Selmani: Hipokrizia e Qeverisë, dënon sulmin ndaj “Charlie Hebdo”, vet robëron mediat tona

Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, (SHGM), Naser Selmani e ka cilësuar si hipokrit reagimin e Qeverisë së Shkupit në lidhje me ngjarjet në Paris.

Ai ka shkruar në Facebook se është hipokrizi që Qeveria të vlerësojë sulmin ndaj “Charlie Hebdo” si sulm ndaj lirisë së shprehjes, në të njëjtën kohë kur është përgjegjëse për cenimin e kësaj lirie në vend.

“Kisha ndjenja të përziera kur e lexova reagimin e MPJ-së me rastin e vrasjes së gazetarëve francezë në Paris. Një pjesë e reagimit, ku dënohet ekzekutimi dhe shprehet keqardhje për viktimat dhe solidaritet me popullin francez, m’u duk i sinqertë dhe njerëzor. Por këtë ndjenjë nuk kisha kur lexova fjalinë e parafundit të reagimit, ku MPJ vlerëson sulmin si akt barbar që ka për qëllim të shtypë lirinë e mendimit dhe demokracinë. Jam i sigurt se shkruesit e këtij reagimi janë ndjerë në siklet, sepse janë të vetëdijshëm se askush nga ne nuk beson se ky pushtet mbështet lirinë e mendimit dhe demokracinë”, ka shkruar Selmani.

Lajme të ngjashme

Back to top button