Lamtumirë sovjetizëm, tungjatjeta putinizëm!

Për djathtizmin e një partie maqedonase kjo është shumë e natyrshme, por për majtizmin dhe kult-majtizmin e lidershipit të partisë shqiptare në pushtet kjo është një vetëshkatërrim i vetëshkatërruesve do të kishte thënë Averroesi. Kujto se kur thonë këtë, pra desovjetizimin si shkak të mbështetjes së stemës, 99 % e zemrës së ideologëve të kësaj partie s’ndjehen mirë, sepse sovjetiku i dikurshëm ka qenë vlera sublime e kohës dhe e së ardhmes.

Ditëve të fundit një nga temat më të nxehta në Maqedoninë e tranuar sociologjikisht, madje një çështje që diskutohet nga rrjetet sociale, qarqet e kultura masovike, deri te ato të shkencës është, stema e re e pakuorëzuar e RM-së, që u tentua që përmes një grushteti mendor apo kontrabandimi qeveritar arbitrar (shverc-komerc – Shasivari – nga gjermanishtja Schwarzung, nxirje, kontrabandim) të na shitej si risi, revolucion i shtetndërtimit, si ikonë përafruese, konsensuale, kreative dhe deideologjizuese. Edhe qeveria, d.m.th. VMRO-DPMNE, e shoqëruar me një BDI të paqenë, realizuan një proces të pasuksesshëm të racionalizimit të irracionales. Këto dy subjekte, partia shtet ose shtet-partia dhe hijepartia na dhanë këto arsyetime lidhur me një përfaqësim kolektiv, siç do ta kishte quajtur Durkheimi, stemën, një simbol që është pjesë e asaj që quhet (vetë)dije e përbashkët kulturore, sociale dhe politike. Hapat drejt asaj që e kemi anticipuar në një artikull para dhjetë muajsh po bëhen me të madhe: “Partitokracia: VMROLAND”. Të përkujtojmë prononcimin e qeverisë dhe të partisë shqiptare në pushtet lidhur me luanin: (1)“Stema aktuale e Republikës së Maqedonisë është tërësisht e disejnuar sipas stemës së Bashkimit Sovjetik, sipas të cilit janë dizajnuar edhe stemat e të gjitha Republikave Sovjetike. Elementet e diellit, yllit me pesë cepa, kallirit të grurit të lidhur me shirit me motive popullore, e simbolizojnë shoqërinë e komunizmit e cila arrihet përmes punës së klasës punëtore dhe bujqve.” (2) “Kryesia Qendrore në përbërje të zgjeruar, me përfshirje edhe të deputetëve dhe ministrave, debatoi rreth iniciativës për ndryshimin e stemës së shtetit, me ç’rast u konstatua nevoja për ndryshim të stemës aktuale që do të paraqes shkëputje përfundimtare nga e kaluara komuniste dhe nga ndikimi sovjetik në simbolet e shtetit si dhe do të reflektojë orientimin tonë perëndimor në përputhje me përcaktimet tona strategjike për integrim euro-atlantik. Me këtë rast, u theksua nevoja për konsultim më të gjerë shoqëror me përfshirje të ekspertëve të fushës heraldike dhe historisë”.

Një analizë përmbajtjes e këtyre dy teksteve na shpie në konstatimin se entitetet në fjalë kanë komplekse të rënda lidhur me identitetin, me përkufizimin e vetes, shtetit dhe probleme të semantizimit të një vlere vizuale estetike që nga njëra parti ka një thelos të qartë, një teleologji, synim-politikë largpamëse, sllavomaqedonizim i shtetit dhe i hapësirës jetike, ndërsa te subjekti shqiptar implikon një miopi nën detyrim, një absurd tejabsurdizues. Shprehjet që ngërthen diskursi i kompozicionit qeveritar, si motivet popullore, klasa punëtore, komunizmi, ndikimi sovjetik e të tjera, flasin për një ritabuizim të së kaluarës. Ligjërata në fjalë qartë implikon objektiva divergjente: VMRO-ja synon vendosjen edhe një tulle të shtetndërtimit, që sillet rreth komponentëve si antikiteti, sllavizmi, ortodoksia krishtere, etnocentrizmi… Shikojeni tendencën për deshqiptarizim të Shkupit dhe do t’i kuptoni trendet aktuale në korniza gjithështetërore. Feja civile maqedonase me këtë hap dëshiron të instalojë një proces të sakralizimit të shenjave dhe kodeve të imagjinuara të veta duke i transcenduar ato, duke i shndërruar në simbole të deifikuara me dorën e të zgjedhurve të popullit. Kompartmenti shqiptar i kësaj qeverie me siguri s’kanë dëgjuar për thënien e Fran Lebowitzit “Mendo para se të flasësh, lexo para se të mendosh!” Siç duket, establishmenti politik shqiptar sikur do që gjithë popullin ta medikalizojë, ta psikiatrizojë, ta debiliozojë e ta idiotizojë, ta qesë në pozitë të pamendshit. Këtë e bën përmes burrave të odës së shtetit, ku mes vete debatojnë, kurse para kamerave heshtin kur pyeten për opinion. Si ka mundësi ndryshe të quhet së pari loja me ngjyrat, loja me simbolin dhe simbolikën simetrike mes stemës partiake dhe asaj të propozuar shtetërore?! Cili qytetar shqiptar i Maqedonisë do të identifikohet me luanin e kuq mbi të verdhë, çfarë patriotizmi qytetar do të ngjallë tek një pjesë e mirë e qytetarëve që janë joVMROistë? Çfarë vlere është një vlerë e imponuar? Qe nëntë vite Maqedonia po VMRO-izohet, po deshqiptarizohet açëk me metoda puritane dhe macedo-puriste, po deifikohet kulti i shtetit i brahmanizmit ballkanik, ku shudrat jemi ne, shqiptarët. Dhe, tani mendoni çfarë metodash bizare shfrytëzohen: desovjetizimi si shkas për partizim të shtetit. Njëzet e sa vite pas rrënimit të komunizmit akoma vazhdon kompleksi i larjes së hesapeve me një ideologji të ikur nga skena qe dy dekada e ca. Për djathtizmin e një partie maqedonase kjo është shumë e natyrshme, por për majtizmin dhe kult-majtizmin e lidershipit të partisë shqiptare në pushtet kjo është një vetëshkatërrimi i vetëshkatërruesve do të kishte thënë Averroesi. Kujto se kur thonë këtë, pra desovjetizimin si shkak të mbështetjes së stemës, 99 % e zemrës së ideologëve të kësaj partie s’ndjehen mirë, sepse sovjetiku i dikurshëm ka qenë vlera sublime e kohës dhe e së ardhmes. Do të desovjetizohemi, pra ,dhe do të ribëhemi heraldikisht e simbolikisht, do të përjetojmë ritin e kalimit, nga një gjendje në një tjetër. Do të konvertohemi nga pikëpamja vlerore nacionale, do të formojmë një sub-identitet në të cilin nuk e gjejmë fare dhe do të bëjmë një hermeneutikë sociale që krijon huti dhe sklerozë kolektive. Kjo i bie sikur turkut t’i thuhej se në flamurin grek ka edhe elemente turke, duke u bazuar në të kaluarën bizantine të trojeve të sotme turke ose sikur myftiu i Gazës të thoshte se ylli davidian është edhe i palestinezëve, sepse është simbol i një figure profetike kur’anore. Dhe, popullit i thuhet se do të vendosin organet partiake – sovjetizëm se ç’ke me të.

Nëna parti në aksion: ajo mendon dhe vepron për ju, ju duhet të dëgjoni e të respektoni se ka kush përkujdeset për ju! Delet e mia! Nuk thuhet se do të realizohen kërkime të terrenit, se do të bëhen sondazhe, se do të porositen studime ekspertësh, se do të organizohen tryeza të rrumbullakëta. Domethënë, ne ju zgjedhim për në institucione, ju arbitrarisht na përfaqësoni, duke u shkëputur nga zgjedhësit, duke u shndërruar në klikë të vetësakralizuar që vendos për fatin tonë. Kulturocidi, që po e bëjnë partitë shqiptare, një aktivisht, tjetra me heshtje, shënjojnë një gjë: margjinalizimin dhe defaktorizimin total të tyre. Njëra kërkon luanët shqiptarë nëpër stema të qyteteve, tjetra shpreh pafuqinë e vet pa u distancuar hapur dhe pa dalë me prononcim kundërshtues. Shkurt e shqip, të dyja partitë janë erë para VMRO-së partitokraciste, e cila ka ngritur veshët dhe po kontrollon gjithçka, tre shtyllat e pushtetit, median, biznesin, administratën, tani edhe akademinë, përmes 5 ligjeve të reja, që ngërthejnë edhe testimin shtetëror (shteti profesorizohet e më tepër se kaq), që edhe universitetit dhe kokës autonome i japin një grusht të fortë, një knock down.

Totalitarizmi partiak te ne po merr përmasat e një religjioni shekullar, të një instance që duke shfrytëzuar formulën arsyeja e shtetit (raison d’etat) krijon tendosje permanente, herë të brendshme e herë të jashtme. Dhe luanin mos e harrojmë, mbretin e botës animale, e kemi edhe te partia dhe te shteti, kthehu nga të kthehesh del i fortë, qoftë edhe në mënyrë fiktive, qoftë edhe vetëm vizuelisht. Do të habiteni e do të shtangeni kur para institucioneve do të përballeni me luanin, do pyesni veten ku jam: para selisë së partisë apo shtetësisë/Republikës së Maqedonisë, me stemë në çdo kuletë, ndonëse të zbrazuar nga paratë.

Dhe më në fund, një portal propushtetar del me një zbulim: luani i punuar nga Franz Johann Joseph, në vitin 1791, si stemë e Mbretërisë Shqiptare, ku shkruan “Das Konigreich Albanien” (Mbretëria Shqiptare). Eureka. Harrohet se ekziston një gjë që quhet dije kolektive kulturore (common cultural knowledge), që është shumë më tepër se aksidencat, partikularitë dhe individualizmat kulturorë.

Në sociologji ka një teori që quhet interaksionizëm simbolik, që thotë se kuptimet derivohen nga ndërveprimi kulturor dhe modifikohen përmes interpretimit. Mos vallë partiakët tanë mendojnë se, në saje të interpretimeve të tyre të cekëta, do ta modifikojnë mënyrën e kuptimit dhe perceptimit të këtij elementi heraldik nga shqiptarët e RM-së?

Edhe një gjë për kontekstin tonë me stemën: nëse i shikoni vokabularët e ndryshëm, do të konstatoni se sovjetizmi nuk ndërlidhet vetëm me të kaluarën, bujkun, klasën, kulakët, por edhe me të tashmen, me Rusinë e Putinit, me putinizmin si risovjetizim. Pra, nuk është demode sovjetizmi. Disa diçka thonë e ndryshe veprojnë, e shajnë sovjetizmin ndërsa padukshëm imitojnë risovjetizimin e Rusisë nga Putini. Disa të tjerë, tanët, ikin nga sovjetizmi, prapë përballen me sovjetizim në formë tjetër, me putinizëm. Lamtumirë sovjetizëm, tungjatjeta putinizëm, tungjatjeta shtet-parti!

Lajme të ngjashme

Back to top button