fbpx

Franca blindohet për marshimin e së dielës me 5.500 policë e ushtarë

Rreth 500 trupa shtesë janë vendosur në Paris dhe rrethina pas tre ditësh terrori që u morën jetën 17 personave, e teksa kryeqyteti francez bëhet gati për manifestimin e së dielës.

Ministri i Brendshëm, Bernard Cazeneuve deklaroi të shtunën se po merren të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur vendin. Ai paralajmëroi gjithashtu se Franca do të qëndrojë në nivel të lartë alarmi në javët e ardhshme.

Ministri premtoi “masa të jashtëzakonshme” për manifestimin e së dielës në Paris, duke përfshirë mbi 5.500 agjentë policie dhe ushtarë.

Në këtë marshim pritet të marrin pjesë kryeministri britanik David Cameron, kancelarja gjermane Angela Merkel, kryeministri turk Ahmet Davutoglu, ai spanjoll Mariano Rajoy, ai italian Matteo Renzi, si dhe ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov.

“Ditën e diel populli francez do të derdhë dashurinë e tij për lirinë. Franca do të qëndrojë e fortë dhe e papërkulur përballë armiqve të lirisë”, deklaroi ndërkohë kryeministri Manuel Valls, i cili u bëri thirrje francezëve që të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre.

Marshime të shumta paqësore janë mbajtur ndërkohë në qytete të ndryshme të Francës, ku përveç Parisit rezultojnë Orleans, Nisë, Pau, Tuluz dhe Nante, për të kujtuar viktimat e dhunës së kësaj jave.

Disa protestues mbanin parulla ku thuhej “Unë jam kundër racizmit”, “Të jemi të bashkuar”, apo “Unë jam Charlie”, duke iu referuar revistës satirike me të njëjtin emër që u sulmua të mërkurën.

Ndërkohë, familja e Ahmed Merabet, një nga policët e vrarë gjatë sulmit të së mërkurës, mbajti një konferencë emocionale shtypi këtë të shtunë.

“Ahmed ishte mysliman dhe njëkohësisht shumë krenar që ishte polic dhe mbronte vlerat e republikës”, deklaroi vëllai i tij Malek Merabet. Ai shtoi se familja e tij ndihet e shkatërruar nga këto akte barbare dhe se ajo ndan dhimbjen me familjet e të gjitha viktimave.

“Ndërkohë, dua t’u them të gjithë racistëve, islamofobëve dhe anti-semitëve, se njerëzit nuk duhet t’i ngatërrojnë ekstremistët me myslimanët”, shtoi vëllai i policit të vrarë.

Më tej, në emër të familjes ai u shpreh krenar për tubimet dhe manifestimet që janë mbajtur në nder të viktimave, duke i cilësuar ato një provë se Franca mund të jetë e bashkuar. / Top Channel

Tags

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close