Një piramidë, brenda piramidës shtetërore!

Nuk do dëshironim ta besonim se, është pikërisht kështu. Opinioni çdo ditë traumatizohet nga ngjarjet e rënda që ndjekin njera tjetrën, duke kthyer sytë me shpresë nga shteti i tij. Me sa duket, akoma në këtë vend nuk ka burra që të vendosin drejtësi.
Lajmi mbi rrezikun e mospensionimit të njerëzve të administratës publike, është tronditës.

Skema e Pon Skim e shekullit të 19-të, që filloi me shitjen e biçikletave, në Shqipëri ka gjetur terrenin më “të dashur” nga strukturat shtetërore. Shfaqet hapur një krim i rëndë në institucionin e Sigurimeve Shoqërore, e cila e mbushi kupën, njësoj si pika e ujit që derdh gotën, dhe kërkon trasparencë institucionale, për të nxjerrë në dritë të vërtetën. Pse ka ndodhur ky fenomen kriminal dhe kush cënohet në këtë rast? Skema “binary”, një formë organizative kriminale, po vërteton çdo ditë e më shumë se, vetë shteti shqiptar po del një piramidë gjigande, që luan hapur dhe në mënyrë antiligjore me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Mbi 250 mijë njerëz rrezikojnë pensionin, për shkak të hajdutërisë së pazakontë të qeveriisjes së mëparëshme.

Me sa duket “të mirat” e sistemit piramidal, kohë më parë i kanë pëlqyer edhe matrapazëve të veshur me pushtet, sipas modelit të tregëtisë me “geshtjenjat e Tropojës”. Shteti nuk i dërgon paratë në destinacionin përkatës, por me dashje prish matricën ekonomike, duke na sjellë një superskandal tjetër, më të rëndë se sa ngjarjet e radhës. Paratë e destinuara për sigurimin e punonjësve, nuk janë çuar në destinacion, për të justifikuar qëllimin, masën dhe vendin e tyre në buxhetin e shtetit, por janë kthyer në makina luksoze, në fasada investimesh infrastrukturore, duke krijuar hapësira për përvehtësime në përmasa të mëdha.

Ky mund të jetë skandali më i madh që ka ndodhur në Shqipëri, pra një superskandal financiar shumë milionësh, që kompromenton rëndë vetë shtetin. Shteti kundër vetvetes, ky është problemi i problemeve. Mijëra punonjës të administratës publike, sot ndihen të poshtëruar, të sëmurë, të braktisur nga shteti i tyre. Të gjitha ngjarjet e rënda që kanë shoqëruar jetën tonë në këto dy dekada, në një farë mënyre, e kanë gjetur një lloj justifikimi në opinion, pavarësisht pasojave, por në këtë rast, çfarë mund të thuhet kur shteti ka vjedhur qytetarët e tij?! Këtu nuk ka asnjë argument për t’u justifikuar para opinionit shqiptar. Mendimi më i thjeshtë që na vjen ndëermend; përgjegjësit duhet të japin llogari para drejtësisë. Po para kujt drejtësie?!

Konstatimi i Qeverisë Rama rezulton i drejtë. Nëse nuk do të kishte një denoncim të tillë, atëherë kjo aferë e rëndë kriminale do të bartesh nga një qeverisje tek tjetra. Më mirë vonë se sa kurrë. Problemi shfryu në opinionin shqiptar, si shumë ngjarje të tjera të rënda, që kanë shoqëruar jetën tonë, por rrugezgjidhje ende nuk ka në prezantimin e zotit Veliaj. Të hedhësh problemin vetëm se, “këta individë rrezikojnë të mbeten pa pension”, kjo është antihumane, antisociale. Më përpara se sa të kalohet problemi tek pasojat që ai mbart mbi njerëzit, është e arësyeshme të bëhet denoncimi ligjor i antihumanizmit të qeverisjes Berisha, e cila sipas këtij denoncimi, ka vjedhur në mënyrë institucionale, me strukturat e shtetit fondet e sigurimeve, djersën dhe gjakun e mijëra njerëzve, që kane punuar në institucionet shtetërore.

Pra, denoncimi është vetëm njera anë e medaljes, po zgjidhja si do të jetë?
Kush i ka përvehtësuar këto para, ose në rastin më të pranueshëm, ku kanë shkuar, ku dhe për çfarë janë përdorur?
Nuk dëshiroj të përsëris informacionet që tashmë i janë bërë të pranishme opinionit. Analizën dëshiroj ta çoj edhe më tej. Nuk paska pasur vend tjetër në botë si Shqiëria jonë, ku mund të bësh çfarë të duash, deri në kriminalizim të plotë, të sillesh si të duash si bajraktar dhe mafioz, dhe të jesh edhe deputet, ministër dhe qytetar nderi i këtij vendi. Kjo është një piramidë tjetër e tmerrëshme, pra ky mund të konsiderohet si kulmi i piramidave të shfaqura rëndom në Shqipëri në këto dy dekada. Pyetjet janë të thjeshta. Kur ka filluar ky veprim antiligjor financiar? Kush ka urdhëruar për keqmenaxhimin e këtyre fondeve? A është njohur ky fenomen nga qeverisjet e tjera dhe si kanë operuar për ndalimin e tij? Mos vallë tani që shpërtheu, ky superskandal do të ndjekë fatin e skandaleve të tjera, që po i mbulon pluhuri i harresës? Kush janë personat, apo personi përgjegjës, që ka shpikur këtë mekanizëm të shpërdorimit jashtë destinacionit të fondeve të buxhetit? Mos ka të bëjë kjo me Rulin, Boden, Fullanin apo vetë ish kryeministrin Berisha? A do të guxonte kreu i INSIG ta bënte këtë në kokë të tij? Nga do të kompesohet kjo humbje e madhe në buxhetin e shtetit, kur dihet se qeveria nuk ka një “mulli magjik” dhe kur dihet mirë nga dalin paratë e mbushjes së arkës së shtetit? Do të ketë një rishpërndarje të fondeve brenda buxhetit, apo si në të gjithë rastet deri tani, do t’u shtrëngohet më tej rrypi shqiptarëve për të zëvendësuar këto para?

Nëse ky problem është akoma më thellë, le të shkohet edhe në qeverisjet Meta, Majko apo Nano. Kush ka dorë në këtë superskandal, duhet të përgjigjet.
Më afër problemit. Çfarë fiton Qeveria Rama nga ky denoncim dhe pse e serviri për opinionin tani problemin? Në shtjellimin ligjor të këtij fenomeni kriminal, më mirë se sa të lejohet gangrenizimi i mëtejëshëm, shteti duhet të merret shumë seriozisht. Zgjidhja dhe rrugëzgjidhjet kërkojnë planin e masave qeveritare, jo më si në rastet e denoncimeve të tjera, të cilat kanë përfunduar në syrtarët e Prokurorisë dhe matrapazët politikë të kriminalizuar, jo vetëm livadhisin lirshëm, por guxojnë t’i tregojnë shtetit edhe “vijën e kuqe”. Në rastin konkret, këtë herë kopaçja e shtëtit duhet të godasë fortë dhe kushdo nga “ishët”, që është autor apo përfitues i këtij superskandali, të dalë para drejtësisë. Çështja është se, ky superskandal në vjedhjen apo keqpërdorimin e fondeve të shtetit, ka ngjajshmëri me skemat e vjedhjes së energjisë elektrike, me grabitjet nëpërmjet legalizimeve të paligjëshme, me vjedhjen e Bankës së Shtetit, vjedhjen galopante në sistemin e tatimeve etj. Problemi është denoncimi i këtyre skemave dhe praktikave antishtetërore dhe të dalin përgjegjësitë. Këtij rasti duhet t’i shkohet deri në fund, duke përdorur poraktikat e reja, që asfiksojnë dhe neutralizojnë qëndrimin politik të Organit të Akuzës dhe vendimet e gjykatave.

Nëse do të operohet si dhe në rastin e denoncimeve të mëparëshme, të cilat kanë dalë pa asnjë rezultat, atëherë të pranohet kapitullimi i qeverisjes dhe pushtetit politik para krimit dhe grabitjes së pashëmbullt të shtetit nga vetë shtetarët. Të bësh të kundërtën dhe të justifikohesh më “pavarësinë e pushteteve”, duke e përcjellë përgjegjësinë vetëm tek akuza dhe gjykata, do të thotë që me dashje të legalizosh kundërvajtjen ligjore të vet strukturave të shtetit, si dhe në rastet e tjera të trumbetuara mediatikisht me aq bujë. Po na mbarset mali dhe përherë po na pjell nga një miush. Nuk mund të lejohet më që grupe të caktuara mafioze, të përfshira në pushtet dhe në shtet, të vazhdojnë ta mjelin përditë Shqipërinë, pa i dhënë asaj asgjë, duke e kaluar pasojat dhe varfërinë në shpinë të popullit të thjeshtë. Kryeministri dhe qeveria në dreëjtimin e shtetit, ndoshta këtë herë duhet të ndryshojnë praktikat e punës, për ta sfiduar organin e akuzës dhe gjykatat. Problemi kërkon hetim të thellë, por e kryer kjo nga specialistë financiar dhe juridik të Qeverisë, duke mundësuar çuarjen e dosjes në Prokurorinë e Përgjithëshme, ku organit të akuzës t’i mbetet vetëm të gjej nenin përkatës në Kodin e Procedurës Penale. Ky do të jetë një mësim i mirë edhe për sistemin e gjykatave, që deri tani vetëm drejtësi nuk rrezatojnë. Po e përsëris, kopaçja e shtetit duhet të godasë fortë dhe të çoj para drejtësisë të paktën ata njerëz që as vetë zoti nuk mund t’i ruaj më.
Nuk mund të lihen më të lirë hajdutët dhe kryehajdutët, që me kërcënimet e tyre po vazhdojnë të shantazhojnë shtetin dhe drejtësinë, edhe pse janë të zhytur shumë thellë në krim. Nuk mund të lihen të lirë kriminelët e instaluar në politikë dhe në superstrukturën shtetërore, të cilët çdo ditë shantazhojnë për destabilizim të shtetit me “bomba” të tilla sociale dhe financiare.

Ministri i MIrëqënies Sociale të gjejë rrugëzgjidhjet, të mirinformojë opinionin dhe të mos guxojë të testojë me shantazhin e mospërfitimit të pensionit. Meqënëse përgjegjësitë dhe në këtë rast janë të shtetit, vetë shteti të gjejë rrugëzgjidhjet, ashtu siç pagoi faturën e qevërisë Berisha prej 90 milion euro ÇEZ-it. Nëse nuk keni aftësi apo kurajo qytetare të ndërtoni shtetin ligjor dhe të çoni para drejtësisë bandën e hajdutëve që spo dinë të ndalen dhe nuk kanë të sosur, kriminelët dhe kryekriminelët, atëherë duhet të largoheni nga përgjegjësitë që ju ka dhënë elektorati shqiptar. Hapuni vendin burrështetasve, që meritojnë mbështetjen e popullit, edhe pse deri tani, në një vit e gjysëm qeverisje, kemi dashur të ushqejmë mendimin dhe po besojmë akoma se, kemi të bëjme me një qeverisje të mirë. Na jepni prova. Nëse të dëmtuarit edhe në këtë rast do të jenë njerëzit e thjeshtë, me siguri me ose pa dashje, po i vini Shqipërisë një minë tjetër me sahat, për ta hedhur përfundimisht në erë.

Kush ju detyroi ta bëni publike menjëherë këtë superskandal, pa menduar më parë pasojat e reagimit në masë të njerëzve për këtë grabitje në mes të ditës? Me çfarë kemi të bëjmë, me drejtues shteti, apo me një tufë fillestarësh, që e mendojnë shtetin si një lodër në rrjetin social? A nuk po e kuptoni se në këtë vend, kjo bandë kriminale po rrezikon rendin kushtetues dhe sigurinë kombëtare? Kujt i ka shërbyer përdhosja e autoritetit të shtetit dhe grabitja e financave publike? Nuk mund të mendohet që ky superskandal të kalojë kaq lehtë si dhe të tjerët. Në opinionin shqiptar, tashmë po kristalizohet mendimi se, ky pushtet dhe kjo qeverisje nuk është e aftë të vendosë drejtësi. Në rastin e energjisë elektrike, njerëzit e thjeshtë shkuan në radhë të plotësojnë detyrimet e prapambetura, ndërsa pëshqit e mëdhenj të grabitjeve të mëdha, ju nuk keni forcë t’i detyroni të vihen para drejtësisë.
Fillojeni më përpara me institucionet shtetërore, që janë debitorët më të medhenj. Me sa kuptohet, ju nuk jeni të aftë të vendosni drejtësi. Ju i keni këmbët dhe duart e lidhura.
 Kjo situatë kërkon zemër, trimëri, guxim për t’i dalë të keqes përpara dhe jo oportunizëm, demagogji, frikë dhe fshehje pas gishtit. Nëse dhe në këtë rast do të veprohet si në rastet e tjera, atëherë, Ju, me ose pa dashje, po bëheni pjesë e oligarkisë kriminale, qe i ka hapur në këto 24 vite gropën e zezë Shqipërisë. Tani u ka mbetur vetem pak gjë: bëhuni bashkë dhe jepni vendit tonë goditjen e fundit, për ta rrëzuar në këtë gropë, që Shqipëria jonë të mos e ngrejë më kokën kurrë.

Lajme të ngjashme

Back to top button