Rama: Mbi 1600 institucione shtetërore s’paguajnë kontributet

Më shumë se 1600 institucione shtetërore, nuk kanë paguar kontributet e sigurimeve shoqërore për punonjësit e tyre, në qeverisjen e kaluar.

Pjesë e punonjësve të administratës që punonin në të zezë ishin edhe vetë inspektorë të Inspektoriatit të Punës të cilët ishin të angazhuar nga shteti për të kontrolluar pagesën e kontributeve.

Por ishin dhe punonjës të ALUIZNI-t, ujësjellësa, spitale, por edhe degë ushtarake të ministrisë së Mbrojtjes.

Ishte vetë kryeministri Edi Rama i cili sot denoncoi skandalin duke shtuar se të gjithë ata që kanë abuzuar nuk do të rrinë pa u ndëshkuar dhe I kërkoi prokurorisë hetim rrënjësor.

Kreu i qeverisë, Edi Rama zhvilloi sot paradite një takim në selinë e Kryeministrisë në fokus të të cilit ishte skema e re e pensioneve dhe çështja e kontributeve shoqërore.

Edi Rama: “Nëpunës të inspektoriatit të punës të paguar nga taksat shqiptare dhe të angazhuar nga shtetit shqiptar për të kontrolluar mbarëvajtjen në funksion të mbledhjes së sigurimeve shoqërore ishin vetë të pasiguruar. Imagjinoni njerëz të inspektoriatit të punës që u shkonin derë më derë të tjerëve për të bërë kontrolle nëse punonjësit ishin të siguruar, kontributet e tyre për pensionin nuk i kishin të derdhura. Inspektorë të punës së shtetit që punonin në të zezë.

Institucione të tëra, që nga ALUIZNI, ujësjellësa, spitale, dhe me radhë, plot 1600 e kusur institucione shtetërore që nuk paguanin sigurimet e punonjësve, apo që më keq me sigurimet e disa jepnin rroga për disa të tjerë të cilët i fusnin në punë për fushata elektorale dhe nuk i paguanin sigurimet.

Punonjës të siguruar me ligj por jo me Maliq, ktheheshin në punonjës në të zezë, dhe ata që merrnin kujtonin se paguheshin. Ky është një krim ekonomik ashtu siç është një batërdi keqeverisëse sepse natyra e kësaj grabitjeje së skemës së pensioneve është e shumëfishtë

Jo në të gjitha rastet është bërë për qëllime elektorale apo korruptive. Edhe në rastet kur grabitja është bërë për paturpërsinë e një shteti që nuk respekton ligjet e veta si rasti i institucioneve të ushtrisë, Shqipëria e NATO-s, është bërë për mungesë fondesh sepse paratë që duhej tu jepeshin ushtarakëve që janë pjesë e NATO-s merreshin e çoheshin për ato rrugë të mbetura rrugëve që janë një tjetër lak në fytin e Shqipërisë dhe mezi po i mbarojmë pak e nga pak duke i duruar dhe shpotitë e njerëzve që ankohen, se kjo rrugë s’po mbaron, pasi këtu hap një gropë për të hapur një gropë, merr nga një gropë dhe zgjeroje, për të shkuar për të hapur një gropë thjetër. Kjo është Shqipëria e viteve të shkuara. Ne nuk do t’i ndahemi as atyre të cilët kanë abuzuar dhe ministria ka ngritur grupin e vet të posaçëm për të depozituar pranë prokurorisë të gjitha të dhënat dhe prokuroria do të hetojë, duhet, dhe besoj se do e bëjë këtë në mënyrë të imtësishme në të gjitha nivelet e kësaj grabitjeje. ”/sg/oranews.tv/

Lajme të ngjashme

Back to top button