Zjarr në metronë e Uashingtonit, 1 e vdekur, 84 persona përfundojnë në spital

Një person ka humbur jetën, ndërsa 84 të tjerë janë shtruar në spital pasi janë asfiksuar nga tymi i përhapur pas rënies së një zjarri në metronë e Uashingtonit.

Një pasagjere femër, e cila ishte në një prej vagonëve të një treni, u asfiksua dhe ndërroi jetë në spital, pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme për t’i dhënë asaj ndihmën e parë. “Washington Post” raporton se dy persona të tjerë ndodhen në gjendje të rëndë në spitalin “George” në Uashington, ndërsa rreth 40 udhëtarë janë dërguar me autobus në spitalin universitar “Howard”.

Për rreth 40 minuta udhëtarët e një treni janë përfshirë nga paniku në përpjekje për t’u larguar, ndërsa i bëhej thirrje për të qëndruar të qetë.

Një prej pasagjerëve ka thënë për “Washington Post”: Njerëzit ishin në panik total. Ne nuk dinim si të vepronim pasi nuk kishim shumë informacione. Kemi qëndruar për rreth 40 minuta të bllokuar.

Shkaqet e rënies së zjarrit në metro janë ende të paqarta, ndërsa si pasojë e kësaj ngjarjeje u shkaktuan probleme të mëdha në sistemin e metrosë. Një numër i madh linjash ndaluan shërbimet e tyre deri në ventilimin e tymit nga tunelet. / TCH

Lajme të ngjashme

Back to top button