Fillon La Liga, vëmendja është tek Reali e Barça

Pritja e gjatë e verës për të parë yjet e La Ligas të zbresin në fushë po vjen drejt fundit.

Edicioni 83 i Primera Division do të startojë të shtunën në orën 19 me surprizën e sezonit të kaluar Real Societad, që në San Sebastian do të presë madrilenët e vegjël të Getafes.

Në Anoeta, të besuarit e Jagoba Arrasate do të bëjnë provat gjenerale përpara debutimit në Champions League të martën e ardhshme në sfidën Play Off.

Dilematjanë të shumta, pasi në drejtim nuk është më francezi Philipe Montanier, që pas dy sezonesh në tokën baske u kthye të drejtojë në Ligue 1. Por vëmendja si gjithnjë shkon tek yjet e mëdhenj të La Ligas, Barcelona dhe Real Madrid, që do të zbresin në fushë ditën e dielë ndaj kundërshtarëve të cilësuar modestë, Levante dhe Real Betis, transmeton supersport.

Me interes pritet debutimi i dy trajnerëve, Martino dhe Ancelotti, si dhe risitë që do të sjellin në formacionet përkatëse dhe lojën e skuadrave.

11 titullar i dy rivalëve kryesor për titull është publikuar dhe dilemat do të shuhen me kalimin e javëve.

Largimi i Mourinhos, ardhja e Ancelotit si dhe rezultatet e mira në fazën përgatitore kanë bërë që Real Madrid të shihet si pretendente për titull.

Sipas një sondazhi të kryer nga e përditshmja Marca, 50% e pjesëmarrësve janë të mendimit që Real shpallet kampion, ndërsa 40% e shohin Barcelonën triumfuese në kampionat. 10% e të anketuarve mendojnë se Atletico Madrid mund të triumfojë mbi dyshen klasike, dhe të shpallet kampion i Spanjës.

Skuadra e Simeones do të debutojë këtë sezon në Ramon Sanchez Pizjuan ndaj Sevillas, një sfidë delikate, pasi vendasit pretendojnë të jenë në Champions League sezonin e ardhshëm. Edhe pse shiti Soldadon objektivat e Valencias nuk ndryshojnë, pasi zona Champions mbetet objektivi primar për skuadrën e drejtuar nga Miroslav Djukic.

Lajme të ngjashme

Back to top button