Tolerantënt që nuk tolerojnë

Shkruan: Granit Ajdini, Preshevë

Para se t’më fyeni, ju lutem që në emër të tolerancës në të cilën ju thirreni, t’më toleroni për shkrimin dhe të mos më paragjykoni si një trushpërlarë, që aq shpesh e cekni nëpër analizat tuaja.

Ja, që ndodhi ky krim në Francë, e, i erdhi rasti prapë të flasin analistët për terrorizmin islamik ,tituj që kishin zënë të zbeheshin pas lirimit të hoxhallarëve që dolën të pafajshëm. E po s’kishte më çfarë të shkruhej, sepse u shkrua aq shumë, sa më dukej se shkrimet ishin shkaku kryesorë që ata t’i arrestonin! E, kur gjykata e pa se faktet prej gazetarëve nuk merren, atëherë vendosën t’i lirojnë. Kurse publiku fatmirësisht e pa se pikërisht këta hoxhallarë ishin ata që thërrisnin më shumë se të gjithë, të mos shkohej në luftën e Sirisë. E për kuriozitet lirimi i tyre kaloi në heshtje prej mediave të cilat e informonin publikun, edhe për detaje si për shembull se çfarë kafe pinin “Kryeterroristët e Kosovës”!

Sulmin në Francë e dënuan të gjithë pa përjashtim, edhe myslimanët, në mesin e tyre jam edhe unë. Po, sepse kështu më mësuan ata që ma shpërlanë trurin, se feja Islame nuk i lejon vrasjet dhe se për çdo qëndrim ndaj atyre që bëjnë blasfemi mirret një shtet me juridiksion islam, dhe jo individët.

Disa Shqiptarë, analistë, desh u çmendën, dikush vendosi ta ndërroj mbiemrin, dikush mbiemrin bashkë me emër, e dikush e ndërroi edhe fenë. Për dallim nga mediat perëndimore që ndonjë analist prej tyre nuk justifikonte provokimet e ‘’Charlie Hebdo’’ dhe mbronte islamin si fe e paqes, këta “tanët” që ndoshta edhe baballarët i kanë haxhinjë, se ç’u prekën rëndë nga ky rast, e solidarizoheshin edhe me ndërrim feje! Nuk po i arsyetoj vrasjet, assesi, por s’po mundem t’i arsyetoj edhe këta “tanët” që me çdo kusht mundohen t’ia lënë fajin islamit. Të njejtit ishin këta që kur hoxhë Irfan Salihu i quajti lavire femrat e ç`virgjëruara (pa kurorë), këta nuk thanë se hoxha ka drejtë të shprehet si të dojë në emër të shprehjes së lirë.
Ju i dini reagimet e atyre që shkruajnë zakonisht më së shumti për këto tema. Prej atyre pati që shkuan në Bashkësinë Islame, disa gra deputete, duke thënë mbylljani gojën këtij hoxhe që nxitë “urrejtje ndaj gjinisë femrore”, urrejtje ndërfetare”, “urrejtje racore”, e ku e di se sa “urrejtje” ia numëruan. Ju e dini më mirë se sa analiza u shkruan prej këtyre ”tolerantëve”, që të gjithë i tolerojnë përveç Hoxhës. Këta nuk tolerojnë që hoxha të përzihet as në politikë, sepse e kundërshtojnë me teoritë e tyre për islamin politik. Të gjithë munden të flasin përveç hoxhës dhe atyre që i shkojnë pas.

Më tregoni a fjalët e hoxhë Irfan Salihut ishin më të rënda, apo karikaturat e atyre që lëndonin ndjenjat e çdo myslimani në planetin tokë, që këta “tanët” i justifikojnë në emër të fjalës së lirë. “Charlie Hebdo” ka të drejtë të fyej profetin Muhamed, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, kurse Shefqet Krasniqi s’ka të drejtë të e fyej Nënë Terezën. Në shkollat tona bënë të vendosin kapela të babadimrit dhe t’iu shpërndahen dhurata në kohë Krishtëlindjesh, kurse imami nga Morina që e dëbuat nga Kosova nuk bënte t’u jap ndonjë mbulesë vajzave të vogla. Dhurata janë të dyjat, ju mund t’i thoni si të doni. Për të mos e harruar edhe këngëtarin preshevar Gold Ag, që s’latë gjë pa i thënë, duke e marrë në pyetje në polici pikërisht për lirinë e shprehjes që ju aq shumë e përdorni këto ditë. 

Tani ju o analistë, ose justifikojini edhe besimtarët meqenëse me vonesë, ose thuani se liria e shprehjes jo çdo herë është e drejtë. Per hirë të drejtësisë, për hirë të mos trushpërlarjes ndaj njerëzve. Me siguri prapë do të këmbngulni të na fyeni në emër të fjalës së lirë, dhe kur myslimanët reagojnë s’kanë si quhen ndryshe, pos ekstremistë dhe trushpërlarë, kësisoji si puna ime.

Lajme të ngjashme

Back to top button