ANALIZË: Ligji i bankave, dëmton ata që marrin para nga mërgimtarët

Kontrolle të përforcuara për ti mënjanuar keqpërdorimet dhe shpërdorimet e mundshme me ndihmën shtetërore ose tentim për ulje të rrejshme të numrit të përdoruesve të ndihmës sociale? Çfarë fshihet pas ndryshimeve ligjore me anë të së cilave Qeveria, gjegjësisht disa nga institucionet e saj do të kenë qasje në llogaritë bankare të qytetarëve të cilët janë shfrytëzues, përkatësisht që dëshirojnë të jenë shfrytëzues të parave sociale? Ekonomistët për Portalb thonë se kështu, do të ulet në mënyrë artificiale transferet sociale. Drejtuesit e bankave janë të tronditur. Këtë vit, për transfere sociale, nga buxheti shtetëror do të harxhohen 1,3 miliardë euro.

Qeveria do të ketë qasje në llogaritë bankare, me çfarë qëllimi?

Qeveria me anë të ndryshimeve ligjore i mundësoi vetes të kontrollojë llogaritë bankare të qytetarëve të cilët janë shfrytëzues, përkatësisht që dëshirojnë të jenë shfrytëzues të parave sociale. Me ndryshimet në Ligjin për Banka, qasje në llogaritë bankare i mundësohet Ministrisë së punës dhe politikës sociale, Agjencisë për punësim dhe Fondit për sigurim shëndetësor. Në ligj nuk është saktësuar se a do ti japin me pajtim apo pa pajtim të qytetarëve informatat për gjendjen e llogarisë së tyre bankare. Përfaqësuesit e bankave thonë se janë të habitur nga ky veprim i Qeverisë.

“Këto ndryshime ligjore nuk janë iniciativë e jonë. Fillimisht, janë të lidhura me Ligjin për shlyerje të borxheve, andaj e shoh arsyen se pse të dhënat ti dërgohen Ministrisë së punës dhe politikës sociale. Por, pse janë të kyçura edhe Fondi për sigurim shëndetësor dhe Agjencia për punësim? Sipas ndryshimeve të reja ligjore, ne praktikisht duhet të japim informata në bazë të një memorandumi të nënshkruar për bashkëpunim me institucionet me të cilat deri më tani nuk kemi pasur punë” komenton për Portalb, bankieri nga një bankë e Shkupit.

Sipas të dhënave që janë në dispozicion, deri në nëntor të vitit 2014, janë regjistruar 13 193 shfrytëzues të parave sociale, në mënyrë plotësuese në këtë listë janë edhe të papunët të cilëve shteti ua paguan kontributet. Disa ekonomistë janë të mendimit se, nga këto ndryshme do të pësojë më shumë kjo kategori e njerëzve. 

“Mendoj se edhe ky ligj paraqet vazhdim të miratimit të ligjeve autoritative të nxitura nga Qeveria. Ky veprim nuk është në rregull pasi që është në kundërshtim me të drejtën e qytetarëve për mbrojte të së drejtave personale. Gjithashtu, me këto propozim-masa u jepet e drejta Ministrisë së punës dhe politikës sociale, Agjencisë për punësim dhe Fondit për sigurim shëndetësor të kenë qasje në llogaritë bankare të qytetarëve, pa lejen e vet qytetarëve. Edhe pse në ligj shkruan se kjo do të vlejë vetëm për ata qytetar të cilët do të kërkojnë ndihmë sociale, megjithatë mendoj se ne si qytetar të gjithë jemi të lidhur me Fondin për sigurim social i cili ka 1,7 milion të siguruar dhe në njëfarë mënyre do të ketë mundësi me anë të memorandumit të cilin do ta nënshkruajnë bankat me institucionin përkatës të mundësohet qasje të më shumë llogari bankare se sa ata që kërkojnë ndihmë sociale. Kështu, përpos atyre që marrin ndihme sociale, do të kenë qasje në llogaritë e 290 mijë personave të papunë si dhe 550 mijë të punësuarve.” shprehet për Portalb, ish deputeti dhe ekonomisti Izet Zeqiri.

Nga Ministria e punës dhe politikës sociale ditë më parë thanë se me ndryshimet ligjore do të përforcohet kontrolli për qytetarët që janë shfrytëzues të llojeve të ndryshme të ndihmës sociale me qëllim që të vërtetohet nëse ka keqpërdorime eventuale.

Ndihma sociale do të rritet, numri i shfrytëzuesve do të ulet?
Sipas Qeverisë, nga qershori i këtij viti, planifikohet rritje të ndihmës sociale për 5%.

“Në buxhet janë paraparë mjete për pagesë të rregullt dhe në kohë të obligimeve në bazë të së drejtës për mbrojtje sociale që e kanë personat e kategorisë së prekshme, ndërsa planifikohet që të ketë rritje prej 5% të ndihmës sociale duke filluar nga qershori i vitit 2015”shkruhet në buxhetin e vitit 2015.

Nga njëra anë Qeveria thotë se ndihma rritet ndërsa nga ana tjetër tani do të bëhet një spastrim i numrit të përdoruesve të ndihmës sociale, komentojnë ekonomistët për Portalb.

“Në këtë mënyrë Qeveria do të mundohet ta ul numrin e të papunësuarve si dhe ta ul numrin e transferove sociale të qytetarëve. Më shumë do të pësojnë qytetarët që kanë transfere specifike, posaçërisht ata që marrin para nga diaspora, ata do të fshihen. Mund të vendoset në pikëpyetje edhe statusi i qytetarëve të cilëve shteti ua paguan sigurimin shëndetësor ndërsa janë të papunësuar. Fundja, këto ndryshime do ti nxisin transferet jo-formale me qëllim që ti iket rrezikut nga humbja e disa të drejtave sociale” komenton më tej Zeqiri.

Nga ana tjetër, bankierët thonë se ndryshimi i ri ligjor propozohet pa konsultim me ata dhe se ndryshimet kanë një sërë mospërputhshmëri.

“Gjithkund në botë dhe si praktikë evropiane ligjore është që kontroll në llogaritë bankare të keni Drejtoria për të ardhura publike, Agjencia për parandalim të larjes së parave, Policia financiare, Gjykatat dhe Prokuroria publike. Kjo do të thotë se llogaritë bankare janë sekret bankar dhe nuk mund tu zbulohen askujt tjetër përpos këtyre institucioneve që hetojnë të dhënat për krim të mundshëm, fshehje të tatimit dhe terrorizëm” komentojnë për Portalb, burime të bankës që dëshirojnë të mbeten anonime.

“Nuk është në rregull nëse vazhdimisht zgjerohet lista e institucioneve që mund të kenë qasje në sekretet bankare. Ndërkaq, sekret bankar do të thotë që llogaritë nuk guxojmë tia tregojmë askujt pa lejen e përdoruesit, përpos institucioneve të cilat merren me hetime të krimit.

Në ndryshimet e Ligjit për Bankat thuhet:

“Me ndryshmet në Ligj, sekreti bankar do të mund të zbulohet edhe për Ministrinë e punës dhe politikës sociale, Agjencisë për punësim dhe Fondit për sigurim shëndetësor me qëllim që të kryejnë detyrimet e tyre si dhe në pajtim me rregullat për mbrojte të të dhënave personale.”

Sipas të dhënave të Buxhetit 2015, janë planifikuar 22,7 milion euro para shtetërore për të papunësuarit, për zbatimin e politikave aktive dhe masave për punësim planifikohen 5,2 milion euro ndërsa për sigurim shëndetësor planifikohen mjete prej 382 milion euro. Sipas Ligjit ekzistues për bankat, informatat për llogarinë bankare të individëve, banka mund t’ia zbulojë vetëm: Bankës Popullore, Drejtorisë për të ardhura publike, Drejtorisë për parandalim të larjes së parave dhe financim të terrorizmit, Drejtorisë për polici financiare, Inspektoratit për deviza shtetërore, Fondit për sigurim të depozitave, Regjistrit kreditor të Bankës Popullore si dhe përmbaruesve. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button