Themeluesi i WikiLeaks: I pafalshëm dështimi i shërbimeve sekrete franceze

Themeluesi i WikiLeaks, Julian Assange është i bindur se sulmi terrorist ndaj gazetës “Charlie Hebdo” mund të ishte shmangur, nëse shërbimet sekrete franceze do të kishin bërë punën e tyre ashtu siç duhet. Sipas Assange, dështimi i shërbimeve sekrete i mori jetën gazetarëve dhe policëve në Paris.

“Francezët kërkojnë t’i shfaqin vrasësit si super të këqij, për të fshehur paaftësinë e tyre. Në të vërtetë, atentatorët e “Charlie Hebdo” ishin amatorë pa shpresë, të cilët bënë një aksident me makinë dhe ikën duke lënë kartat e tyre të identitetit në mjet, u morën vesh me telefonata dhe në fund vdiqën. Është e pafalshme të lejosh të vdesin dhjetëra njerëz nga dora e këtyre dy personave.”- thekson Assange.

“Vrasësit ishin xhihadistë të njohur. Nuk ishte nevoja për hetime globale për t’i identifikuar. Cherif Kouachi ishte dënuar për terrorizëm dhe të dy vëllezërit ishin në listën e terroristëve. Ata kanë komunikuar me linja normale telefonike, përpara dhe pas sulmit. Redaksia e “Charlie Hebdo” kishte marrë shpesh kërcënime dhe kjo nuk ishte hera e parë që sulmohej. Pavarësisht gjithë këtyre ndodhi ajo që ndodhi.”- shprehet themeluesi i WikiLeaks.

Sipas Assange, përballë këtij dështimi duhet shtruar disa pyetje: “Përse u mbrojtën vëllezërit Kouachi nga Shërbimet franceze? Mos vallë autoritetet donin të kryenin një arrestim spektakolar, për të treguar se po luftonin terrorizmin, por situata u shpëtoi nga duart? Si ka mundësi që “Charlie Hebdo” nuk kishte mbrojtjen e duhur? Si u futën në Francë armët dhe si ranë në duart e xhihadistëve?”/ BalkanWeb

Lajme të ngjashme

Back to top button