Shpërthen Shkupi, nënshkruan me Asanin e Renovës

Skuadra kampione e Ligës së Dytë të Maqedonisë, Shkupi ka vazhduar me përforcime, duke sjellë dhe një futbollist shumë me perspektiv. Pas Miran Maksutit, për skuadrën nga Çairi ka nënshkruar mbrojtësi 21 vjeçar Ersen Asani, i cili vjen nga ekipi i Ligës së Parë, Renova nga Gjepçishti.

“Pas negociatave me disa ekipe të Ligës së Parë , vendosa që të vij në Shkup.  Që në ditët e para kam shijuar atmosferën dhe kjo më ka bërë të kuptoj se ka një mjedis shumë të përshtatshëm me një trajner shumë të mirë dhe me një staf organizativ që i din caqet e rezultateve të larta. Edhe pse ekipi gjendet në Ligën e Dytë, lirisht mundë të them se ua kalon shumë ekipeve që janë në Ligën e Parë të Maqedonisë”, ka thënë Asani.

Kryetari Ejup Ademi dhe Ersan Asani
Kryetari Ejup Ademi dhe Ersan Asani

Mbrojtësi shtatëlartë është edhe anëtar i rregullt i reprezentacionit U21 të Maqedonisë dhe gjatë sezonit vjeshtor të Ligës së Parë ishte shtyllë e mbrojtjes te ekipi i Renovës.

“Te ekipi i Shkupit kam disa lojtarë që kemi luajtur më herët në Renovë, siç janë kapiteni Suat Zendeli dhe zëvendës kapiteni Muharrem Bajrami. Mua si futbollist më mbetet të jap maksimumin dhe të angazhohem për këtë klub të madh, që ka dhe një armatë të madhe të tifozerisë së zjarrte, “Shvercerat”, të cilët i përshëndes duke ju premtuar suksese të përbashkëta.  Dëshiroj publikisht që të falënderoj ekipin e Renovës, ku kam filluar futbollin si fëmijë, pasi me ta kam luajtur për të gjitha grupmoshat”, ka thënë në fund përforcimi i ri i Shkupit Asani.

Ditë më parë Shkupi kishte sjellë Miran Maksutin si përforcim në sulm. Asani dhe Maskuti kanë nënshkruar kontratë një vjeçare me klubin me mundësin për ti vazhduar ato. / Portalb /

Lajme të ngjashme

Back to top button