Njihuni me imamin shqiptar që ishte në tubimin me kancelaren Merkel

Kancelarja gjermane së bashku me presidentin Joachim Gauck i është bashkuar frontit të 6.000 personave të mbledhur në Berlin me qëllim promovimin e tolerancës fetare. Ky tubim u organizua nga Këshilli Qendror Mysliman i Gjermanisë dhe sipas organizatorëve qëllimi i tubimit ishte dënimi i sulmeve terroriste në Paris.

Ndërkohë, atë që pakkush e di është se mbrëmë në këtë tubim në Berlin, ishte edhe një Imam me prejardhje nga Shkupi, i cili quhet Benjamin Idrizi. Idrizi që nga viti 1995 është pjesë e komunitetit Islamik Penzberg në Munih, kurse që nga viti 2009 është udhëheqës i Asociacionit të Forumit Islamik me qendër në Munih.

“Është e vërtet, se isha i vetmi Imam nga trojet shqiptare në tubimin në Berlin, ku ndër tjera u përshëndeta me presidentin Joackim Gauck, si dhe me Kancelaren Angela Merkel. Posaçërisht bisedova me ish Presidentin Wull, i cili para 5 viteve e tha fjalën historike ‘Islami është pjesë e Gjermanisë’, fjalë të cilën e shqiptoi edhe Merkeli për herë të parë të premten gjatë takimit me Davutoglun në Berlin”, sqaron Benjam Idrizi.

Më tej Idrizi thotë se, “të gjithë më thanë se ishte e nevojshme që të jepet ky sinjal, dhe solidaritet me myslimanët, në këtë kohë të vështirë që jetojnë ata në Evropë. Të gjithë anëtarët e Kabinetit të Kancelarisë, si dhe opozita morën pjesë në tubimin e mbrëmshëm kundër islamofobisë. Për mua si Imam për herë të parë e përjetoj interesim të madh nga Politika, dhe kishat, për nevojën e intensitetit të komunikimit dhe dialogut me myslimanët”.

Nëse Idrizi është jo aq i njohur për opinionin shqiptarë gjithandej, kjo nuk do të thotë se është e njëjta situatë edhe në Gjermani. Në shtetin gjerman ku ai prej kohësh është Imam, njëkohësisht njihet si njeriu më në zë i kësaj fushe. Me ç’rast shpesh ftohet nëpër emisionet debative më në zë, për të folur mbi rrjedhat më të fundit të Islamit në botë. /Almakos/

Lajme të ngjashme

Back to top button