Osmani: Gjuha e Jabllanoviqit, ajo e propagandës shoviniste serbe

Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, në një postim në llogarinë e saj në Facebook, duke reaguar ndaj deklaratës së Ministrit Aleksandar Jabllanoviq se “viktimat në Kosovë janë viktima të ‪NATO-s”, ka thënë se kjo gjuhë është e njëjtë me propagandën shoviniste serbe.

Osmani, e pozicionuar me nënat gjakovare, ka thënë se “gjuha e ministrit Jabllanoviq, ku qytetarët e Gjakovës quhen egërsira, është e njëjtë me propagandën shoviniste serbe, e cila me vite të tëra, edhe në televizionin shtetëror serb, ushqente urrejtje ndaj shqiptarëve duke i quajtur ata njerëz me bishta apo kafshë”.

Lexojeni të plotë postimin e deputetes Osmani në Facebook:

“Rreth deklaratës së Ministrit ‪#‎Jablanovic, se viktimat në Kosovë janë viktima të ‪#‎NATO-s:

Në rastin e Tribunalit Ndërkombëtar për Ish-Jugosllavi (ICTY) kundër ish Presidentit të Serbisë, Milan Milutinovic, për krimet e kryera në Kosovë, kjo gjykatë ndërkombëtare pat vendosur se viktimat në Kosovë nuk janë viktima të bombardimeve të NATO’s por të terrorit, represionit dhe krimeve kundër njerëzimit e krimeve të luftës të kryera nga forcat shtetërore serbe. E njëjta është përsëritur edhe gjatë procedurës para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Mendimin Këshilldhënës rreth shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Ky është qëndrimi zyrtar i Republikës së Kosovës, dhe Jablanovic është ministër i kësaj Republike (e jo i asaj fqinje).

Përndryshe, gjuha e tij ku qytetarët e Gjakovës quhen egërsira është e njëjtë me propagandën shoviniste serbe, e cila me vite të tëra, edhe në televizionin shtetëror serb, ushqente urrejtje ndaj shqiptarëve duke i quajtur ata njerëz me bishta apo kafshë.
‪#‎MeNënatGjakovare” (sic), ka shkruar deputetja Osmani në Facebook. /Telegrafi/

Lajme të ngjashme

Back to top button