BDI-ja nuk mendon të rishqyrtojë koalicionin me VMRO DPMNE-në

BDI-ja nuk mendon të rishqyrtojë koalicionin me VMRO DPMNE-në, pavarësisht dështimit të pikës së vetme të marrëveshjes për koalicion, integrimin e Maqedonisë në NATO dhe fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE. Partia e Ahmetit do të thërret Kongres tematik në fund të shkurtit ose gjatë marsit të këtij viti, për të shqyrtuar hapat e mëtejshëm lidhur me integrimet. Largimi nga koalicioni, që duhej të kishte afat 6 mujor, nuk do të jetë ndër alternativat që do të shqyrtohen në Kongres, transmeton Alsat .

“Vendimi final për të çuar tutje proceset integruese do të sillen në kongresin tematik i cili do të mbahet së shpejti, për shkak se konsiderojmë se integrimi në NATO është i rëndësishëm jo vetëm për sigurinë, por edhe për mirëqenien e vendit dhe rajonit në përgjithësi”, deklaroi Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.

Duke folur për dështimin e integrimeve, zëdhënësi i BDI-së Bujar Osmani numëron disa faktorë që sipas tij kanë penguar integrimin e vendit në strukturat veri-atlantike. Ndër më të rëndësishmet përmenden krizat e ndryshme të sigurisë nëpër botë.

“Zvarritjet eventuale në implementimin e platformës së saj janë rezultat i ndikimit të faktorëve të brendshëm dhe të jashtëm. Mungesa e dialogut politik si rezultat i bojkotit të opozitës, mospajtimet edhe brenda koalicionit, që ndonjëherë janë edhe më të thella se mospajtimet pozitë-opozitë në kushte të zakonshme, por edhe ndodhitë me sigurinë globale të cilët defokusojnë interesimin e komunitetit ndërkombëtarë për Maqedoninë kontribuojnë në këtë zvarritje”, u shpreh Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.

Lajme të ngjashme

Back to top button