Paralajmërojnë të tjera sulme terroriste

Makthi i terrorizmit, pas Parisit, nuk ka përfunduar aspak.Të rinj, shpesh me pasaportë perëndimore, janë të gatshëm të godasin në çdo moment.

Sapo operacioni përfundoi, sheiku Herethit al Nadhari, një lider i Al Qaedas në Gadishullin Arabik, paralajmëroi Francën dhe të gjitha vendet e tjera perëndimore, të “ndalin sulmet ndaj Islamit, në të kundërt do të ketë akte të tjera terroriste”. Masakra në redaksinë e “Charlie Hebdo”, 88 mijë agjentët në ndjekje të dy vëllezërve vrasës, “celulat e fjetura” gati për të goditur, dhe kontaktet e dhunshme me botën myslimane. Lufta po ndodh këtu dhe tani.

Ishte 5 shkurti i vitit 2002. Imami Anvar al Aulaki, po merrte pjesë në një aktivitet, të organizuar nga Pentagoni, i cili pas ngjarjeve të 11 shtatorit, u përpoq të realizonte një hapje të mundshme me botën e “moderuar” myslimane. Imami, ndërkaq ishte marrë në pyetje së paku 4 herë nga FBI-ja, disa ditë pas sulmeve, pasi rezultonte se kishte pasur kontakte me 3 kamikazët e Al Qaeda-s, Navaf al Hazmi, Kalid al-Mihdar dhe Hanit Hanzhur.

Bëhet fjalë për 3 nga 5 rrëmbyesit, që hipën në fluturimin 77 të “American Airlines”, i cili u rrëzua më pas mbi Pentagon. Në fakt, Aulaki nuk është as më shumë e as më pak por “babai” i ujqërve të vetmuar, xhihadisti i vendit fqinj, shpesh me pasaportë perëndimore. Osama bin Ladeni do ta kishte vlerësuar shumë.

Pret vitit 2010, Aulaki ishte “delfini” i kreut të Al Qaeda-s, që u vra në maj të vitit 2011 nga marinsat amerikanë. Në Jemen, Cherif Kouachi, njëri nga 2 vëllezërit, që pak ditë më parë vranë 12 njerëz, mes tyre gazetarët e “Charlie Hebdo”, takoi imamin dhe dyshohet se ky i fundit i ka dhënë fondet, për aktet terroriste në Francë.

Në shtator të vitit të kaluar, dronët amerikanë zbulojnë vendndodhjen e Aulakit në Jemen dhe e vrasin atë. Ndonëse jemi duke përmendur vetëm terroristët që tanimë kanë vdekur, është mirë të thuhet se asgjë nuk ka përfunduar. Ujqërit e vetmuar, janë duke gjezdisur lirisht nëpër Evropë.

Dhe pikërisht në qytetet tona, celulat e “fjetura” përgatisin sulme, duke mbajtur kontakte të vazhdueshme me organizatat xhihadiste të sipërpërmendura.

“Si mundemi ne të mos luftojmë ata, që sulmojnë profetin tonë, fyejnë fenë tonë. Është më mirë për ju të ndalni sulmet ndaj myslimanëve”, tha Herethit al Nadhari, “pasi vetëm kështu mund të jetoni në paqe”. “Por nëse ju dëshironi vetëm luftë, atëherë ju nuk do të keni paqe, derisa vazhdoni të luftoni kundër Allahut dhe profetit të tij”. Një deklaratë lufte në fakt.

Përveç disa organizatave të tjera, masakra është marrë përsipër edhe nga një grup ekstremist në Mosul, qyteti irakian i pushtuar nga ISIS-i. “Ne kemi filluar me operacionin në Francë, për të cilat kemi marrë përgjegjësinë. Nesër do të jetë radha e Britanisë së Madhe, Amerikës dhe të tjerëve. Ky është një mesazh, për të gjitha vendet që marrin pjesë në koalicionin ndërkombëtar drejtuar nga SHBA, dhe që ka vrarë militantët e Shtetit Islamik”, tha Imam Ebu Saad al-Ansari, gjatë një predikimi.

Por nuk ka dhe aq rëndësi se cili është porositësi i vërtetë i sulmeve. Sepse Al Qaeda dhe ISIS-i, kanë filluar të bashkëpunojnë mes tyre, që nga fundi i shtatorit të vitit të kaluar, kur Xhabhat Al Nusra, dënoi sulmet në Siri nga ana e aleatëve perëndimorë si “një luftë kundër Islamit”, që kërkonte “një përgjigje të përbashkët”.

Që prej asaj kohe, të dyja organizatat, kanë ndaluar luftimet në Siri. Në krah të tyre, është rreshtuar edhe grupi misterioz “Khorasan”, që cilësohet nga shërbimet sekrete amerikane si kërcënimi më i madh për sigurinë kombëtare, për shkak se “është duke përgatitur sulme të afërta terroriste”.

Tashmë Evropa po pyet veten mbi për të metat e sistemit të sigurisë, bilanc që aktualisht duket edhe më dramatik, pas lajmeve se nga Algjeria ishte dhënë alarmi për një sulm të afërt, pikërisht një ditë para hyrjes së terroristëve në zyrat e “Charlie Hebdo”. Për momentin, lajmi nuk është konfirmuar plotësisht, por gjithsesi mjaftoi për të rindezur polemikat, mbi mbikëqyrjen e atyre që përbëjnë rrezik, dhe në mënyrë të veçantë celulave xhihadiste të lidhura me Magrebin. Sikundër dhe ishte rasti i celulës me bazë në distriktin 19 në Paris, e pagëzuar me emrin “Zinxhiri Buttes Chaumont”, sipas emrit që mban parku i madh i lagjes, dhe me të cilin ishin lidhur si Sherif Kuashi, ashtu si edhe pengmarrësi i Parisit, Amed Kulibali. Në fakt, Franca është vetë Evropa.

Gjatë një seance dëgjimore në parlamentin Italian, ministri i Brendshëm, Anxhelino Alfano, tha ndër të tjera se Sherif Kuashi “ishte i njohur edhe për policinë italiane”. Por askush nuk lëvizi as edhe një gisht. Po sa kohë do të duhet që një tjetër i çmendur, i etur për gjak dhe që bredh lirisht, i njohur edhe nga agjencitë e inteligjencës perëndimore, të vendosë të hapë zjarr mbi të pafajshëm ose të hedhë vetën në erë, në një vend të mbushur plot me njerëz? Mund të ndodhë sërish sot, ndoshta edhe në Itali. Dhe vetëm pasi kjo të ketë ndodhur do të themi: “Na kishin vënë në dijeni!”. /Corriere.it / Përgatiti: Bota.al/

Lajme të ngjashme

Back to top button