Pritet edhe një grevë masive në Maqedoni

Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SASHK) paralajmëroi riaktivizimin e grevës së përgjithshme për mësimdhënësit nga data 20 janar, pasi që nuk u arrit asnjë marrëveshja gjatë muajve të fundit.

Kryetari i SASHK-ut, Jakim Nedelkov thotë se greva gjenerale do të fillojë me 20 janar dhe në të do bëjnë pjesë kopshtet, shkollat fillore dhe të mesme dhe institucionet kulturore. Ai shton se greva do të jetë klasike, ku mësimdhënësit do të shkojnë në punë por nuk do të mbajnë mësim.

“Për shkak se nuk u arrit asnjë marrëveshje, do të riaktivizohet greva. Kërkesat mbesin të njëjta me disa plotësime, ku ato kryesoret janë dhe mbeten, rritja e pagave dhe tërheqja e dënimeve dhe testimit ekstern. në grevë ftohet po ashtu edhe mësimdhënësit të cilët nuk janë anëtarë të Sindikatës”, tha për Portalb, Nedelkov.

Sa i përket kushteve të mësimdhënësve, ish Ministri i Arsimit, Sulejman Rushiti për Portalb thotë se janë nën standardin rajonal, ndërkohë që janë të ngarkuar me punë administrative të panevojshme për procesin edukativo arsimor.

“SASHK  riaktivizon  grevën të cilën e shtyu pasi mori garanca nga qeveria se do plotësojë kërkesat e tyre. Them se mësimdhënësit e Maqedonisë tani janë nën standardin rajonal. Ndërkohë që janë ngarkuar me detyra administrative të panevojshme për procesin edukativo arsimor. Nuk është se nuk ka pasur buxhet qeveria për të investuar në përmirësimin edhe të cilësisë së arsimit në aspektin përmbajtjesor por thjeshtë buxheti është investuar gabimisht”, tha për Portalb, Rushiti.

Kryetari i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë (LASH), Nuhi Dardhishta për Portalb vlerëson se në Maqedoni arsimi nuk i ka kushtet ne nivel Evropian.

“Mësimdhënësit ankohen për librat e Kmebrixhit sepse te ne nuk ka kushte që të mësohet me to. Maqedonia sa i përket arsimit nuk është në nivelin Evropian. Po ashtu jam pro rritjes së pagave por gjithashtu jam pro kontrollit të shtuar sa i përket cilësisë së arsimit, por nga ana e mbikëqyrjes së këshilltarëve pedagogjik dhe jo nga inspektorët dhe testimi ekstern. Disa herë e kam cekur se mungesa e shqyrtimin dhe e debateve publike për ligjet e arsimit, po pengon avancimin dhe po shkakton kaos për mësimdhënësit”, tha për Portalb, Dardhishta.

Ndërkaq mësimdhënësit gjatë muajve të fundit u janë nënshtruar kontrolleve të shpeshta nga inspektorët, të cilët kanë qenë të pranishëm në orët e mësimit duke vlerësuar kështu punën e mësimdhënësve. Edhe pse ende nuk ka përgjigje lidhur me punën e mësimdhënësve, se kush do të dënohet dhe në çfarë mënyre do të dënohet nga raporti i inspektorëve, sërish vlerësohet se kontrolli mbi ta është tejet i madh.

Punëtorët arsimorë po ashtu kohë më parë thanë se gjendja në arsim është e vështir dhe kjo zgjat me vite  ndërsa institucionet me qëllim apo jo, nuk ndërmarrin masa për tejkalimin e kësaj gjendje, dhe ndonjëherë janë vet gjeneratorë të të njëjtave. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button