Inteligjenca Artificiale do të na shkatërrojë?

Frika e Stephen Hawking. A duhet të shqetësohemi?

Makina që u kthehen kundër krijuesve të tyre. Kjo ka qenë një temë popullore në libra e filma për dekada të tëra, por njerëz shumë seriozë kanë filluar ta marrin me shumë seriozitet këtë temë. Fizikanti Stephen Hawking thotë se “zhvillimi i inteligjencës së plotë artificiale mund të shpejtonte fundin e racës njerëzore”. Themeluesi i Tesla Motors dhe SpaceX sugjeron se lnteligjenca Artificiale është ndofta “rreziku ynë më i madh ekzistencial.”

Ekspertë të Inteligjencës Artificiale thonë se ka arsye të mira për t’i vënë veshin frikës së shprehur nga mendjet e mëdha si Hawking dhe Mus k- dhe të bëjmë diçka, për sa ka ende kohë.

Hawking i bëri komentet e tij më të fundit në fillim të dhjetorit, në përgjigje të një pyetjeje rreth një rinovimi të teknologjisë që ai përdor për të komunikuar. Ai mbështetet në paisjen pasi vuan nga një sklerozë amitrofike anësore, një sëmundje që ndikon aftësinë e lëvizjes dhe të folurit.

Musk e ngriti alarmin për inteligjencën artificiale gjatë Simpoziumit të 100-vjetorit të departamenteve të Astronautikës së MIT (Massachussets Institute of Technology) duke e përngjasuar Inteligjencën Artificiale me “thirrjen e djallit”. Ai kishte shkruar në Tweeter se Inteligjenca Artificiale ishte “ndoshtamë e rrezikshme sesa armët bërthamore.”

Ngjarja që Hawking dhe Musk i tremben është “singulariteti” – kur makineritë t’ia kalojnë njerëzve në inteligjencën e përgjithshme, dhe jo thjesht kur na mundin në detyra si loja e shahut ose Jeopardy, siç kanë bërë tashmë.

Vepra popullore të letërsisë fantastiko-shkencore – nga traileri i fundit i Terminatorit, tek trilogjia Matriks, apo Star Trek-u, parashikojnë që përtej asaj ngjarje historike të pakthyeshme, makinat do të shkatërrojnë, skllavërojnë ose do të na asimilojnë, thotë shkrimtari fantastiko-shkencor Robert J. Sawyer.

Sawyer ka shkruar rreth një vizioni të ndryshëm të jetës përtej singularitetit – një në të cilin makinat dhe njerëzit punojnë së bashku për dobinë e tyre reciproke. Por ai bën pjesë në nja dy komitete në Fondacionin Lifeboat, një grup jofitimprurës që shikon kërcënimet e të ardhmes për ekzistencën e njerëzimit, duke përfshirë ato të paraqitura nga “përdorimi i mundshëm i teknologjive të fuqishme” siç janë Inteligjenca Artificiale. Ai tha se Hawking dhe Musk kanë arsye të forta për t’u shqetësuar.

“Sapo të mos kemi avantazhin intelektualisht, atëherë ne tamam fjalë për fjalë, nuk mund t’ua kalojmë pasardhësve tanë”.

Alan Mackworth, i cili drejton katedrën e Kërkimeve Kanadeze për Inteligjencën Artificiale në Universitetin e Kolumbisë Britanike, mendon se Hawking dhe Musk janë “paksa tepër dramatikë,” por kanë të drejtë të vënë alarmin dhe të nxisin diskutimin e publikut.

Ai thotë se Inteligjenca Artificiale ka dalë nga letërsia fantastiko-shkencore dhe në botën reale, në formën e teknologjive siç janë veturat vetëlëvizëse të Google-s, roboti Watson i IBM fitues i Jeopardy, dhe numri në rritje i kompjuterëve të paraqitur me sukses si njerëz në Testin Turing (i cili ekzaminon aftësinë e një makinerie për të ekspozuar sjelljen inteligjente që nuk mund të dallohet nga ajo e njeriut, si të paturit e një bisede rastësore me një person.)

Mackworth shpiku robotët e parë që luajnë futboll. Ai është duke zhvilluar teknologjinë e Inteligjencës Artificiale për karrike me rrota të motorizuara, për të ndihmuar njerëzit me demencë të lëvizin. Ai thotë se makinat janë akoma larg të qënit të afta të nisen vetë.

Ushtria në ballë të zhvillimit të Inteligjencës Artificiale

Por ai shqetësohet rreth përdorimit të tanishëm të Inteligjencës Artificiale për të zhvilluar teknologji ushtarake, si armët autonome dhe dronet gjysëmautonome. “Kjo teknologji është shumë shumë e fuqishme dhe ne duhet të ndërtojmë masa mbrojtëse në të,” tha ai.

Mackworth sugjeron se rregullimi i inteligjencës artificiale mund të kërkojë traktate ndërkombëtarë dhe kode etike për projektuesit e robotëve, të ngjashme me ato të cilave inxhinierët u binden.

Zbatimi, gjithsesi mund të mos jetë aq i lehtë. Ai kërkon teknologjinë për të verifikuar çfarë një robot mund të bëjë dhe mund të mos bëjë, kur krahasohet me specifikimet e veta – diçka si zhvillimi i ulët, por kjo ende nuk ekziston.

Sawyer mendon se me qëllim që të ruhen njerëzit nga rreziqet potenciale që paraqet Inteligjenca Artificiale, zhvillimi i teknologjisë ka nevojë të jetë i hapur në vende si universitetet publike, dhe jo brenda agjencive ushtarake. “Duhet të mos ketë asgjë të klasifikuar rreth këtij kërkimi,” tha ai. “Në momentin kur ju uleni përballë kompjuterit dhe kompjuteri juaj thotë: “Mirëmëngjes, unë jam përgjegjësi tani, atëherë është shumë vonë”.

E ndërsa ai moment mund të jenë dekada ose edhe shekuj larg, Sandra Zilles, e cila drejton një katedër të kërkimeve Kanadeze në Teorinë e Nxënies së Llogaritjeve në Universitetin e Rexhinës, thotë se makinat janë pothuaj të afta të mësojnë disa gjëra më të shpejta sesa njerëzit, dhe mund të riprogramojnë veten për të kryer detyra të caktuara me më shumë efikasitet.

Ajo vë re që përveç ushtrisë, kompani të mëdha teknologjike si Google dhe Apple janë gjithashtu në ballë të kërkimit të Inteligjencës Artificiale, dhe kjo gjithashtu ka pasoja. “Ata mund të orientojnë zhvillimin e teknologjisë në një drejtim që është më i dobishëm për ta,” tha ajo, “por ndofta jo më i dobishmi për njerëzimin.”

Makinat bashkëpunëtore?

Megjithë të ardhmen e errët që ka parashikuar letërsia fantastiko-shkencore, të dy, Mackworth dhe Sawyer shohin mundësi më të mëdha. Mackworth thotë se ai nuk është me të vërtetë i shqetësuar për makinat që na kthehen kundër, pasi njerëzit tipikisht projektojnë makineri si zgjatime dhe mjete të mendjeve tona. “Ne duhet të sigurohemi se këto makina janë ndërtuar të bashkëpunojnë me ne dhe jo të jenë totalisht autonome.”

Sawer parashikon makina superinteligjente me ndërgjegje të re duke bashkëpunuar me njerëzit në triologjinë e tij letrare “Wake, Watch and Wonder”. Ai debaton se makinat janë duke u zhvilluar në një ambient që është shumë më i ndryshëm sesa përzgjedhja natyrore që çoi në evolucionin e njerëzve. “Të gjitha gjërat që na bënë neve të “këqinj”, grabitqarë, konkurues si specie, nuk janë domosdoshmërisht të ngulitura në ADN apo AI”, thotë Sawyer. “Ka arsye për të menduar që ata do të ishin thellësisht ndryshe psikologjikisht nga ne, dhe ajo psikologji mundet shumë mirë t’i bëjë të prirur të jenë altruistë, dhe jo konkurues të dhunshëm, si jemi ne”.

Thënë kjo, ai nuk është gati të vendosë të gjitha paratë si “bast” për vizionin e tij. “Unë nuk dua të them, ‘Mos u shqetësoni,’ sepse njëri nga ne ka të drejtë – unë ose Stephen Hawking. Edhe unë do të vija “bast” për Hawking./CNBC

Lajme të ngjashme

Back to top button