MPB pa ide sa shqiptarë të Maqedonisë luftojnë në Siri

Ministria e punëve të Brendshme nuk ka ndonjë të dhënë zyrtare për numrin e saktë e shtetasve nga Maqedonia të cilët marrin pjesë në konfliktin e armatosur në Siri. 

Deri më tani u njoftua se tre shqiptarë nga Maqedonia janë vrarë në Siri, por, nuk përjashtohet mundësia që të ketë edhe më shumë, në mungesë të së dhënave zyrtare.

Zëdhënësi i MPB-së Ivo Kotevski thotë se vendimi për të shkuar në Siri apo ndonjë vend tjetër ku ka luftë, është çështje personale, kurse Maqedonia si politikë zyrtare ka luftën kundër terrorizmit. 

“Ata shtetas që marrin pjesë në zonat me konflikte, ata  vendimin e marrin personalisht. Republika e është pjesë e koalicionit ndërkombëtar për luftën kundër terrorizmit dhe kjo është politikë zyrtare. MPB e ndjek situatën e sigurisë në vend, këmben informacione me shërbimet vendore dhe ata rajonale dhe për momentin nuk ka ndonjë rrezik serioz për vendin”, shprehet zëdhënësi MPB-se Ivo Kotevski.  

Prania e shtetasve të Maqedonisë në konfliktin në Siri, nuk mund të ndikojë që vendi të sanksionohet nga OKB, pasi që përgatitjet dhe logjistika nuk është nga Maqedonia, por nga ndonjë vend tjetër  thotë, Ish-këshilltari për çështje sigurie në kabinetin e shtetit Stevo Pendarovski.   

“Në bazë të informacioneve, këta tre qytetar që janë vrarë në Siri, janë me prejardhje nga Maqedonia, por përgatitjet dhe logjistika nuk është bërë nga Maqedonia, për të shkuar në Siri. Ajo që dëgjoj se është bërë nga Austria, Gjermania dhe vende tjera. Nëse do të ishin bërë këtu, atëherë me këtë rast, do të ishte punë e organeve të MPB-së. Pasi që aktivitet për të shkuar në Siri janë bërë diku tjetër, atëherë Maqedonia nuk mund të sanksionohet apo dikush ta dënoj, për atë se nuk ka respektuar rezolutat ndërkombëtare”, shprehet ish-këshilltari për çështje sigurie në presidencë Stevo Pendarovski.  

Deri më tani në Siri kanë vdekur Nimetulla Imeri nga fshati Gërçec i Shkupit, ndërsa djali i tij është rëndë i plagosur, Sami Abdullahu nga Shkupi si dhe Rasim Zeqiri nga Bellovishta e Gostivarit. 

Kolumnisti Gjakush Kabashi është i mendimit se për një popull që përjetoi gjenocid para vetëm katërmbëdhjetë viteve, me kujtime të freskta të ekzodit dhe masakrave në Kosovë, pjesëmarrja në një luftë të largët civile është zhgënjyese. 

“Të huajt i bashkëngjiten luftimeve për agjenda të veta, si që i kemi parë mercenarët rus dhe ukrainas, të cilët luftonin kundër shqiptarëve autoktonë në emër të fundamentalizmit pan-ortodoks. Sot, disa shqiptarë frymëzohen nga urrejtja e shiitëve, luftë kjo për dominim intra-fetar që nuk i ka sjellë asgjë të mirë njerëzimit. Al-Nusra dhe grupet tjera ekstreme – në cilëndo anë qofshin dhe pavarësisht gjatësisë së mjekrave – nuk luftojnë për qëllime iluministe. Përkundrazi, ato përkushtohen qartë për krijimin e një shteti strikt islamik, që bie ndesh me natyrën e dëshmuar tolerante të shoqërisë së moçme siriane” shkruan në kolumnën e tij të përjavshme për Portalb, Kabashi.

Nga ana tjetër, analisti Ramadan Ramadani vlerëson se gjithë analizat e shkuarjeve të deritanishme çojnë në konkludim se kjo është shkaku i solidaritetit njerëzor dhe fetar me popullatën e atjeshme. 

“Shqiptarët me përkatësi myslimane po ashtu janë synitë, sikur popullata shumicë e Sirisë e cila tani po persekutohet mizorisht nga regjimi i atjeshëm me përkatësi shiite. Por, kjo nuk është ndonjë luftë sektare mes myslimanëve pasi kemi të bëjmë me një regjim dhe me popullatë dhe nuk janë duke luftuar dy komunitetet fetare mes vete, sikur mund të jetë rasti diku tjetër në botë. Nuancat e vetme për tu dukur si një lufte sektare ia jep kyqja e paramilitarëve shiit të Hezbollahit nga Libani të cilët i kanë dalë në ndihmë regjimit sirian kundër forcave opozitare shkruan në kolumnën e tij të përjavshme për Portalb, Ramadani. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button