Prezantohet Shaqiri: Kam dashur vetëm Interin

Pasditën e sotme në Appiano Gentile u prezantua Xherdan Shaqiri, futbollisti më i ri i Interit. Djaloshi gjilanas tek Interi do të mbaj fanellën me numër 91 që përkon me vitin e ditëlindjes së tij.

Gjatë prezantimit fillimisht e mori fjalën trajneri i Interit, Roberto Mancini, i cili u shpreh shumë shkurt duke e cilësuar Xherdanin një lojtar të madh që vjen nga Bayerni. E pas kësaj e mori fjalën Shaqiri.

“E vërtetë është që kam pasur edhe shumë oferta të tjera por dëshira ime gjithmonë ka qenë e qartë. Trajneri Mancini më prezantoi me projektin e klubit dhe fjalët e tij më bindën për të mbërritur këtu. Tashmë dua të ndihmoj skuadrën të rikthehet në nivelet më të larta. Pavarësisht ofertave nga klube të tjera unë dëshiroja të transferohesha vetëm tek Interi dhe  jam shumë i lumtur për një zgjedhje të tillë”.

As edhe kësaj radhe Shaqa nuk i harroi tifozët, ai tha se tifozët e Interit janë të jashtëzakonshëm.

“Tifozët më hynë menjëherë në zemër, pasi në momentin që unë mbërrita në aeroportin e Milanos, ishin të shumtë fansat që po më prsnin dhe dicka e tillë më lumturoi pa masë. Ajo ishte një eksperiencë unike që nuk do ta harroj kurrë. Shpresoj  që të hedh shumë hapa përpara në karrierën time nën drejtimin e një trajneri si Roberto Mancini”.

Djaloshi me pasport zvicerane më pas foli edhe për eksperiencën e tij te Bayerni si dhe për shanset që ka Interi për ta mbyllur këtë sezon të Serie A, në vendin e tretë, pozicion që do t’i kualifikonte zikaltërit në Ligën e Kampionëve.

“Në Bayern kam luajtur përkrah kampionëve të mëdhenj. Nga eksperienca ime me bavarezët kam mësuar shumë gjëra, por tashmë vëmendja ime është e gjitha te Interi. Dua të shfrytëzoj cdo moment për të ndihmuar skuadrën të arrijë sa më shumë rezultate pozitive. Mezi po pres castin që të luaj me ekipin tim të ri. Vendi i 3-të? Mundësitë ekzistojnë, fitorja në fundjavën e kaluar ndaj Genoas na jep besim për të bërë akoma edhe më mirë në ndeshjet e ardhshme”.

Kalimi i Shaqës te Interi ka shtuar tifozët shqiptar që e ndjekin ndeshjet e skuadrës zikaltër në stadium.

“E kam vënë re se fansat shqiptarë kanë qenë të shumtë dhe mbi të gjitha shumë entuziastë për mbërritjen time këtu tek Interi, kjo ndodh edhe për faktin se unë kam lindur në Kosovë dhe jam shqiptar. Një skuadër e madhe siç është Interi ka tifozë në të gjithë botën dhe këtë e dija unë prej kohësh”, përfundoi Xherdan Shaqiri. / Zekirja Mexhiti/Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button