fbpx

Dika: deri në frymën e fundit nuk duhet të ndalemi së mësuari (Intervistë)

Me Rektorin e Universitetit të Evropës Juglindore është kënaqësi të bësh intervistë. Ai shumë qartë e zbërthen vizionin që duhet ta ketë një intelektual i ri. Gjithashtu zotëri Dika jep një drejtim se kah duhet të orientohen të rinjtë në jetë dhe karrierë. Lexojeni dhe shpërndajeni këtë intervistë për të motivuar edhe të tjerët!

Intervistoi: Venhar Ramadani 

Në Qershor të këtij viti ju jeni rizgjedhur Rektor i Universitetit të Evropës Juglindore (UEJL). Në kohën kur unë isha student, Universiteti ishte në fazën 2.0 të zhvillimit të tij. A ka ndonjë ndryshim nga viti 2013 dhe cila është vlera që qëndron pas këtyre numrave?
Z.DIKA: Procesi i rizgjedhjes paraqet një mundësi të mirë për të reflektuar për një periudhë të kaluar, për të identifikuar sa më objektivisht mangësitë por edhe të arriturat gjatë periudhës katërvjeçare që kaloi, si dhe për tu përgatitur për garën prestigjioze të konkurrimit për të udhëhequr një institucion të veçantë të arsimit të lartë në Evropën Juglindore. Në këtë periudhë, përveç të qenit aktiv në rrjetin ndërkombëtar të universiteteve si një mundësi unike për të dëgjuar sfidat bashkëkohore të arsimit të lartë evropian dhe atij amerikan, në veçanti, si dhe vazhdimit “të shkollimit” tim në lëmin e arsimit ekzekutiv, aty ku vlerësoja që më duhet të mësoj prej të tjerëve për të qenë edhe më efikas – sidomos në sferën e menaxhimit financiar. Gjatë kësaj faze gjithashtu arrita të konsultohem me faktorët më të rëndësishëm për të dizajnuar strategjinë e katërvjeçarit të ardhshëm të zhvillimit të universitetit, e këto janë pikërisht anëtarët e stafit të universitetit – të të gjitha niveleve. Gjithashtu, pata fatin që të konsultoj edhe njerëzit më përgjegjës të kohës në Bruksel, në fushën e hulumtimit shkencor evropian dhe ata që kanë përshkruar strategjinë e mobilitetit në hapësirën e arsimit të lartë në Evropë deri në vitin 2020. Si fryt i kësaj gare dhe i këtyre aktiviteteve, gjithnjë sipas meje, është korniza e re e vizionit për zhvillim të Universitetit të Evropës Juglindore – të emërtuar si faza 3.0: Drejt dijeve dhe shkencës së personalizuar (qesh). Kjo në vete ngërthen një projekt shumë ambicioz, prandaj nuk do të ishim universitet nëse nuk do bënim përpjekje për të arritur horizonte të reja.

Në muajin e kaluar UEJL festoi 13 vjetorin e themelimit. Si e ka ndryshuar realitetin në Maqedoni UEJL-ja për këto 13 vite?
Z.DIKA:  Në muajin e kaluar – më saktë në vetë manifestimin e trembëdhjetë vjetorit të themelimit të universitetit, nisëm edhe një rrugëtim për të bërë ndryshimin e radhës në Maqedoni. Me dhënien e titullit Doctor Honoris Causa sipërmarësit më të suksesshëm shqiptar në biznesin ndërkombëtar, ne treguam rreshtimin e universitetit tonë përkrah universiteteve bashkëkohore – të cilët e kanë prioritet partneritetin me industrinë dhe tregun real të punës, gjë që përbën njërin ndër “koalicionet” më të preferuara që mund të sigurojë zhvillim dhe progres të qëndrueshëm.
Universiteti, në vazhdimësi, që nga themelimi – qoftë si një universitet i integruar jo vetëm si kampus, por edhe akademikisht, apo në iniciativat për përmirësim të vazhdueshëm të cilësisë së mësimdhënies dhe të të nxënit, ka arritur të identifikohet si një krijues i vlerave të veçanta të arsimit të lartë në rajon e më gjërë. Këtu, më duhet të përmendi edhe integrimin e shërbimeve dhe interakcionit të gjallë (live) me studentët. Tani, mund të them me plot përgjegjësi se Universiteti po krijon profesionistë të vërtetë dhe rini të edukuar intelektualisht për të qenë konkurrues në tregun global, që si të tillë ata, pra ju, do të jeni ai kapacitet që do ta ndryshoni këtë realitet.

Akademiku Allan Bloom ka thënë: “Edukimi është lëvizje nga errësira drejt dritës”. A mendoni se UEJL ishte zgjidhje e duhur e shqiptarëve para 13 viteve. A ishte UEJL drita në fund të tunelit?Z.DIKA: Mendoj që trembëdhjetë vjet janë pak për të dhënë përfundime kompetente në relacion me historinë, por sipas këndvështrimit tim, gjithnjë duke u nisur në aspektin e kontributit pragmatik në kohë, Universiteti i Evropës Juglindore përbën një storie të suksesshme të dizajnimit të një institucioni të arsimit të lartë, i cili në një mjedis të ngarkuar me histori konfliktesh mes popujve dhe një tranzicioni të dhimbshëm moral dhe ekonomik që po tejzgjatjet, megjithatë arriti të mos bjerë në këtë “grackë” të emocioneve momentale. Pra, intenca jonë ishte që sa më shpejtë që të ngrisim një institucion ku do të zhvillohet mësimi në gjuhën shqipe, por edhe përtej kësaj – duke ofruar një model arsimi të lartë të krahasueshëm me kushtet dhe standardet më të avancuara ndërkombëtare. Thënë thjeshtë, sot nuk është koha që të krenohemi vetëm me atë që kemi diploma në gjuhën shqipe, por që pretendojmë të krenohemi me nivele të dijeve dhe kompetencave e shkathtësive të niveleve më të larta ndërkombëtare. Mendoj që edhe sot, megjithëse janë dy institucione të arsimit të lartë në gjuhën shqipe në Maqedoni, ende arsimi në gjuhën shqipe nuk është duke shfrytëzuar kapacitetet që i takojnë në shtet. Kohëve të fundit edhe qeveria, duke participuar në financimin e Universitetit tonë, hapi një mundësi të re për të gjetur modele të reja të bashkëpunimit dhe bashkërenditjes së kapaciteteve të arsimit të lartë – në veçanti të atij në gjuhën shqipe në Maqedoni, për të vazhduar me realizimin e misionit tonë.

UEJL është një ndër të parët në rajon që ofron arsimim cilësor, me të gjitha programet e studimeve në të tre nivelet. Ç’farë planesh keni ju si UEJL-së për të ardhmen?
Z.DIKA: Për këtë periudhë të ardhshme katërvjeçare kemi projektuar ngritjen e kapaciteteve dhe nivelin e hulumtimit shkencor në universitet; të vazhdojmë të përmirësojmë mësimdhënien dhe të nxënit në drejtim të pedagogjive për personalizim të qasjes ndaj studentit dhe komunitetit; të përforcojmë mëtej bashkëpunimin me industrinë dhe biznesin nëpërmjet programeve profesionale dhe hulumtimit aplikativ; si dhe të vazhdojmë të jemi liderë të procesit të ndërkombëtarizimit të aktiviteteve tona akademike, duke mundësuar mobilitetin në të gjitha nivelet në universitet. Të gjitha këto prioritete janë të integruara në kuadër të aktiviteteve dhe investimeve të projektuara për të shndërruar Universitetin e Evropës Juglindore në kampusin e parë ekologjik në këtë pjesë të Evropës.

Çfarë gjërash keni mësuar në jetë për këto vite?
Z.DIKA: Eh, është pak pyetje e vështirë për t’u përgjigjur në një intervistë të vetme. Prandaj, do mundohem që të jap një përgjigje shumë të shkurtër: kam mësuar se deri në frymën e fundit nuk duhet të ndalemi së mësuari, së dëgjuari tjetrin, të të jetuarit të së sotmes dhe së ëndërruari.

Ju jeni i ri dhe për shumë të punësuar apo edhe për studentët jeni shembull i zhvillimit në karrierë. Cili është sekreti?
Z.DIKA: Do të ishte mirë sikur të kishte një formulë unike për suksesin. Ka shumë studiues që merren me studimin e teorisë së suksesit. Të fundit që lexova, qe libri i veçantë i Napoleon Hill “Mposhtja e djallit”, i cili nëpërmjet dialogut me djallin tenton të përshkruajë rrugën drejt suksesit. “Formula” ime, për fat të keq (ose të mirë – le ta çmojë lexuesi), do të ishte:

-krijimi i kulturës së punës (punë, punë dhe vetëm punë – siç do të thoshte Naimi ynë i madh),

-korrektësia në marrëdhënie me veten dhe tjetrin (mbajtja e “besës” për atë që merreni vesh),

-vetiniciativa dhe konsistenca (“mos u bëj arrë të të shkundin, bor bëhu manë të biesh vetë” – mos prit tjetri t’ju udhëzojë ose kujtojë për punën që duhet ta bëni apo rezultatin që duhet ta dorëzoni, por përveshuni punës dhe zgjidhni vetë problemet në rrugëtim. Kjo, do t’ju çojë drejt kreativitetit dhe inovacionit),

-durimi dhe toleranca (janë konceptet bazike fetare ose parimet themelore të rendit ndërkombëtar. Të respektoni tjetrin më shumë se veten, të dëgjoni tjetrin dhe të jini të hapur për të mësuar nga të tjerët),

-të doni dhe respektoni pafund (“çdo njeri është i mirë, e disa dallohen vetëm nga veset” – të respektoni tjetrin. Nuk ka armiq në këtë botë. Të gjithë lindim ‘tabula rasa’ dhe me sjelljen dhe qasjen tonë mund të ndryshojmë percepcionet e tjetrit),

-buzëqeshni dhe jini pozitiv pandalur,

-të jeni dhe mbeteni vetvetja…

Siç mund të lexo(j)ni, po del që shumicën e kësaj “formule” e dini dhe e njihni. Pra, mbetet pjesa

më ‘e vogël’ – t’i respektojmë këto xhevahire popullore dhe t’i zbatojmë në përditshmërinë tonë. Këtu, do të shtoja edhe atë se: (mundësisht) të gjeni kohën dhe vendin e duhur për t’u shndërruar në të “duhurin” (dikush do ta përkufizonte këtë të fundit sikur “të kesh edhe pak fat” (qesh).

A jeni dorëzuar ndonjëherë nga, apo për diçka?
Z.DIKA: Thonë që bricjapët nuk dorëzohen kurrë, apo dorëzohen të fundit. Megjithëse nuk jam përkrahës i teorive të interpretimit të renditjes së yjeve si përcaktues të karakterit – por i besoj kësaj që u përshkruhet bricjapëve. Besoj se iu përgjigja pyetjes suaj. Ndryshe, “i besoj” “teorisë” së Paolo Coeglio-s se yjet konspirohen kur diçka e dëshironi aq shumë – për t’ju ndihmuar që ta arrini qëllimin.

A jeni perfeksionist?
Z.DIKA: Unë mund të filozofoj shumë në këtë pyetje, por bashkëshortja ime do të thoshte se edhe jam i tillë..

Cila është metoda më e mirë për ta ndryshuar botën?
Z.DIKA: Mendoj që përgjigja në këtë pyetje qëndron në kapacitetin për të njohur veten. Kjo është shumë e vështirë – sidomos në këtë kohë të gjykimeve dhe paragjykimeve të mjedisit dhe dinamikës së jetës. Kjo, sepse për të njohur veten nevojitet kohë për të reflektuar në lidhje me mënyrën se si sillemi, si veprojmë, si i perceptojmë gjërat, si gjykojmë… Ata që e gjejnë këtë kohë dhe krijojnë kapacitetin për të njohur veten, pra ata që arrijnë ta bindin veten se ndonjëherë edhe duhet të ndryshojmë, ata do të kenë mundësinë që ta ndryshojnë botën. Pra, çdo gjë  nisë nga vetja. Dhe, ndryshimi i botës nuk do të thotë patjetër ndonjë zbulim i tipit “perpetuum mobile” (lëvizja e pakufizuar pa energji të jashtme), por duke ndryshuar veten, duke bindur të afërmin tonë që të na bashkëngjitet në këtë ndryshim dhe duke kryer një punë apo një kontribut të vogël sot, me këtë do të bëhemi pjesë e ndryshimit të madh…

Kur dhe si e filloni ditën? Çfarë ju sugjeroni të rinjve, se si ta fillojnë ata ditën?
Z.DIKA: Nuk mendoj se duhet të ketë ndonjë model të “ditës…” që duhet ndjekur për të thënë se kështu do të jemi më të lumtur. Çdo njeri ka “orën biologjike” (po e përdor si term filozofik që nënkupton ADN-në…) dhe ajo duhet ndjekur për të përcaktuar ritmin e “ditës” suaj. Me rëndësi është që të vendosim qëllimin që dëshirojmë ta arrijmë dhe t’i përkushtohemi me pasion. Nëse ky është qëllimi ynë, atëherë edhe modeli i duhur i ditës do të vijë vetë…

 

Kush mendoni se e ka fajin për papunësinë që aktualisht është mbi 35% në Maqedoni?
Z.DIKA: Unë jam fajtori. Ti. Ky karshi meje. Ai tjetri aty. Ne, të gjithë jemi fajtorë apo bashkëfajtorë aktiv ose pasiv në krijimin e standardit të një shoqërie. Nëse do të pajtoheni me këtë konstatim, pra nëse shumica prej nesh nuk pajtohen me këtë gjendje, apo mendojmë që mundemi më shumë, atëherë çdonjëri prej nesh, aty ku është, le të mendojë se çka mund të bëjë për ta ndryshuar atë dhe le të përveshë mëngët e të veprojë. Pra, siç po e shi(koj)hni, kjo qënka e lidhur me pyetjet-përgjigjet paraprake: si deri te suksesi, kush e bën ndryshimin, etj. Unë personalisht mendoj që ne posedojmë kapacitete për të pasur më shumë, apo për të jetuar më mirë. Ndryshimi vjen. Quhet globalizim.

 

Çka mendoni për televizionin dhe mediat? Si mund të rinjtë të zhvillohen nëpërmjet programeve televizive?
Z.DIKA: Siç është rritur eksponencialisht qasja në dije, paralelisht janë zhvilluar edhe mediumet dhe formatet për qasjen në të. Komunikimi, nga ai verbal në distancë të shkurtër, pastaj nëpërmjet sinjaleve të tymit te indianët, apo pëllumbat lajmëtarë ose lajmëtarët në kuaj, deri te letra-posta, radio valët, komunikimi nëpërmjet televizionit, sot komunikimi ka arritur në përmasat e mediumeve të integruara me qasje çdo kund dhe tek çdonjëri. Kjo do të thotë se qasja në dije dhe mundësitë e komunikimit kanë ndikim të madh në zhvillimin e personaliteteve tona. Unë jam ndër besimtarët e paktë që mendoj se edhe pse komunikimi përmes mediave sociale po shënon tendenca të mëdha keqpërdorimi apo keqshfrytëzimi të këtij potenciali – në një dimension të ri, komunikimi nga grupimet politike, religjioze apo grupet tjera të interesit, me një transparencë, standardizim ndërkombëtar dhe komunikim në distancë, përbën fuqinë e ndryshimit dhe zhvillimit të të rinjve tanë. Portali – produkti i juaj është një ndër ato miliona shembuj të mirë që po ndryshojnë botën dhe që udhëzojnë të rinjtë…

 

Cila është këshilla që ua jepni studentëve kur dalin nga dyert e Universitetit dhe kur ia mësyjnë përballjes me konkurrencën në tregun e punës?
Z.DIKA:
Atyre që diplomojnë në Universitetin e Evropës Juglindore ju them se duhet të jenë të sigurt se janë të pajisur me dije dhe shkathtësi bashkëkohore të krahasueshme me universitetet ndërkombëtare. Prandaj, me guxim dhe vetëbesim lirisht le të ballafaqohen dhe le të konkurrojnë me çdonjërin këtu dhe jo vetëm këtu, por edhe gjetkë, globalisht.

 

A janë startup-et zgjidhje për të zbutur papunësinë e të rinjve?
Z.DIKA: Në këto hapësira gjeografike, një ndër përparësitë konkurruese është pikërisht shpirti ndërmarrës yni – i gjeneruar nga nevoja për të siguruar jetesën dhe të ekonomizojmë në kushte të betejave të pandalshme okupimi dhe urrejtjeje të pashpjegueshme historikisht. Kur kësaj vetie, i shtohet edhe tradita e fuqishme familjare, atëherë ndajë me ju mendimin se pikërisht start-upet apo përkrahja e të gjithë atyre të cilët guxojnë të ofrojnë vende të reja pune, apo të krijojnë punë të re, është një ndër strategjitë e përshpejtimit të integrimeve tona ekonomike dhe politiko-sociale. Suksesi i atyre që marrin pjesë në vendimmarrje është pikërisht gjetja e instrumenteve të duhura që do të përkrahnin këtë energji, duke krijuar mjedis bashkëpunues me lirinë e duhur në mjedis.

 

Cili është libri, kënga dhe filmi juaj i preferuar?
Z.DIKA: Kënga: “Soldier of Fortune” – Deep Purple, ndërsa në shqip do e veçoja këngën “Vjeshta” të Redon Makashit

Filmi:“Dead Poets Society” me Robin Williams (në rininë time). Ndryshe, i preferoj filmat e kategorisë Science Fiction:  “Dracula” të Bram Stoker-it; “Avatar”-i. Po, most ë haroj edhe “Titanic”-un (klishe, por i jashtëzakonshëm në atë kohë);

Libri: “I panjohuri” – Albert Camus (ka pasur ndikim në rininë time), “Alkemisti” – Paolo Coelho (në vazhdimJ), “The World Is Flat” – Thomas L. Friedman (në dhjetvjeçarin e fundit). Tani jam duke lexuar “The Future” nga All Gore.

Kjo intervistë është bërë nga vizione.info dhe Portalb.mk i ka të gjitha të drejtat e publikimit të intervistës, sipas marrëveshje së arritur mes palëve. Për më shumë intervista, ndjekni VIZIONE në rrjetet sociale.

Tags

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button
Close