Ambasadori Lu: Të shqetësuar për luftëtarët që ikin në Siri

Ambasadori i ri i SHBA-ve në Shqipëri, Donlad Lu është prezantuar sot para mediave pasi i ka paraqitur letrat kredenciale presidentit Nishani. Ai e flet shumë mirë gjuhën shqipe dhe nuk i është dashur një përkthyes për të komunikuar me median. Ambasadori e ndau në dy pjesë fjalimin e tij; jeta personale dhe prioritetet e Uashingtonit në Shqipëri.

Ambasadori Lu tha se 3 prioritet më të rëndësishme ku do të fokusohet edhe puna e tij në Shqipëri janë; mbështetja e reformave për anëtarësim në BE, fuqizimi i rolit të Shqipërisë në NATO dhe ndihma që do të japin SHBA-të për të forcuar institucionet demokratike në vend.

Por ambasadori amerikan u ndal edhe në çështjen e sulmeve terroriste duke theksuar se lufta ndaj fenomeneve të tilla është primare për SHBA-të dhe aleatët e saj, pasi të tilla sulme nuk adresohen vetëm te njerëzit e pafajshëm por tek vlerat demokratike që përfaqësojnë SHBA-të, Franca e shumë vende të tjera.

“Ambasadorët amerikanë ndryshojnë normalisht, por politika e SHBA-së nuk ndryshon. Ajo që ka ndryshuar dhe është bërë më e pjekur është marrëdhënia jonë. Sulmi ndaj Charlie Hedbo në Paris nuk ishte vetëm një sulm ndaj njerëzve të pafajshëm por ishte kundër vlerave demokratike. SHBA-të janë të shqetësuara për luftëtarët e huaj që marrin pjesë në konfliktin në Siri, dhe kërcënimine paraqesin kur kthehen në vendet e tyre të origjinës. Ne po punojmë me Shqipërinë dhe me vende të tjera me të cilat ndajmë parneritete të forta në luftën kundër terrorizmit”, tha ambasadori Donald Lu.

Duke u ndalur paksa te jeta personale, ai tha se ka ardhur në Shqipëri së bashku me familjen e tij; bashkëshorten e cila është mjeke, dhe dy fëmijët e tyre, vajzën 9-vjeçare dhe një djalë 13 vjeç. Donald Lu tha se gjithë familja e tij është e lumtur që ndodhet në Shqipëri.

“Jam rritur në plazhin Huntington, një qytet bregdetar në jug të Kalifornisë, ky qytet, ky plazh është i njohur në Amerikë si qyteti i sërf-it (sport). Kalifornia është një komunitet multietnik i mrekullueshëm, ku njerëz nga e gjithë bota përfshirë edhe nga Shqipëria vijnë për të gjetur mundësi të reja për vete dhe për familjet e tyre. Babai im emigroi nga Kina, dhe udhëtimi i tij në Amerikë në anije dhe me pak dollarë në xhep ishte shumë i vështirë, nëna u rrit nëSan Françisko në Kaliforni, nga prindër që gjithashtu ishin emigrantë. Vëllai, motrat dhe unë nuk jemi rritur në një fëmijëri të pasur por prindërit kursyen paratë e tyre për të na dhënë arsim të mirë. Bashkëshortja ime e dashur është me ne këtu në Shqipëri dhe është specialiste e talentuar në fushën e shëndetit publik. Kemi dy fëmijë Alia, 9 vjeç dhe Kip 13 vjeç, super të zgjuar dhe shumë të lumtur që janë në Shqipëri,” tha ambasadori Donald Lu, ndërsa prezantoi veten dhe familjen e tij para shqiptarëve.

Sot ambasadori Donald Lu i ka paraqitur letrat kredenciale presidentit Nishani për të cilin tha se patën një bisedë të ngrohtë për sfidat me të cilat përballet Shqipëria dhe rolin e SHBA-ve në mbështetjen e reformave kryesore. /Telegrafi

Lajme të ngjashme

Back to top button