fbpx

SUNDUESI, ROBI DHE NJERIU I LIRË

Kur dashuria për lirinë zëvendësohet me dashurinë për robërinë e dhunën, atëherë ndodh tradhtia.

Një mendim sa universal, po aq aktual prej mendimtarit të lirisë, Nikolaj Berdjajevit (1874-1948), kundërshtarit të tiranisë, e cila e ngulfat çdo formë lirie.

Berdjajevi, i konsideruar në qarqet kulturore europiane si gjeni, por i fyer në atdheun e tij, ish-Bashkimin Sovjetik, u quajt “filozof ekzistencialist”, “mendimtar religjioz”, “Hegeli rus”, “mendimtar kontradiktor”, teksa ai thoshte se ishte vetëm “filozof i shpirtit”.

Idetë e tij mbi lirinë e robërinë njerëzore janë aktuale për kohën e hapësirën tonë, ku gjithnjë po humb kuptimi mbi lirinë.

Berdjajevi mund të na ndihmojë që ta kuptojmë thelbin e lirisë e robërisë njerëzore, pa pretendimin se flet për një të vërtetë absolute.

Po i referohemi mendimtarit sepse ndajmë bindje të ngjashme me të në këtë drejtim. Duke i bërë lexim veprës së tij, në fakt e lexojmë vetveten.

Berdjajevi na thotë se liria gjendet në shpirtin e njeriut dhe realizohet duke e krijuar. Ne e fitojmë lirinë duke menduar, duke qenë aktiv e dinamik. Pa aktivitet shpirtëror njeriu nuk është i vërtetë, i realizuar dhe i lirë. Megjithatë, të paktët e realizojnë lirinë e tyre nëpërmjet krijimit. Shumica e njerëzve janë qenie kundërthënëse dhe në konflikt me vetveten. E kërkojnë lirinë, por edhe robërohen lehtë. Bile e duan robërinë. E duan sepse është gjendja pasive.

Mendimtari i njohur njeh tri gjendje njerëzore, tri struktura njohjeje: “Sunduesin”, “Robin” dhe “Njeriun e lirë”.

Sunduesi dhe Robi s’bëjnë dot pa njëri tjetrin. Njeriu i lirë është vetvetja.

Sunduesi ekziston vetëm për vete nëpërmjet robit. Robi ekziston për tjetrin. Njeriu i lirë është vetëdije që e dëshiron ekzistimin e të gjithëve. Ai është qenie aktive dhe e mposht robërinë nëpërmjet aktivitetin krijues, ashtu sikurse Prometheu – shpirti i lirë kundrejt tiranit e tiranisë.

Tirani është rob dhe robërues, njëkohësisht. Sipas Berdjajevit robërimi i tjetrit është robërim i vetvetes. “Sunduesi është vetëm imazh i robit”.

Për Berdjajevin çdo vullnet për pushtet është vullnet robi, që shpie drejt tiranisë, kurse tendenca e tiranisë është e përhershme, sepse njeriu në esencë është tiran, qoftë në masë të madhe ose të vogël.

“Nëse jo në shtet, nëpër rrugët e historisë botërore, atëherë në familjen e tij, në punëtorinë e tij, në zyrën e tij, në punën e tij burokratike, ku ai merr një funksion të vogël”.

Njeriu priret për ta tiranizuar rrethin. Ai synon ta sundojë tjetrin, por me të njëjtën forcë e robëron vetveten. Vetëm Njeriu i lirë nuk sundon askënd. Nuk dëshiron që të jetë sundimtar. Duke qenë i këtillë, thotë Berdjajevi, ai nuk dëshiron të dëshmohet para askujt: as para historisë, as para fisit, as para revolucionit, aq më pak para turmës. Për të turma nuk është cilësia, por sasia.

Për Njeriun e lirë robërit nuk mund të përgatisin mbretëri të re. Çdo kryengritje e robërve prodhon forma të reja robërie.

Për Njeriun e Lirë fitorja mbi robërinë është akt shpirtëror, kreativ, human dhe sakral.  Prandaj Njeriu i lirë asnjëherë nuk mund të jetë as Rob, as Sundues.

Sipas Berdjajevit, shteti dhe shoqëria priren drejt totalitarizmit. I porosisin krijuesit kulturor dhe u kërkojnë shërbime. Krijuesit e kulturës, si qenie të lira, përherë e mbrojnë me mundim lirinë e tyre. Sa më shumë ndodh unifikimi i shoqërisë, aq më të mundimshme janë përpjekjet e tyre. Sa më tepër ndjehet triumfi i forcës mbi të vërtetën dhe mbi vlerat, aq më vështirë mbrohet liria. Triumfi i monizmit, si sundim i “të përgjithshmes”, abstraktes, shpie drejt mohimit të personalitetit dhe të lirisë, sepse, sipas Berdjajevit, personaliteti dhe liria ndërlidhen me pluralizmin.

Personaliteti është kundërshtar i robërisë, ai është i lirë përbrenda qenies së tij, për dallim prej egocentrikut, që është qenie e robëruar dhe që robëron të tjerët, kurse burimi i robërisë së tij është i brendshëm.

Kur njerëzit e kulturës nisin t’i shërbejnë shtetit, duke mbrojtur gënjeshtrat e tij, atëherë dashuria për lirinë zëvendësohet me dashurinë për robërinë e dhunën. Kjo do të thotë se ndodh tradhtia.

Mjerisht, në kohën tonë kemi gjithnjë e më shumë robër e një sundues dhe gjithnjë e më pak njerëz të lirë.

Nëse vazhdojmë t’i referohemi edhe më tej këtij mendimtari do të jemi gjithnjë e më të trishtuar…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button
Close