fbpx

Një libër monumental

 (Vështrim librit “Nacionalizmi shqiptar”, autor Milazim Krasniqi, shtëpia botuese “LOGOS-A”, Shkup 2014, 175 faqe)

Është shkruar e stërshkruar për konceptin dhe parimin e nacionalizmit. Është thënë e stërthënë shumëçka për këtë parim. Me gjasë, në fillim të duket sikurse nuk ka se çka të thuhet më për të, sepse gjithçka është konsumuar. E posaçërisht për nacionalizmin shqiptar, ku për këtë nacionalizëm kanë shkruar shumë autorë të jashtëm e te brendshëm. Por nuk është me rëndësi se sa është shkruar, por si dhe në ç`mënyrë. Milazim Krasniqi me veprën e tij të fundit ka dëshmuar thënien “Not the first but the best” (Jo i pari por më i miri). Sepse e thotë shtruar të vërtetën.

Kur merr në dorë për të lexuar librin më të ri të autorit të shquar Milazim Krasniqi “Nacionalizmi shqiptar” nuk ke se si mos të sfidohesh dhe të magjepsesh. Kjo jo vetëm për stilin e të rrëfyerit, për narratorin apo edhe për narraterin (lexuesin fiktiv), por edhe për informatat dhe mënyrën e argumentimit të gjërave për nacionalizmin shqiptar, zhveshur nga çdo patetizëm, nga çdo glorifikim dhe elegji apo edhe nga kurthi më i rëndë i nacionalizmit, që është shovinizmi. Mbi të gjitha për guximin e shtruarjes së kësaj problematike. E posaçërisht në kryerjen e misionit të shenjtë si intelektual nga vet autori. Sepse intelektuali duhet patjetër të jetë i lidhur ngushtë me të vërtetën. Dhe jo vetëm të jetë i lidhur, por edhe ta shprehë atë, madje ta implementojë atë. Këtë sipas mendimit tim, me përpikëshmëri ia ka arritur Milazim Krasniqi.

Libri i autorit në fjalë është i strukturuar në atë mënyrën më të mirë taksative. Duke shtjelluar sintagmën “nacionalizëm” autori bën fillimisht një digresion mbi atë se si është perceptuar nacionalizmi për ata që jetonin (jetonim) në ish Jugosllavi. Kjo sintagmë ka qenë burimi kryesor i etiketimit të elementit shqiptar si diçka e vrazhdë dhe negative. Ka qenë argumenti i vetëm i pushtuesit për të shkatërruar qenien shqiptare. Lidhja Komuniste e Jugosllavisë përmes kësaj sintagme kishte bërë edhe diferencime ideo-politike. Lufta e Serbisë kundër nacionalizmit shqiptar, nuk ishte asgjë tjetër përpos luftë kundër identitetit shqiptar, kundër barazisë së tyre, thjesht kundër qenësimit të tyre biologjik. Me të drejtë autori këtë term e quan si term, që për brezin e autorit krijon stres dhe kujtime të hidhura. Por, rrekja për ta shtruar në rrafshin studimor, krijon edhe më shumë çekuilibrime ngase kjo sintagmë sipas tij nuk është rehabilituar edhe më tej, nga deformimet e skajshme dhe devijimet e mundshme që i janë bërë këtij koncepti. Ndërsa pas çlirimit në Kosovë, nacionalizmi është kthyer si triumfues dhe shihet si mundësi apo si mjet i mirë të realizohen edhe favore. Ndërsa në Shqipëri, ky koncept i cili gjatë epokës së komunizmit enverist, është shpërfaqur në formë të ideologjizuar dhe si i tillë është deformuar, mbase edhe më tej qëndron si i tillë, ngase ka lënë pasoja të rënda deri në ditët tona.

Me guximin më të madh autori shtron qysh në fillim këto pyetje si dhe pyetjen se përse me këtë dukuri të nacionalizmit nuk janë marrë dhe nuk po merren ende seriozisht intelektualët, publicistët, studiuesit e kështu me radhë. Pse nuk është rivalorizuar ky koncept dhe ky fenomen në dimensionin e vërtetë teorik dhe në realitetet e reja.

Autori në vijim shtron pyetje se përse rebelimet shqiptare përmes kryengritjeve të armatosura, posaçërisht ai në Luginë,  mbështetur në parimin e nacionalizmit,  nuk solli rezultatet e duhura. As edhe deklarimet pompoze të shtetarëve shqiptarë, sikurse retorika shterpe e ish kryeministrit Sali Berisha në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë përmes deklaratave të tija, duke i fashitur më pas pas presionit të jashtëm, as klishetë tjera të mundshme, nuk janë në vijën e asaj që mund të quhet nacionalizëm i mirëfilltë, por vetëm një mjet për diletantizëm dhe aventurë. Edhe projektet e partive të posakrijuara që do të përdornin nacionalizmin shqiptar si levë të krijimit dhe ekzistencës së tyre, nuk do të shërbenin për asgjë tjetër, përpos vetëm si tentativë për etablim në skenën politike dhe marrjen e pushtetit e asgjë më shumë. Krejt kjo, ngase nga mungesa e një fortashtroje ose platforme të mirëfilltë këto parti do të shuhen, apo nuk do të korrin suksese. Në mungesë të hulutimeve serioze dhe të guximshme, auditorit shqiptar i servohet nacionalizmi shqiptar, i deformuar, larg prej asaj që duhet të jetë, ose larg prej asaj platforme të rilindasve, e posaçërisht të ideologëve Sami frashëri dhe Pashko Vasa. Ky nacionalizëm shqiptar sot shtrohet ose përmes zërit të lartë të folësit (Sali Berisha), ose përmes zërit patetik (si Ali Ahmeti), ose përmes zërit monoton (si Jakup Krasniqi). Në këtë vazhdë edhe dy lëvizjet më të shquara, si flamurtare të nacionalizmit, Vetëvendosja në Kosovë dhe Aleanca Kuq e Zi në Shqipëri, duke u paraqitur si flamurtare dhe kampione të nacionalizmit shqiptar, nuk kanë arritur ta detajojnë dhe përpunojnë këtë platformë në favor të bashkimit unik, por kanë mbetur vetëm në rrafshin e politikave kontestuese të qeverive aktuale si në Kosovë, poashtu edhe në Shqipëri.

Autori me të drejtë arrin në konstatimin se Lidhja Shqiptare e Prizrenit, si faktor përcaktues në fushën e historisë së kombit tonë, përmes studimeve dhe hulumtimeve në fushën e historisë së kombit dhe përpunimit të elementeve politik, ka bërë më shumë dhe më shpejt se sa dy projektet e rebelimit të shqiptarëve në Luginë dhe në Maqedoni. Krejt kjo ngase përfaqësuesit e nacionalizmit të mirëfilltë shqiptar, P. Vasa, A. Frashëri dhe S. Frashëri, përpunuan dhe ravijëzuan elementet në Komitetin e Stambollit, për funksionimin e Lidhjes së Prizrenit, si një organizatë politiko-ushtarake, duke krijuar kësisoj një rrugë të nacionalizmit shqiptar në nivel kombformues dhe shtetformues.

Ndërsa tentativat serioze për të shtruar si duhet këtë fenomen, kanë mbetur vetëm në nivelin e studimit të doktoraturës së Hysamedin Ferrajt “Skicë e mendimit politik shqiptar” dhe nuk kanë evoluar më tej. Kjo ka sjellur deri te ajo që nacionalizmi të paraqitet si element manipulues, duke i bërë një dëm të madh moral dhe nacional nacionalizmit të rafinuar dhe të përpunuar si të tillë, nga disa rilindas. Krejt kjo ngase sikurse regjimi komunist në Shqipëri, poashtue dhe ai në ish Jugosllavi, fatkeqësisht edhe regjimet e dy decenieve të fundit, kanë shfytyruar idenë e nacionalizmit të vërtetë shqiptar dhe të mos flasim më për vet nacionalizmin si të tillë.

Autori duke ofruar fakte dhe përkufizime të ndryshme mbi parimin e sipërfolur, sidomos definicione të Ernest Gellnerit, E. Hobsbaëmit, apo Smithit, thekson se definicioni që përputhet me parimin e hershëm dhe të vërtetë të nacionalizmit shqiptar është ai i Gellnerit, i përqafuar edhe nga Eric Hobsbaumi, që definon nacionalizmin si parim, sipas të cilit njësia politike dhe ajo kombëtare duhet të jenë kongruent apo të përputhen. Më tutje autori e sheh nacionalizmin shqiptar në kontekstin europian, edhe pse ka të tillë që këtë dukuri e shohin si jashtëeuropiane, sikurse Pirro Misha me të tjerë, për shkak kthimit në Islam të shumicës së shqiptarëve. Autori argumenton se sjellja e shqiptarëve asnjëherë nuk ka qenë jashtë europiane, as në fillim e as në fund të sundimit osman. Kjo sajesë është tipike produkt sllav dhe grek, duke tentuar t`i japin një trajtë tjetërfare këtij parimi, ngase nëse analizojmë me fakte na del se në Perandorinë Osmane ka pasur nëj proces integrimi për të gjithë të sunduarit, duke futur në ushtri dhe administratë osmane persona dhe grupe të ndryshme, si serbe, shqiptare, bullgare, greke etj, si për shembull rasti i vajzës së Llazarit Milevës, e cila u bë bashkëshorte e sulltan Bajazitit apo rasti i kryevezirit të Peramdorisë, Mehmet Sokolloviqi.  Andaj rënia në grackën e pohimeve dhe mëtimeve serbe të Pirro Mishës, madje edhe të Ismail Kadaresë, është triumf i propagandës serbe se vetëm shqiptarët na paskan qenë lojalë ndaj sulltanëve, se ishin ndryshe nga të tjerët. Në fakt autori i librit duke ofruar fakte bindëse dëshmon se qëllimi i plejadës së islamofobëve në mesin e kombit tonë, duke tentuar të paraqesin nacionalizmin shqiptar si të ndryshëm nga shumica shqiptare, e duke tentuar t’ia atribuojnë meritën për nacionalizmin vetëm komunitetit katolik. Po të hiqnin dorë muslimanët shqiptarë nga shqiptarësa e tyre, me gjasa nacionalizmi shqiptar sot do të ishte ndryshe, apo do të kishte në gjirin e tij hiç më shume se 300.000 frymë. Qëndrimi i këtyre islamofobëve është qëndrim joshkencor dhe jo i saktë, e si i tillë është mohues i nacionalizmit të mirëfilltë gellnerian. Edhe pse shqiptarët ishin të integruar në PO-në e atëhershme, ata u rebeluan kundër Reformave të Tanzimatit, kjo sepse  u cenonte statusin e sigurisë dhe integrimit atyre, mirëpo ky vrull shpëretheu atëherë kur shqiptarët u ndien të rrezikuar nga rritja e pretendimeve të fqinjëve ballkanikë, të cilët fitonin favore brenda Portës së Lartë, duke u bërë rrezik për sigurinë e shqiptarëe. Pra, pakënaqësia e shumicës shqiptare muslimane me favoret që u bëheshin serbëve dhe grekëve, mundësoi pakënaqësinë e tyre, e shprehur kjo edhe në librin e S. Frashërit “Shqipëria ç`ka qenë, ç`është dhe ç`do të bëhet?” Nëse lexohet si duhet kjo vepër, do të kuptohet qartë se fillesa e nacionalizmit shqiptar ishte e orientuar për mobilizimin e gjithë shqiptarëve, në një rezistencë të fortë kundër manipulimeve me ortodoksët dhe me katolikët nga ana e disa shteteve evropiane dhe nga rreziku i nacionalizmave shoven serb dhe grek. Thënë shkurt dhe troç pa ofertën e Pasho Vasës, Sami Frashërit, Abdyl Frashërit etj. dhe tolerancës së shumicës muslimane ndaj bashkëkohësve katolikë dhe ortodoksë, rrezikohej kombi shqiptar të ndahej në vija fetare. Formula e Samiut “ Perëndija, E Drejta, Kombi, Gjuha, Shqipëria, Shqiptarija” formula më e fortë e harmonise mes njësisë politike dhe asaj kombëtare. Nacionalizmi dhe projekti i Samiut, nuk anashkalon brenda tij as edhe pakicat greke, vllehe, ai relativizon statusin e tyre me pandehmën se ndoshta ata mund të kenë qenë shqiptarë, mirëpo kanë harruar gjuhën e tyre. Ai as nuk propozon asimilimin e as dëbimin e tyre. Në anën tjetër Pashko Vasa në librin e tij “La verite sur l`Albanie” (E vërteta mbi shqiptarët) skicon aspekte të jetës politike shqiptare, por duke mos theksuar askund se shqiptarët ishin ata që kontestonin legjitimitetin osman, por ata duke tentuar kompaktësinë e territoreve shqiptare nën një administratë, thjesht donin të mbronin kombin shqiptar nga aspiratat e fqinjëve. Edhe kur kanë luftuar kundër sllavëve e grekëve me flamurin e sulltanit, shqiptarët e kanë bërë këtë nga ndjenja e vetëdijisimit etnik e jo fanatizmit turkoman.

Më tej, autori me të drejtë romantizmin e nacionalizmit shqiptar e quan deformim, ngase sepse ai romantizëm përmabnte ideologji militante antiosmane, e ç`tensionuese me fqinjët, përmes ngritjes së figurës së Skëndërbeut, (rasti i Naim Frashërit, e paraprakisht edhe poezia arbëreshe e J. De Radës apo Gavril Dara I riu), ide kjo e cila e përjashton mendimin dhe i jep përparësi emocionit. Edhe pse edhe tek kombet tjera veprat artistike të romantizmit ishin projeksione imagjinare për kombin, por të racionalizuara nga mendimi politik, filozofik, sociologjik e publicistik, ndërsa tek shqiptarët u humb kjo mundësi, ngase nuk u ndjek projekti i P. Vasës dhe S. Frashërit, por u deformua dhe u degradua nga fiksioni poetik.  Edhe pse Lidhja e Prizrenit etabloi në politikën e saj projektin e mirëfilltë, ajo nuk pati sukses të përfundojë me sukses këtë mision, ngase u devijua nag idetë romantike dhe panballaniste antiosmane. Dhe jorastësisht projekti i Shqipërisë së pavarur të 1912 nuk i realizoi objektivat e nacionalizmit shqiptar të P. Vasës dhe S. Frashërit, sepse u mbështet mbi parimin e nacionalizmit që autori e quan me të drejtë, të tkurrur, dhe e devijoi këtë rrugë, e ndërsa pas kësaj kjo linjë e rilindasve u braktis, e fatkeqësisht është e braktisur edhe sot e kësaj dite.

Ndërsa copëtimi i trojeve shqiptare solli fragmentarizime, e këto pasoja i ndiejmë edhe sot e kësaj dite. Në programin e Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës, nuk përfshihej fare Çamëria. Ndërsa as edhe përpjekj e Lëvizjes Nacional-Demokratike Shqiptare, e cila u shpartallua shumë shpejt, ndërsa as përpjekjet e grupeve irredentiste të majta, që vepronin nën ideologjinë e marksizëm-leninizmit, nuk ishin projekte gjithpërfshirëse.

Në fazën e fundit që është një argument shumë i fuqishëm dhe që dëshmon intelektualizmin dhe seriozitetin e autorit në fjalë, as edhe Kosova e Pavarur dhe rebelimet shqiptare nuk janë projekte nacionaliste por antinacionaliste, sepse janë pranuar kushtet e mosbashkimit të Kosovës me ndonjë shtet tjetër (Shqipërinë) dhe respektimet e integriteteve territoriale të shteteve përkatëse ballkanike. Pra nacionalizmi shqiptar sipas autorit nuk është as themelues e as ndërtues i Kosovës, ndërkaq asnjë projekt i asnjë partie (përjashto këtu Vetëvendosjen e cila e ka ideologjizuar projektin e nacionalizmit shqiptar). Mandej shmangia e Çamërisë dhe pjesëve të tjera, vetëm dëshmon tkurrjen e idesë së nacionalizmit shqiptar të ravijëzuar nga rilindasit.

Autori më tej analizon shkëlqyeshë nacionalizmin shqiptar dhe faktorin gjuhësor, me ç`rast zhvesh mite dhe sajesa të shpikura, duke i vënë në prizmin e vërtetë shkencor. Edhe tentativat e paraqitjes së të kaluarës së lavdishme pellazgo-ilire (ndonëse për këtë nuk ka burime të besueshme shkencore), edhe përpjekjet e disave syresh për të defokusuar vëmendjen nga gabimet e vërteta të devijimeve të nacionalizmit shqiptar, duke aluduar se fajtor për zhdukjen e nacionalizmit shqiptar ishte pushtimi osman, ngrysja brenda natës në Azi, apo Islami si fe universale, autori i sheh si përpjekje joshkencore diletanteske. Ai i kundërvihet me thënien e Regjinaldit Hibert “shqiptarët populli më i vjetër i Evropës, vendet e tyre shtetet më të reja të Evropës. Të jesh kaq i vjetër dhe kaq i ri njëkohësisht, është njafarë fati i keq”.

Krejt në fund, autori kthimin në pikën 0 e sheh të pamundur, ngase tanimë ekzistojnë shtete kombëtare të grekëve serbëve, bullgarëve, maqedonasve. Nacionalizmi shqiptar meqë nuk i ka realizuar ambiciet e veta në kohën e duhur, tanimë nuk mund të realizojë mekanikisht qëllimet e tij, të devijuara me (pa) hir nga protagonistët. Nacionalizmi shqiptar sipas autorit, nuk duhet të insistojë përmirësimin e padrejtësive historike, sepse një përpjekje e tillë e dimë ku e dërgoi Serbinë në tre luftërat e humbura dhe me bombardime nga NATO. Por, autori ofron rrugë dhe trase. Kjo rrugë është që nacionalizmi shqiptar të bëhet fanar i ruajtjes së vlerave plurale të kombit, jo si nxitës i ndryshimit të kufijve me dhunë, por i negocimit të këtij procesi, duke preferuar modelin e ribashkimit gjerman të vitit 1990, duke ofruar zhvillimin e identiteti dhe kulturës kombëtare, integrimit më korrekt brendakombëtar, ndërsa theks të veçantë sipas autorit, duhet vënë tolerancës ndërfetare, e cila tolerancë vijat ndarëse do t`i eleminonte, nga shkëputja e ëndrrallave pa mbulesë për ndryshimin e së kaluarës, por në respektimin e realitetit të sotshëm, krejt kjo duke zbutur të kaluarën që nuk mund të ndryshohet, dhe duke  e kthyer atë në favor të së sotshmes, e kësisoj edhe të së ardhmes.

Për në fund mund të shtoj se thënia e Sokratit “gnothi seauton”, njihe veten, por edhe porosia profetike “Kush e njeh veten, pa dyshim se njeh edhe Zotin e vet”, është më shumë se ftesë, është kërkesë për refleksion, na gërget dhe ngacmon në racionalitet. Libri i autorit Milazim Krasniqi është libër monumental, i cili na bën kërkesë të njohim veten si duhet, duke reflektuar, si dhe duke i`u ofruar auditorit shqiptar një gnoseoterapi (shërim por përmes dijes), apo një eliksir, nga dehjet eventuale të thurrjes së lavdeve të paqena apo si pararojë e miteve antemurale (miteve të mbrojtësve të qytetërimit).

Mr. Ardian Ramadani – profesor, përkthyes, publicist dhe autor i katër librave

Tags

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close