PDSH akuzon BDI-në: Largon shqiptarët nga Maqedonia

Partia opozitare PDSH akuzoi sërish partinë në pushtet, BDI si fajtoren kryesore për shifrat alarmante të emigrimit të shqiptarëve. Sipas PDSH-së, rezoluta mbi migrimin që u miratua në kuvend, është dokument sipërfaqësor, që në vend të frenimit, e nxit akoma më shumë shpërnguljen e shqiptarëve.

PDSH vlerëson madje se mbetja e Maqedonisë jashtë dyerve të BE-së dhe NATO-s, diskriminimi etnik, papunësia, mungesa e infrastrukturës bazë, mungesa e investimeve në rajonet shqiptare, e stimulojnë akoma më shumë largimin e shqiptarëve nga Maqedonia.

“Për shqiptarët, shifrat janë alarmante ku sipas disa të dhënave arrijnë në mbi 300 mijë shqiptarë që kanë emigruar. Ky dokument nuk paraqet gjë tjetër përveçse vazhdimësi dhe modifikimin e dokumenteve dhe strategjive famëkeqe që historikisht janë hartuar për shpërnguljen e shqiptarëve nga trojet e veta etnike siç janë: projektet e akademisë serbëve, Çubrilloviqit, Rankoviqit dhe tani e kemi strategjinë e dyshes; Gruevski dhe Ahmeti”, tha Gazmend Aliu, deputet i PDSH-së.

Nga BDI-ja hodhën poshtë akuzat e PDSH-së duke i cilësuar ato si retorike manipuluese për fitimin e pikëve politike. Ermira Mehemti theksoi se strategjia e qeverisë, jo vetëm që parashikon pengimin e emigrimit por synon të pajisë me shtetësi, qytetarët e Maqedonisë jashtë vendit që nuk kanë dokumente.

“Një aspekt shumë pozitiv, pjesë e kësaj strategjie është qëllimi që të gjithë shtetasit e Maqedonisë që jetojnë jashtë apo kanë lindur jashtë dhe nuk janë të pajisur me dokumente shtetësie, të pajisen me to, përmes përfaqësive diplomatiko-konsullare të Maqedonisë. Kjo është pjesë e retorikës së pranueshme opozitare, tendencat tregojnë se lëvizja e popullatës bëhet jo në baza etnike por si shqetësim i përgjithshëm”, tha Ermira Mehmeti, deputete e BDI-së.

Sipas një analize të Bankës Botërore rreth 553 mijë qytetarë të Maqedonisë ndodhet nëpër vende të ndryshme të botës, qoftë Evropë apo shtetet tej-oqeanike.

Lajme të ngjashme

Back to top button