SHBA lehtësojnë udhëtimet dhe tregtinë me Kubën

Rregulla të reja për udhëtimin dhe tregtinë mes Shteteve të Bashkuara dhe Kubës hyjnë në fuqi këtë të premte.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat amerikane, sipas të cilave masat e reja parashikojnë lejimin e përdorimit të kartave të kreditit në Kubë nga shtetasit amerikanë dhe eksportin e disa produkteve teknologjike nga bizneset amerikane.

Gjithashtu, amerikanët do të mund të importojnë nga Kuba deri në 100 dollarë alkool dhe duhan. Korrespondentët deklarojnë se kjo do të thotë se, embargoja amerikane ndaj cigareve kubaneze po merr fund.

Këto lëvizje vijnë pasi dy vendet ranë dakord muajin e kaluar për të rivendosur marrëdhëniet diplomatike mes tyre, të ndërprera që prej vitit 1961.

Megjithatë, edhe pse ato lehtësojnë ndjeshëm embargon ndaj Kubës, vetëm Kongresi amerikan mund ta heqë atë tërësisht.

Më herët gjatë javës, zyrtarët amerikanë deklaruan se Kuba kishte liruar plot 53 të burgosur politikë, sipas marrëveshjes historike mes dy vendeve.

“Ky njoftim na çon një hap më pranë zëvendësimit të politikave të dala jashtë mode që nuk po funksiononin me politika që ndihmojnë në promovimin e lirisë politike dhe ekonomike për popullin kuban”, deklaroi sekretari amerikan i Thesarit, Jacob Lew.

Edhe pse ndalojnë turizmin e përditshëm, rregullat e reja u lejojnë qytetarëve amerikanë të udhëtojnë në Kubë për një sërë arsyesh specifike, pa marrë më parë një leje të posaçme nga qeveria.

Kartat amerikane të kreditit dhe debitit mund të përdoren atje dhe nuk do të ketë më kufizime se sa para shtetasit amerikanë mund të shpenzojnë në Kubë çdo vit. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button