj se qytetarët në Maqedoni në të shumtën e rasteve kanë dëshmuar se janë shumë të vetëdijshëm dhe kanë kujdes ku bëhet fjalë për respektimin e vlerave të njëri tjetrit, qoftë në aspektin etnik apo fetarë”.

“Mirëpo, disa herë ka pasur raste të fyerjes në aspektin etnik apo fetarë por vetë toleranca e shoqërisë ka bërë që këto vepra të minimizohen, përkatësisht mos eskalojnë në trazira më të mëdha, edhe pse në dy tre raste ka edhe kallëzime penale për këto më shumë janë të natyrës politike sesa të natyrës juridike”, thekson Avziu.

Ai theksoi se ky ligj shumë pak arrinë të gjejë zbatim në praktikë.

Nga ana tjetër, Xhelal Neziri, publicist konsideron se në Maqedoni në të gjitha rastet në të cilat është shkelur ligji i cili ndalon përdorimin e gjuhës së urrejtjes, qëndrojnë njerëz të pushtetit, ose njerëz të cilët janë të lidhur ngushtë me pushtetin.

Sipas tij, përdorimi i një fjalorit nxitës përkatësisht gjuhës së urrejtjes nuk ka qenë e rastësishme, thjesht kjo ka qenë pjesë e strategjive të caktuara në rrethana të caktuara për të shkaktuar ndarje në shoqëri në baza etnike apo fetare.

“Qëllimi mbase mund të jetë edhe përfitimi më i madh politik i partive të caktuara, përkatësisht qendrave të caktuara politike, sepse përmes ideologjisë etnike dhe asaj fetare dhe mobilizim etnik dhe fetarë mund të përfitohet më lehtësisht dhe në masë më të madhe përkrahja e elektoratit. Prandaj edhe mendoj se këto raste nuk janë proceduar para organeve të drejtësisë këto shkelje të kodit penal”, thekson Neziri.

Ai shtoi se kufiri mes lirisë së shprehjes dhe përdorimit të gjuhës së urrejtjes zbatohet në mënyra krejtësisht të ndryshme kur bëhet fjalë për funksionarët e lartë politik apo mediat të cilat nuk janë nën ombrellën e pushtetit dhe qytetarët e thjeshtë.

“Ajo që ndodh në Maqedoni paraqet një ngufatje të lirisë së shprehjes kur bëhet fjalë për një observim kritik ndaj pushtetit dhe nga ana tjetër ekziston një liri tepër e madhe madje duke e kaluar dhe kufirin e lirisë së shprehjes duke kapërcyer në gjuhë të urrejtjes ku bëhet fjalë për media të cilat janë të afërta me pushtin ose zyrtarë të lartë në pushtet”, nënvizon Neziri./rel

Lajme të ngjashme

Back to top button