fbpx

Zona gri e të shprehurit të lirë dhe vijat e kuqe të profesionalizmit

 

Gjithçka fillon me këtë: kam të drejtë ta them atë që e mendoj (edhe atë çdokund, e jo vetëm në kolumnë). Prej këtu pason një ortek i teksteve joprofesionale përplot me komente dhe shpifje, nxirrje të personave nga jeta publike dhe politike ose e qytetarëve të thjeshtë, gjuhë e urrejtjes, informata të paverifikuara…

 

Shkruan: Аleksandar Peshev

 

“A kërkoni liri të shprehjes? E, kjo do të thotë se çdokush mund të thotë çka të dojë”.

Reagimi i një lexuesi për recensionin e një teksti joprofesional. Autori i komentit përpiqet që shpifjen dhe stilin ofendues që janë përdorur në publikimin e recensuar t’i arsyetojë me të drejtën për liri. Me gjasë rezonimin e këtillë e kanë edhe një pjesë e punëtorëve mediatikë. Gjithçka fillon nga kjo: kam të drejtë të them çka mendoj (edhe atë çdokund, e jo vetëm në kolumnë). Prej këtu fillon një ortek i teksteve joprofesionale përplot me komente dhe shpifje, nxirrje të personave nga jeta publike dhe politike ose të qytetarëve të zakonshëm. gjuhë e urrejtjes, informata të paverifikuara… Në fakt, pikërisht këto elemente janë të pranishme në pothuajse çdo recension të SHVFM-së, e këto janë vetëm disa:

Prognozat politike:

“Populli nuk beson në veprimet dëshpëruese të udhëheqësisë së LSDM-së, e cila është një tregim tashmë i lexuar.”

Gjuha e urrejtjes – qëllimisht është hequr emri i personit të atakuar që të evitohet përhapja e urrejtjes:

“… ish-nacisti-fashisti, për nga nacionaliteti provincialist rus nga Estonia na quajti sllavo-maqedonas, ndërsa shqiptarët me gjithë respektin e duhur, i quajti shqiptarë etnikë…”

Komenti për të cilin nevojitet topi i kristaltë pasi nuk është theksuar burimi:

“Paralajmëroheshin protesta, për të cilat është më se e qartë se do të dështojnë”

Dhe në fund, këshilla për publikun – për në dhomën e gjumit:

“Nëse seksi është i rëndësishëm për të dy, të dytë duhet të kujdesen që ai të bëhet ashtu siç duhet.”

Nuk ka dyshim se fuqia e ndikimit mbi mendimin publik vjen me përgjegjësi të madhe dhe me rezonimin se dikush mund të “flasë sa të dojë dhe si të dojë” është e palejueshme, mirëpo megjithatë parashtrohet pyetja: në cilin moment liria e të shprehurit mund të shndërrohet në armë për shkaktimin e dëmit të papërmirësueshëm?

 

KUFIZIMET E LIRISË SË TË SHPREHURIT?

Kjo pyetje hap një temë të nxehtë, e cila akoma është subjekt i debatit. Nga njëra anë, censura është e ndaluar në pothuajse çdo shoqëri demokratike edhe atë me aktet më të larta juridike të vendit. Nga njëra anë, parashtrohen dilemat për dëmtimin e autoritetit dhe për shpifje.

Si shembull mund të merret rasti Milkoviç kundër revistës “Lorain”, i cili u gjet para Gjykatës Suprem të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vitin 1990 (The Supreme Court case is Milkovich v. Lorain Journal Co., 497 U.S. 1 (1990)). Rasti “ka shëtitur” në për labirinthet gjyqësore 15 vjet, ndërsa shkak ka qenë komenti i publikuar në gazetën “New Herald” për një rrahje në ndeshje sportive. Autori i tekstit, gazetari sportiv, në një kolumnë e ka shprehur mendimin e tij personal se të akuzuarit në incident kanë gënjyer para gjyqit me çka u kanë dhënë shembull të keq fëmijëve që kanë qenë dëshmitarë të rrahjes. Mbrojtja i është referuar Amandamentit të parë për lirinë e të shprehurit, më saktë premisës se çdokush ka të drejtë të mendimit me arsye të shëndoshë. Ndaj aktgjykimit të parë në dobi të medies është dërguar ankesë në Gjykatën Kushtetuese dhe, përkundër pritjeve, ankesa është miratuar. Gjykatësi ka thënë se me shembuj nga praktika gjyqësore është krijuar përshtypja se “çfarëdo lloj deklarate e dëmshme është e mbrojtur me Amandamentin e parë”. Prandaj, gjykatësi në arsyetimin e tij ka thënë:

“Kolumnat që sugjerojnë shpifje, të bazuara na pohim që mund të vërtetohen si të vërteta dhe të rrejshme, mund të paraqesin bazë për padi, bile edhe nga ana e nëpunësve publikë.”

Prandaj, për përcaktimin e mundësisë për shpifje dallohen disa pyetje:

  • A përdor autori gjuhë figurative me të cilën lexuesit i vështirësohet konstatimi i fakteve?
  • Nëse deklarat është në artikull të shkruar, në çfarë konteksti është theksuar ajo?
  • A ia vështirëson konteksti lexuesit t’i dallojë faktet?

 

PROBLEME ME STANDARDET THEMELORE

Përveç kodi ekzistues të gazetarëve të Maqedonisë, praktika tregon se në gazetarinë e Maqedonisë akoma ka probleme me respektimin e parimeve themelore.

Gazetari duhet të bëjë dallim ndërmjet fakteve dhe mendimeve, ndërmjet lajmi dhe komentit, Kodi i gazetarëve të Maqedonisë

Përderisa në SHBA liria e të shprehurit në raport me shpifjen shqyrtohet nëpër gjykata që nga shekulli i kaluar, në vendin tonë kemi probleme me gjërat themelore: lajme dhe kontribute ku komentet nuk janë të lejuara, madje edhe në ombrellën e lirisë së të shprehurit, si për shembull:

“Përplot me zemërim dhe urrejtje, portalet opozitare dhe korierët e tyre halucinojë seriozisht dhe gënjejnë pacipërisht”

Shembuj të ngjashëm e ilustrojnë këtë problem, për përhapjen e të cilit ka nevojë të bëhet një hulumtim kuantitativ. Do të ishte jofalënderuese të komentohen motivet për një sjellje të këtillë, për shkak se për këtë nuk ka dëshmi në dispozicion.

A është mendimi i dikujt potencialisht i rrezikshëm për autoritetin e institucionit ose personit është zona gri për të cilën gjithmonë do të ketë diskutime, veçanërisht në kolumna dhe editoriale. Nga ana tjetër, prezantimi i pohimeve në lajme dhe në kontribute që nuk janë të lidhura me ndonjë burim, nënkupton mosrespektim të rregullave themelore të zanatit të gazetarisë. Nëse shtëpia ndërtohet prej themeli, dallimi i qartë i elementeve komentuese në tekstet e prezantuara si lajme është parakysht për diskutim më të gjerë rreth asaj se deri ku mund të shkojë liria e të shprehurit në format e tjera të shprehjes gazetareske.

Tags

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close