Lotët e Sulës

Sula gjithmonë e bënte kafenë e pauzës për të pesë kolegët e redaksisë dhe për vete. Sula e sillte ushqimin e mëngjesit, Sula e sillte postën nga porta, ujë – Sula, Sula të gjitha. Ashtu e kishin mësuar në shtëpi: ta respektojë më të moçmin. Ai as që kishte menduar ndonjëherë për faktin se ka mjaft njerëz që nuk meritojnë të respektohen vetëm për shkak të moshës. Thjeshtë Sula e bënte punën e vet, si gjithmonë, pa e tjerrë pse e si.

Një ditë, si gjithmonë, Sula hyri me një najlon me gjevrekë, i la  në njërin kënd të tavolinës së tij dhe e hapi kompjuterin. “Ja ku e keni mëngjesin”, tha dhe u ul para kompjuterit të tij. “O zot, o zot”, murmuriti. Pastaj u ngrit e doli, pa fjalë. Deri sa e mbylli derën e zyrës ku punonin edhe pesë gazetarë të tjerë, atë e ndoqën sytë e kolegëve të habitur e të heshtur që “në përkthim” do të thoshin: çfarë ndodhi me këtë djalë?! Kah shkonte korridorit drejt bufesë së ndërtesës nëpër hapësirat e imagjinatës i shfaqeshin të buzëqeshur dy fëmijët e tij, fëmijët e vëllezërve, të kushërinjve, të lagjes… “Mos o zot”! i doli prej goje.

Sula u ul në një tavolinë në skaj të bufesë. Me gishta i binte tavolinës sikur të ishte ajo darabuke. Kamerieri e pa dhe menjëherë ia çoi makiaton e preferuar. Meqë e njihte, iu drejtua me shaka: “Ku të qenkan fundosur sot anijet”?

“Rast i rëndë”, tha Sula.

“Çfarë rasti”?

“I kanë vrarë disa gazetarë në Paris, a s’e di a”?  Gazetari e nxori një copë letër me ballinën e revistës “Charlie Hedbo” e përfund saj me shkronja të zeza kishte shkruar “Je suis Charlie”.  A po e sheh”? pyeti Sula. Kamerieri e shikoi habitshëm dhe me një grimasë pyetëse.
Ndërkohë dikush nga banaku ia ngriti zërin televizorit. Lajmet.

“Sipas të dhënave, gjashtëmbëdhjetë veta janë vrarë në sulmin vetëvrasës që e bëri një femër në qytetin Majdugur në verilindje të Nigerisë. BBC lajmëron se sulmin e ka bërë një vashë dhjetëvjeçare. Vajza e ka aktivizuar brezin me eksploziv në tregun përplot me fëmijë”.

Sula u ngrit dhe u nis të dalë me ngut, pa e pirë kafenë. “Edhe gjashtëmbëdhjetë veta njerëz të pafajshëm. Pastaj iu kujtuan lajmet për atentatet tjera në Nigeri. Rreth dy mijë njerëz të vrarë pa pikë faji. Në Pakistan, po ashtu, njerëz të vrarë në xhami në emër të zotit, pikërisht në ato çaste kur i luten zotit, fëmijë të vrarë në shkollë. Në Ugandë po ashtu e ku ta di se ku tjetër.

Sikleti e gulçonte, thjesht e prridhte, e mbante fort për fyti. Vërtetë nuk i njihte njerëzit që janë vrarë, e ku mund t’i njihte njerëzit, gjithë ata njerëz, në meridiane e paralele të ndryshme? Po sa mund të kishte rëndësi kjo. Njerëz ishin. Dhe, kush e ka të drejtën të marrë shpirt njeriu aq lehtë? e pyeste veten. Kush është ai që e merr rolin e Azrailit?

Atë ditë nuk u kthye në redaksi.

Rrugës e ndjeu si i shkonin djersët shpinës, kurse në fytyrë e e përshkoi një valë të nxehti. Pastaj ofshau kur iu kujtuan ngjarjet tragjike të këtyre ditëve në Paris e Nigeri. I përfytyronte fytyrat e njerëzve e të fëmijëve të cilët po ballafaqoheshin me pamundësinë për t’i shpëtuar vdekjes.

Kur arriti në shtëpi, i treguan se e kishin kërkuar nga redaksia disa herë në telefon të shtëpisë, për shkak se celularin e kishte pasur të mbyllur. Sula vetëm e lëvizi dorën në shenjë mospërfilljeje.

Ishte e mundimshme gjithë kjo rrëmujë. Gjithë këto jetë të shuara pa ndonjë arsye. Dhe, donte t’i largojë mendsh këto ngjarje të përgjakshme, por kureshtja gazetareske e detyronte të qëndronte para kompjuterit e para lajmeve televizive.   Do të bëhet kjo e kjo, u bë kjo e kjo…
I pëlqeu ideja e marshit të paqes në Paris, ku do të merrnin pjesë shumë liderë botërorë dhe ku do të shprehet uniteti i madh kundër terrorizmit dhe dhunës. Dhe, erdhi edhe dita e këtij marshi ku morën pjesë më shumë se një milion njerëz. Një pikë drite në këtë marsh të dhembshëm ishte çasti kur përfaqësuesit e shtetit shqiptar, kryeministri Edi Rama dhe përfaqësuesit e katër bashkësive fetare, myslimane e të krishtera, të Shqipërisë parakaluan para masës milionëshe krah për krahu të përcjellë me duartrokitje.

Sulës i rrodhën lot.

“Ah”, tha, “sa mirë… Po do të kishte qenë mirë që marshe të tilla të organizohen edhe në Nigeri, në Pakistan, në Ugandë e gjetiu”.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button