Lubonja: Jo luftë me islamin, ne vrasësit i kemi në parlament, ky është rrezik

Analisti nga Shqipëria, Fatos Lubonja e konsideron të rrezikshëm reagimin në panik pas aktit terrorist që ka ndodhur në Paris. Nëse reagohet në këtë mënyrë, thotë ai, rreziku i vërtetë pas këtyre akteve është të ndahen njerëzit në myslimanë të këqij në njërën anë dhe europianë të mirë në anën tjetër. Në një intervistë për kosovaren, Express, ai thotë se fakti se ka ndodhur një ngjarje e tillë nuk duhet të dramatizohet dhe të thuhet se jemi në luftë. Lubonja parashikon forcimin e partive të djathta që janë kundër emigracionit kryesisht mysliman.

Sulmi terrorist që ndodhi në Francë e ka tronditur gjithë botën e qytetëruar. Si është e mundur që në një vend si Parisi të ndodhin sulme terroriste pikërisht nga njerëz që janë rritur e lindur në këtë vend?

Në një vend si Franca ku ka 6 milion myslimanë, shumica e të cilëve jetojnë në paqe dhe harmoni me pjesën tjetër, fakti që kanë dalë disa grupe terroristësh dhe se ka edhe një numër të rinjsh që kanë shkuar të luftojnë në ISIS, më duket se nuk duhet dramatizuar deri në përdorimin e termave të tilla si jemi në luftë, siç po ndodh. Reagimi me panik që mund të krijojë ky dramatizim e që mund të çojë në ndarjen në të mirë e të këqij, midis myslimanëve dhe të tjerëve në Europë e më gjerë, mund të jetë rreziku i vërtetë i këtyre akteve.

Ngjarja pa dyshim duhet parë si tregues i një krize të rëndë nga e cila duhen nxjerrë mësime. E rëndësishme është kriza e Europës që në përgjithësi nuk po krijon të ardhme për të rinjtë, dhe veçanërisht për një pjesë emigrantësh që ndihen të frustruar, për shkak të vështirësive ekonomike, të mosintegrimit në shoqëri, keqshkollimit, përjashtimit, humbjes së shpresës në të ardhmen etj. Është ngjarje që lidhet edhe me vatrat e ndezura të konflikteve në botën myslimane si Afganistani, Iraku, Siria, Libia, konflikti Izrelito-palestinez ku Perëndimi ka luajtur role shpesh problematike e që, në kohën e globalizimit e internetit që po jetojmë, për kategorinë e të rinjve myslimanë, të frustruar në Perëndim, apo edhe që kanë një shpirt aventura e protagonizmi, bëhen tërheqëse.

Sulmet po dyshohet se kanë ardhur nga njerëz që janë pjesë e organizatës terroriste Al – Qaeda ose ISIS. Ka edhe njerëz të Kosovës e Shqipëri që janë pjesë e këtyre organizatave. Duhet të shihet ky sulm edhe si kërcënim për sigurinë dhe për fjalën e lirë edhe në vendet e tjera, përfshirë edhe Kosovën?

Në Shqipëri dhe Kosovë, sipas mendimit tim, siguria dhe fjala e lirë janë edhe sot të kërcënuara jo nga islamikët, por nga dy kasta në pushtet që kanë ndërtuar më shumë atë që mund të quhet shtet i mafies sesa shtet ku ka edhe mafie. Përpara këtij “ujku’ që kemi përpara syve, “gjurmët” se disa myslimanë që kanë shkuar të luftojnë në Siri e që mund të kthehen e të bëhen rrezik për Shqipërinë dhe Kosovën më duket i largët. Madje do të thosha se nëpërmjet përhapjes së kësaj ideje, kjo elitë e korruptuar mund të kërkojë të legjitimojë vetveten duke na thënë: shtrëngoni radhët rreth nesh se përndryshe vijnë “ata”. Në Shqipëri po ndodhin përditë vrasje nga krimi i organizuar dhe shumë kriminelë nuk i prek kush pasi janë të lidhur me polici e politikanë. Vrasësit na kanë hyrë deri në Parlament. Vrasësit me pagesë janë bërë si të ishin punëtorë ndërtimi në të zezë. Ja ky është rreziku i vërtetë për momentin. Në këtë situatë emigracioni i të rinjve të frustruar nga ky realitet në Europë apo edhe vajtja e disave në vende si Siria më së shumti janë valvula shkarkimi. Por mund të vijë një moment që këto valvula të mos mjaftojë. Prandaj ideja që kam shprehur edhe më herët është se një ditë islami mund të kthehet në fenë e të varfërve në Shqipëri e Kosovë dhe të instrumentalizohet e të kthehet në një lëvizje politike kundër kësaj elite të korruptuar properëndimore me fjalë po kriminale me vepra siç ka ndodhur së fundi në disa vende që përjetuan atë që u quajt “pranvera arabe” që fatkeqësisht nuk sollën demokraci, por më së shumti kaos.

Fakti që jemi në Europë nuk mjafton që të mos ndodhë kështu edhe tek ne. Veçanërisht po dështoi projekti europain dhe ne lihemi në dorë të këtyre kastave që më duket se përditë e më tepër thellohen në të keqen. Prandaj mendoj se s’duhet humbur kohë për ta kthyer këtë prirje, për të kthyer energjitë drejt luftës kundër korrupsionit dhe lidhjes së politikës me krimin, shkollimit të njerëzve, drejt zbutjes së pabarazive dhe padrejtësive në mënyrë që edhe po u krijua nesër një parti me afiliacion fetar islamik, të jetë demokratike e tipit të partive demokristiane në Europë që respekton shtetin laik dhe rotacionin e pushteteve.

Sa do të ndikojnë këto sulme në ndryshimin e perceptimit të europianëve dhe partive politike në këtë kontinent, ndaj të tjerëve, ndaj pakicave dhe posaçërisht ndaj emigracionit shqiptar?

Kur flasim për europianët nuk duhet të mendojmë një qëndrim të vetëm ndaj kësaj ngjarjeje, por disa qëndrime dhe qasje. Kjo ngjarje në sy të parë duket se do t’i shtojë votat e partive të ekstremit të djathtë që kanë luajtur gjithnjë me ndjenjat e një pjese të popullsisë që e sheh veten të kërcënuar nga emigrantët – veçanërisht ata që vijnë nga vendet me popullsi kryesisht myslimane. Në përgjithësi këto parti janë edhe antieuropaniste dhe, sipas mendimit tim, janë një kërcënim i madh edhe për ne që ëndërrojmë të bëjmë pjesë në Europën e Bashkuar, si një hapësirë paqeje, mirëqenie dhe demokracie. Por për këtë rrezik është e vetëdijshme edhe ajo pjesë e europianëve, fatmirësisht ende më e madhja, që tek projekti europian, tek multikulturalizmi dhe bashkëjetesa me të tjerët dhe hapja e Europës ndaj tyre shohin një të ardhme më të mirë për të gjithë. Rezultati do të përcaktohet nga dinamika e këtyre dy forcave. Duket se të dytët për momentin kanë marrë një goditje, por mundet që kjo goditje edhe t’i forcojë, veçanërisht nëse ata arrijnë të kenë edhe mbështetjen e komuniteteve myslimane që distancohen dhe dënojnë vendosmërisht akt terroriste të tilla.

Lajme të ngjashme

Back to top button