Kush të dëgjon Ty se!

Protesta, protesta, protesta. Qeveria këtë, qeveria atë. Parlamenti kështu, parlamenti ashtu. BDi-ja, VMRO-ja, LDSM-ja, PDSH-ja. Gruevski, Ahmeti, Ademi,  Teuta, Xhaferri…Ky, ai. Tha kështu, tha ashtu. Bëri kështu, bëri ashtu…Kap njërin mëshoja tjetrit!…Të lodhesh nga lajmet e filtruara qeveritare. Të lodhesh nga shpëlarja e trurit, që ua bëjnë mediat, për gjithë ditën qytetarëve.

Njëherë nuk  ishit të kënaqu me garniturën partiake në pushtet. E kishit mundësinë që  të mos e zgjidhni të njëjtën herën tjetër. Por, ju përsëri shkuat dhe e zgjodhët të njëjtën. A ndoshta atëherë i kishit xhepat të stërmbushur me para, ose ua futën fëmijët nëpër punë, dhe tani erdhi koha të ankoheni! A mos ju duhen para apo çfarë?! A nuk e dinit se njeriu që të blen me të holla të kurdis dhe luan me ty si të dëshirojë, sepse të ka në duar më? Nuk e dinit këtë gjë?

Nuk është mllefi me ata që nuk kanë një fije shkolle, por është mllefi më i madh me ata që i shoh se protestojnë! Studentë i paskan thënë vetes!

Studimi ka shumë. Nuk është të mësosh diçka përmendësh dhe të nesërmen ta harrosh. Nuk është të kapësh lidhjet e të kalosh provimet. Nuk është të fodullosesh dhe të biesh në sy të atyre të pamoralshmëve dhe ta kalosh provimin. Nuk është të shkosh në universitet për të gjetur dikën që të martohesh. Nuk është që të kalosh kohën nëpër kafene dhe diskoteka…E dini se çka është të studiosh?! Studim është mos ngopesh me gjumë duke lexuar e analizuar lëndën përkatëse. Studim është mos ngopesh me ushqim dhe pije, duke kursyer  për të nesërmen, për një libër ose diçka që të nevojitet dhe është e domosdoshme.

Studim është të mos të të trembet syri nga profesori kur parashtron pyetje dhe hap debat, nga njohuritë që i ke ose që dëshiron ti përforcosh. Studim është të plotësosh provimin me shkrim dhe të jesh i gatshëm edhe me gojë të përgjigjesh përpara profesorit. Studim është që edhe kur të të diskriminojë profesori të jesh i gatshëm të luftosh padrejtësitë që ti bën ai dhe të tjerë sikurse ai. Studimi është një proces që të lodh psiqikisht, por të shpërblen me dije dhe praktikë. Të bën të jesh i zoti i vetes tënde dhe mos biesh pre e asnjë manipulimi.

Të bën të jesh i moralshëm dhe profesionist në drejtimin që studion dhe në jetën shoqërore…Ky është studim, o ju studentë, që dëshironi ti merrni provimet ashtu siç e dimë më se si I merrni dhe si I kanë marrë studentët e mëparshëm. Ky është proces universitar, edukativo-arsimorë, o ju profesorë, që as vetë nuk e dini përse jeni profesorë. Që vetëm emrin mbani si të tillë. Shiteni sikur jeni të dijshmit e gjithë botës, ndërsa fijen e dijes dhe moralit nuk e keni. Diskriminoni, shani, fyni, nëpërkëmbeni, nënçmoni, nënvlerësoni… Harroni se edhe ju ishit studentë dhe luftonit për dije, bile atë në kohën e komunizmit. Harroni se keni përgjegjësi për rrugën që keni zgjedhur të kaloni. Harroni se jeni profesorë për të dhënë dije të tjerëve, për tua lehtësuar jetën dhe për të kontribuar në shoqëri përmes po këtyre studentëve. Harroni se keni mision të shenjtë. E shkelni këtë shenjtëri dhe punoni vetëm për para. Edhe mburreni se paskeni qenë profesorë!…

Nuk them se nuk duhet të protestohet dhe të kërkohet e drejta e qytetarit. Por, për çka protestohet se?! A e dini për çka?! A ndoshta për një grup të posaçëm. I keni çoroditur njerëzit, nuk dinë më ç’të besojnë dhe kujt ti besojnë! Po, fundja mirë e kanë. Njeriu çka bën për vete e bën…

Merrni dhe punoni për  çështjet që janë me rëndësi dhe lini punët e kota. Kush si i konvenon punon. Punoni në ndërgjegjësimin e studentëve. Përgjegjësinë e tyre. Korrektësinë e tyre. Drejtësinë e tyre. Por, edhe punoni për të njëjtat vlera edhe tek profesorët. Sepse të pakta ose të hiçit janë në kohët e sodit vlerat e dobishme të shoqërisë…

Gjithë kjo është proces dhe hallkë ndërmjet studentëve, profesorëve dhe shtetit (Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës). Secili duhet të punojë me secilin. Krejt mvaren nga njëra-tjetra. Nëse nuk kujdeseni për njëra –tjetrën, atëherë ju qoftë e mbarë rruga drejt dështimit, sepse  veç më ja keni nisur teposhtës!

Edhe Zoti betohet në lapsin e dijetarit. D.m.th. një betim i shenjtë ndaj të diturve. Ndërsa këta tre palë të lartpërmendura, duhet të jenë po ata të ditur! Duhet të jenë ama!

Vetëdijesoheni më! Hapeni mendjen tuaj  dhe përpunoni informatat objektivisht dhe mos bini pre e mediumeve ose bisedave të kota! Ju që I thoni vetes intelektual!

Me gjithë respekt dhe nderë për ata studentë dhe profesorë që janë meritë për punën e tyre dhe kontributin e tyre në shoqëri. Sepse studenti e njeh studentin e mirë dhe studentin jo të mirë dhe profesorin e mirë dhe jo të mirë. Por, edhe profesori e njeh studentin e mire dhe jot ë mirë siç e njeh kolegun e vet të mire dhe jo të mire. Këta njihen në mes veti shumë mirë!

Lajme të ngjashme

Back to top button