fbpx

Liri shprehjeje apo abuzim i saj?

Në shkrimin tim të parë për këtë vit dua të shkruaj për masakrën e Parisit, shkaqet dhe pasojat e kësaj masakre, aq sa mund të përmbledhet në një kolumnë. Dua të flas mbi të gjitha për lirinë e shprehjes, apo më mirë për keqpërdorimin dhe abuzimin me lirinë e shprehjes.

Liria e shprehjes do të definohej si e drejta e secilit për të shprehur mendimin dhe bindjet e veta pa cenzurë dhe pa kufizime. Të paktën kështu thjesht e definon Google. Atë për të cilën dua të diskutojmë këtu bashkë është kjo: a është abuzim i lirisë së shprehjes karikaturimi i fesë islame? A paraqet lloj cenzure masakrimi i gazetarëve që kanë përdorur të drejtën e tyre të garantuar me kushtetutë të lirisë së shprehjes? Përgjigja ime për të dyja pyetjet, është një PO e fuqishme.

Në definimin e vet origjinal, liria e shprehjes mund të jetë në forma të cilat shoqëria i konsideron si të papranueshme sepse nuk janë etike. Po marr një shembull, nëse protesta publike e një grupi njerëzish apo demonstrata është shprehje e lirisë dhe e demokraicsë, assesi nuk është e tillë një protestë e dhunshme dhe fyese. Nuk janë të pranueshme për arsyen e thjeshtë sepse janë të dëmshme ndaj tjerëve. Nga ana tjetër, feja është e drejtë univerzale dhe është liri e garantuar me Kartën e të drejtave të njeriut të OKB-së. Nëqoftëse karikaturohet feja, siç bëri revista franceze, atëherë cënohet kjo e drejtë elementare e një grupi shumë të madh njerëzish që e praktikojnë këtë fe. Liria e shprehjes e një reviste në këtë moment bëhet e dëmshme dhe joetike. Me këtë abuzim janë humbur vlerat e demokracisë moderne që ka lindur në vendin ku kjo reviste botohet.
Definimi francez i demokracisë është: Liri, Vëllazëri, Barazi. Pra tre elemente që në këtë publikim janë cënuar rëndë. Abuzohet liria e shprehjes sepse abuzoi me të drejtën e tjerëve për të respektuar fenë e vet, dhe në këtë mënyrë kjo shprehje e humbi lirinë e vet. Koncepti i vëllazërisë sepse Franca ka një përqindje të madhe të myslimanëve. Dhe nënkuptohet koncepti i barazisë, sepse feja e dikujt diskriminohet dhe nënvlerësohet me vetë faktin që karikaturohet. Nuk është e pranueshme që feja të shtrembërohet në atë formë sa të bëhet komike dhe groteske. Këtu do më përkrahte edhe Konica po të ishte gjallë, sepse do të thoshte: “Liria është të mundet njeriu të besojë ç’ti dojë zemra, të thotë ç’ti do zemra, të shkruajë ç’ti do zemra, të bëjë ç’ti do zemra, veç jo ato që janë kundër lirisë së tjetrit njeri”.

Por, sa është e drejtë që kjo fyerje të bëhet shkas për masakrimin e gazetarëve? Domosdo që kjo pyetje me vetë mënyrën si është parashtruar duket makabre, sepse e tillë është, por sdij si ta formuloj ndryshe. Sepse akti është kryer dhe është MAKABËR. Në shenjë revolte a në shenjë hakmarrjeje, quaje si të duash, ato jetë njerëzish u morrën pamëshirshëm. Autorët e saj me këtë gjest kanë poshtëruar fenë të cilën predikojnë që e mbrojnë, Zotin dhe Profetin në emër të të cilit betohen të kenë kryer këtë krim. Sepse feja islame është fe e paqes dhe e mëshirës.  Krimi i tyre është qyqar, hakmarrës, vrastar, mëkatar… është ANTIFETAR. Kjo vepër e këtyre budallenjve, që më shiten fetarë, e që ngatërrohen në mjekrat e tyre derisa ecin, meriton përbuzjen e të gjithë njerëzimit.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Tags

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close