16 vite nga masakra e tmerrshme ndaj shqiptarëve në Reçak

Sot mbushen 16 vjet nga masakra e Reçakut, e cila tmerroi botën dhe zgjoi ndërgjegjen e diplomacisë botërore për t’u mobilizuar për Kosovën.

Në masakrën, e cila ndodhi më 15 janar të vitit 1999, u vranë mbi 45 civilë shqiptarë.
Tmerret e shkaktuara në fshatin Reçak sollën në vëmendje gjithë botën e civilizuar dhe shpalosi të vërtetën rreth planit gjenocidal të Millosheviqit.

Pas Reçakut, çështja e Kosovës do të jetë në një konferencë ndërkombëtare në Rambuje dhe në Paris, mossuksesi i të cilës do të ndikonte në ndërhyrjen e NATO-së kundër forcave ushtarake serbe, largimin e tyre nga Kosova dhe vendosjen e administratës ndërkombëtare në Kosovë, shkruan KosovaPress.
Reçaku atëbotë kishte zënë vend në mediat dhe zyrat e shteteve më me ndikim në botë. Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Medlin Olbrajt, e kishte dëgjuar lajmin dhe ishte zgjuar me ankth se çdo t’i sillnin orët në vijim Kosovës.
Ndërkaq, shefi i misionit të OSBE-së, Uiliam Uoker kishte shkuar në vendin e krimit shumë shpejt dhe kishte drejtuar gishtin nga lugina e masakrës duke e përcaktuar krimin me tri fjalë: krim kundër njerizimit.
Pas masakrës së Reçakut, rifilluan luftimet 48 orëshe mes UÇK-së dhe forcave serbe për marrjen e kufomave. Serbia donte t’i zhdukte gjurmët e krimit, por kjo tentativë e tyre dështoi. Bota e pa krimin.
Për herë të parë nga skenat rrëqethëse dhe masakrat barbare që bënë forcat serbe në popullatën civile shqiptare, kishin tmerruar edhe misionar dhe diplomat të botës. Diplomacia botërore mobilizohet për Kosovën, ndërkaq Beogradi planifikonte ta masakronte popullin shqiptar si shumë herë të tjera, fshehurazi syve të botës.
Në 16 vjetorin e kësaj masakre, Reçaknë  do të qëndrojë kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, me ç’rast do të bëjë homazhe në kompleksin memorial.
Përveç kryeministrit, në Reçak do të qëndrojë edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Lajme të ngjashme

Back to top button