Komuna Qendër ka harxhuar 1.5 milon euro për udhëtime në Itali!

Kryetari i Komunës Qendër, Andrej Zhernovski, sot në Prokurorinë themelore publike e dorëzoi pjesën e parë të analizës së dokumenteve që kanë të bëjnë me projektin “Shkupi 2014”. Zhernovski tha se revizorët e bënë punën e tyre, ndërsa tani mbetet pjesa më e rëndësishme, e ajo është prokuroria ta bëjë punën e saj.

“Në këtë dokument, siç patët mundësi ta shihni edhe ju, gjegjësisht publiku, ka indikacione serioze për punë të paligjshme, që paraqet bazë për veprim nga ana e prokurorisë”, deklaroi Zhernovski.

Duke u bazuar në raportin e përgatitur nga revizorët, Zhernovski tha se në parregullsitë ligjore, gjegjësisht në punën e paligjshme, është e përfshirë jo vetëm qeverisja lokale, por edhe pushteti qendror, përkatësisht Ministria e Kulturës, si nxitëse kryesore. 

“Akti i sotëm dhe lënda që e dorëzova sot, paraqet një mundësi të shkëlqyer për prokurorinë, të dëshmojë se nuk i trajton lëndët në mënyrë të ndryshme, por se ka qasje të barabartë ndaj të gjitha rasteve. Është një shans të dëshmojmë se gjyqësia në Maqedoni megjithatë funksionon dhe të fillojmë të fshijmë komentet negative që i marrim nga vendi dhe nga Brukseli se kemi gjyqësi partiake në Maqedoni”, theksoi Zhernovski.

Kryetari i Qendrës poashtu tha se janë harxhuar 1,5 milionë euro nga ish-kryetarët e komunës, udhëheqësit e sektorëve dhe skulptorët për udhëtime në Itali. Ai tha se gjithsej 57 persona kanë shkuar në Firencë, Veronë dhe Milano të Italisë, me harxhime të mbuluara nga komuna, për t’u njohur me kushtet e përgatitjes së përmendoreve për projekti “Shkupi 2014“.

Skulptorja Valentina Stefanovska ka qenë në Itali 25 herë, ndërsa ish-kryetari i këshillit komunal, Vlladimir Zdravev, 8 herë.

Është e paqartë tha Zhernovski se pse ka pasur nevojë ai të shkojë në Itali, e aq më pak ish-udhëheqësi i sektorit për urbanizëm, ose ish-udhëheqësja për furnizime publike. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button