Kusari-Lila: ​Qeveria të marrë masa ndaj Jabllanoviqit

Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, ka kërkuar nga kryeministri Isa Mustafa të marrë masa ndaj ministrit Aleksandër Jabllanoviq, i cili ditë më parë i ka fyer qytetarët e Gjakovës.

Ajo ka thënë në një intervistë për “Epokën e re” se, së pari është dashur të bëhet një kërkimfalje zyrtare nga Qeveria e Kosovës, përkatësisht kryeministri Mustafa, për krejt ata qytetarë të cilët janë ndjerë shumë të lënduar nga deklarata fyese e Jabllanoviqit.

“Pa dashur të përzihem në kompetencat e nivelit qendror, mendoj se qeveritarët është dashur të dalin me një sqarim të mirëfilltë deri më tash. Mirëpo, si duket, tendenca është që kjo sfidë të kalohet në heshtje. Kjo është në kompetencë të kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa. Ai është që vendos. Por, gjithsesi duhet të ndërmerren masa ndaj ministrit Aleksandar Jabllanoviq”, ka thënë Kusari-Lila.

Po ashtu, sipas saj, edhe ministri Jabllanoviq është dashur t’u kërkojë falje jo vetëm qytetarëve të Gjakovës të cilët i ka fyer, por gjithë popullit të Kosovës për krimet që i ka bërë Serbia në Kosovë.

Kusari-Lila ka thënë se është në kompetencë të kryeministrit Mustafa nëse do ta shkarkojë Jabllanoviqin.

Lajme të ngjashme

Back to top button