Teleferiku i Vodnos, projekt profitabil për Qytetin e Shkupit

Teleferiku ‘Kryqi i Mileniumit’ që është pronësi e Ndërmarrjes transportuese ‘Autobusët e Qytetit’ për gjatë ekzistimit të tij dyvjeçar ka arritur rezultate të suksesshme të përdorimit.

Kështu thotë njeriu i parë i kësaj ndërmarrje, Misho Nikollov.

‘Për kënaqësi dhe fat të mirë teleferiku po arrin rezultate të shkëlqyeshme për çka flasin edhe numrat e përdoruesve. Rreth 700 mijë qytetarë për dy vite prej kur e kemi lëshuar në përdorim e kanë shfrytëzuar atë. Sot, teleferiku paraqet krenarinë e Qytetit të Shkupit, ndërsa edhe më mirë na bën të ndjehemi fakti që edhe turistët e vendeve të huaja kur e vizitojnë Shkupin me doemos bëjnë xhiro deri në Vodno me teleferik’ tha Nikollov.

Që të kenë qasje më direkte NTP Shkup ka lëshuar edhe linjë direkte, tha më tej ai.

‘Edhe linja direkte të cilën e kemi lëshuar prej Qendrës Transportuese deri në Vodno të mesme ka bërë afirmimin më të madh të teleferiukut, si dhe malit Vodno, ndërsa këtë vit organizuam edhe ngjarjen ‘I pari në majë’ ku kishte shumë pjesmarrës’ ka thënë Nikollov.

Edhe qytetarët janë të mendimit se është ndër projektet më interesante në vend, por ka edhe të atillë që ende nuk e kanë shfrytëzuar atë.

‘Unë kam qenë disa herë në Vodno me teleferik, mendoj se ia vlen, bile kjo është diçka interesante në Shkup’ tha Blerta Veseli.

‘E di për teleferikun në Vodno, po tju them të drejtën nuk kam mundur ende ta shfrytëzoj, jo se është ndonjë çmim i lartë por nuk më ka premtuar koha të shkoj andej’ tha Musa S.

Ndryshe, çmimi i biletës varion varësisht nga mosha. Për shembull fëmijët deri në moshën 6 vjeçare nuk paguajnë fare, ata të moshës prej 6-14 paguajnë vetëm 50 denarë, grupet e organizuara për të rritur paguajnë nga 90 denarë, grupet e organizuara për fëmijë nga 45 denarë, pensionistët nuk paguajnë fare, ndërsa të rriturit nga 100 denarë./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button