Strazimiri në Gjykatë: Ndoka dhe Ndreu më kërcënuan se do më vrisnin

Deputeti demokrat Gent Strazimiri ka dhënë sot dëshminë e tij para Gjykatës së Lartë për incidentin në Parlament, më 10 korrik 2014

Deputeti i PD tha se deputeti i PS Arben Ndoka pasi e ka goditur e ka kërcënuar se do ta vrasë, ndërsa të njëjtin kërcënim ka marrë edhe nga deputeti tjetër socialist, Pjerin Ndreu.

” Pasi më goditi më tha, unë heq dorë nga mandati i deputetit dhe të vras”- u shpreh në sallën e Gjykatës së Lartë deputeti demokrat.

Deputeti demokrat ka përsëritur se sulmi ndaj tij ndodhi me porosi të kryeministrit Edi Rama.

Seanca e parë për këtë cështje u mbajt më 24 nëntor të vitit që shkoi gjatë së cilës avokatët mbrojtës të dy të pandehurve, kundërshtuan kallëzimin penal ndaj tyre. Konflikti në Kuvend ndodhi më 10 korrik të vitit që shkoi cka solli dhe bojkotin e Opozitës.

Strazimiri: Problem nuk janë 2 por edhe 17 deputetë të tjerë

“Sot pas 6 muajsh kemi një dokument të noterizuar që parlamenti ka nevojë të demkriminalizohet, kjo do të thotë që ka kriminelë brenda. Ne si opozitë po kryejmë detyrën tonë.

Cilido qoftë vendimi i gjykatës nuk do të jetë zgjidhja përfundimtare e problemit, pasi problemi nuk janë 2 deputetë që iu përgjigjen urdhrit të kryeministrit për të kryer dhunën ndaj opozitës por 17 të tjerë që ende nuk e kanë bërë këtë veprim. E vetmja zgjidhja janë shqiptarët që duhet të japin përgjigjen e duhur kryeministrit dhe bandës kriminale që ka kapur shtetin” deklaroi Strazimiri pasi doli nga ambientet e Gjykatës së Lartë./ Oranews/

Lajme të ngjashme

Back to top button