“Marshimi i solidaritetit” në Paris, mbi 1 milion vetë në shesh (FOTO+VIDEO)

Personalitetet më të larta dhe udhëheqës botërorë, përfshi kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, të shoqëruar nga ministrat Bushati e Veliaj si dhe 4 përfaqësuesit e komuniteteve fetare në Shqipëri, por edhe Presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, i janë bashkuar 1 milion personave në Marshimin e Unitetit, në Paris të Francës, në shenjë solidarizimi, por edhe kundërshtimi njëkohësisht, ndaj atentateve terroriste që u morën jetën 17 personave.

Në orën 15:31, liderët botërorë nisën Marshimin e Unitetit në sheshin “Republika” në Paris, duke ecur në heshtje dhe të kapur nga krahu me njëri-tjetrin në shenjë bashkimi dhe solidarizimi. Në qendër presidenti i Francës, François Hollande, pranë tij kancelarja gjermane Angela Merkel e me radhë kryeministri italian Matteo Renzi, ai izraelit Benjamin Netanyahu e liderë të tjerë si Donald Tusk dhe Abu Mazen.

Krerët e besimeve fetare në Shqipëri u duartrokitën gjatë marshimit të tyre krah për krah njëri-tjetrit, duke dhënë ndoshta mesazhin më domethënës në rrugët e Parisit.

Pasi përshkuan disa metra, liderët botërorë ndaluan dhe u duartrokitën gjatë nga turma, ndërkohë që ata i kthenin përshëndetjen qindra personave që kishin dalë në dritaret e banesave të tyre.

Marshimi vijoi në heshtje, por nga turma dëgjohej herë pas here thirrje “Charlie” dhe “Liri” që u  shoqëruan me duartrokitje të forta.

Presidenti Hollande është ndalur gjatë duke folur me të mbijetuarit e masakrës në “Charlie Hebdo”, të cilët janë në radhën e parë të marshimit, së bashku me familjarët e viktimave të redaksisë së revistës satirike dhe atyre të supermarketit në Port de Vincennes.

Parisi sot

Marshi në Paris 1

Marshi në Paris

Zyrtarët francezë njoftuan “masa të jashtëzakonshme” për të mbrojtur jo vetëm turmat që janë mbledhur pranë sheshit qëndror “Place de la Republique” të Parisit, por gjithashtu edhe praninë e liderëve të huaj që do të vënë në provë forcat e sigurisë të një vendi të goditur ndjeshëm nga dhuna e terrorizmi së fundi.

Marshi masiv vjen në një kohë kur oficerë të zbatimit të ligjit në Francë janë urdhëruar të fshehin prezencën e tyre në rrjetet sociale dhe të marrin armët e të jenë në gatishmëri gjatë gjithë kohës, pasi qeliza të fjetura të terrorit janë aktivizuar përgjatë 24 orëve të fundit në vend, tha një burim policor për CNN.

Ahmedy Coulibaly, një i dyshuar i vrarë gjatë së premtes gjatë mësymjes ndaj pengmarrjes në supermarket, ka bërë disa telefonata që shënjestronin oficerët e policisë në Francë, sipas këtij burimi.

Ministri i Brendshëm, Bernard Cazeneuve, ka nënvizuar masat e jashtëzakonshme të sigurisë në mbrojtje të personaliteteve VIP, si kryeministri i Britanisë, David Cameron, Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, si dhe spanjolli Mariano Rajoy. Të tjerë personalitete do të jenë gjithashtu në krah të Presidentit francez, Francois Hollande, ndër të cilët përmenden ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, kryeministri turk, Ahmet Davutoglu, Mbreti i Jordanisë Abdullah II dhe Mbretëresha Rania, Presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, si dhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.

Cazeneuve dhe zyrtarë të tjerë thanë se 2300 oficerë policie, ashtu sikurse dhe forca paraushtarake, do të zbresin në terren gjatë së dielës. Personalitetet dhe udhëheqësit e botës do të mbrohen nga nga njësi speciale.

Veç këtyre masave, policë me snajpera, agjentë civilë dhe oficerë antiterrori do të jenë në ruajtjen e mbarëvajtjes së marshimit, ndërkohë që parkimi dhe qarkullimi i mjeteve do të kufizohet. Qeveria e Francës ka mbyllur thuajse të gjitha akset rrugore të Parisit, tha Cazeneuve. Sheshet publike të kryeqytetit francez do të shërbejnë si pika takimi mes liderëve botërorë.

Ndërkaq, hetuesit francezë janë ende duke mbledhur bashkë rrjetën e lidhjeve mes tre të dyshuarve terroristë të vrarë gjatë së premtes, si dhe lidhjet e tyre të dyshuara me Al Kaedën në Gadishullin Arabik (AQAP) dhe me grupe të tjera terroriste. Ata do të mbeten në nivel të lartë alarmi edhe gjatë vijimit të hetimeve, thonë zyrtarët.

Vendi vazhdon të jetë i tronditur nga tri ditët e terrorit, gjatë të cilave mbetën 17 të vdekur dhe me mijëra të tjerë zbritën në shesh për manifestime të heshtura gjatë së shtunës.

Masat parandaluese mund të ndihmojnë disi në uljen e tensionit në një vend që është prekur ndjeshëm nga dhuna së fundi, ndërkohë që edhe Sinagoga e Madhe e Parisit është mbyllur gjatë së shtunës për herë të parë që prej Luftës së Dytë Botërore.

Vëllezërit terroristë, Cherif dhe Said Kouachi, autorë të sulmit vdekjeprurës të së mërkurës ndaj zyrave të revistës satirike “Charlie Hebdo”, u vranë të premten pas dy përpjekjeve për t’u shpëtuar rrethimit të forcave speciale. Ata janë të dyshuarit për vrasjen e 12 personave në ambientet e brendshme të revistës. Ndërsa Coulibaly, i dyshuari për vrasjen e një oficeri policie, u vra gjithashtu të premten, pasi kishte shkaktuar më parë 4 viktima mes pengjeve në supermarketin hebre./ Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button