Reagon BESA: Komua e Çairit shantazhon Klubin ELITA

Lëvizja BESA ka reaguar në mbrojtje të organizatës joqeveritare “Klubi ELITA”, pasi nga kjo organizatë njoftuan se është bërë ndërhyrje dhe ndërrim i fshehtë i drynave në njërën nga lokalet e kësaj organizate.

Nga organizata “Klubi ELITA” fajësuan zyrtarët e Komunës Çair për prishje të marrëveshjes sipas së cilës objekti në fjalë i ishte lënë në përdorim organizatës joqeveritare. Në këtë reagimin të Lëvizjes BESA thuhet se “në emër të mbrojtjes së lirisë së mendimit dhe mbrojtjes së shoqërisë civile, Lëvizja BESA reagon ashpër ndaj ndërrimit të dhunshëm dhe të fshehtë të drynave të zyrave të organizatës joqeveritare nga Shkupi “Klubi ELITA”. Duke e pasur parasysh se – sipas informacioneve nga kjo shoqatë – ajo është e vendosur në ato zyra me marrëveshje të nënshkruar me Komunën e Çairit – e cila zgjat edhe dy vite e gjysmë, është për të ardhur keq që dikush mund të marrë guximin që në këtë mënyrë të ngrejë dorë mbi një organizatë joqeveritare”.

Nga Lëvizja BESA presin që organet e hetuesisë ta zbulojnë se kush janë autorët e vërtetë të këtij akti. Mirëpo, nga Lëvizja BESA thonë se në këtë veprim nuk mund të mos lexojnë edhe prapavijën politike, sepse njëri nga themeluesit e Lëvizjes BESA ka qenë edhe themelues i Klubit ELITA.

“Në këtë ndërrim drynash BESA lexon mesazhin e presionit ndaj shoqërisë civile dhe ndaj aktivistëve të tjerë joqeveritarë se çfarë mund t’i presë të gjithë ata që kanë botëkuptime të ndryshme politike nga ata që sot e kanë në dorë pushtetin në këtë komunë ose edhe më gjerë. Kjo nënkupton se të gjithë ata që nuk mendojnë si pushteti i pret dryni. Fatkeqësisht, kjo vjen vetëm një ditë pasi që Maqedonia u shpall si vend me kufizime shumë të larta të lirisë së mendimit, që kështu të dëshmojë se kjo është më shumë se e vërtetë”, thuhet në reagimin e Lëvizjes BESA.

Megjithatë, nga kjo lëvizje presin që organet e Komunës së Çairit ta dënojnë këtë akt, ndërsa nga autoritetet përkatëse ta zbardhin veprimin dhe autorët t’i nxjerrin para drejtësisë.

“Në të kundërtën, do të jemi të detyruar të besojmë se të gjithë ne si shoqëri po rrëshqasin në diktaturë tipike enveriste-staliniste, ku do të duhet të kemi kujdes edhe për shtëpitë tona dhe për kokën tonë.

Po ashtu shpresojmë që edhe OJQ-të e tjera ta dënojnë këtë akt, ndërsa edhe faktori ndërkombëtar të jetë më vigjilent duke e regjistruar këtë veprim si antiqytetërues dhe, konform kompetencave që i ka, të mos lejojë që edhe në të ardhmen të poshtërohen kaq ulët vlerat e pretenduara nga shoqëria civile në Maqedoni”, thuhet në reagimin e Lëvizjes BESA të nënshkruar nga Bilall Kasami, koordinatori të kësaj lëvizjeje.

LEXO: “Klubi ELITA” akuzon Izet Mexhitin për shkelje të marrëveshjes dhe sulm ndaj OJQ-ve

LEXO: Reagon Komuna e Çairit ndaj akuzave të “Klubi ELITA”: Nuk bëhet parti me zyre të huaja

Lajme të ngjashme

Back to top button