Mustafa: Të zbuten fjalët, të ulen gjakrat

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa përmes një postimi në Facebook ka theksuar se nuk është aspak e nevojshme që të zhvillojmë fushatë ndaj tre anëtarëve të komunitetit serb që janë pjesë e qeverisë.

Mustafa më pas ka theksuar se njerëzit e lindur dhe njerëzit që jetojnë në Kosovë kanë të drejtë të marrin përgjegjësi në institucionet e Kosovës.

Lexoni postimi e plotë të Mustafës

Të zbuten fjalët, të ulen gjakrat, sepse kështu nuk ndreqim punë.
Nuk kemi aspak nevojë të zhvillojmë fushatë ndaj tre anëtarëve të qeverisë të komunitetit serb. Njëri prej tyre deri para disa ditësh ka qenë Kryetar i Komunës së Graçanicës, i zgjedhur me votat e qytetarëve dhe në procedura të organizuara dhe të mbikëqyrura nga Komisioni Qendror Zgjedhor. Njerëzit e lindur dhe njerëzit që jetojnë në Kosovë kanë të drejtë të marrin përgjegjësi në institucionet e Kosovës.
Neve vazhdojnë të na ndajnë drejtësi njerëzit nga vendet e tjera; për këto vite shumë nga ata udhëhoqën Kosovën dhe sektorët më të rëndësishëm. Dhe nuk u bë kjo punë aq e madhe, sa tani po bëhet, nga disa, pjesëmarrja në qeveri e serbëve që janë lindur apo atyre që jetojnë në Kosovë.
Si Kryeministër i vendit do të angazhohem maksimalisht për integrimin e të gjitha komuniteteve dhe për respektimin e tyre. Na nevojitet kjo, për ta liruar veten e të merremi me probleme jetësore, me papunësinë, me skamjen, me drejtësinë.
Është mirë të mendojnë se a e meritojnë familjet e të pagjeturve dhe të pagjeturit, që Kryetari i Komunës së Prishtinës apo Kryetarja e Gjakovës t’i shfrytëzojë për agjenda politike apo që avokati i popullit të merret me cilësime të deklaratave politike, ose është më mirë që ata ti kryejnë punët e tyre dhe ti përmbushin premtimet e tyre para qytetarëve dhe para ligjit. Ashtu siç edhe ministrat duhet të mendojnë dhe ti njohin rrethanat, tragjeditë dhe pasojat e luftës para se të japin deklarata të pamatura.
Dhe, së fundi a mendojmë ne, që me shekuj i kemi ruajt objektet fetare, që kemi kultivuar tolerancë e fqinjësi të mirë, se tani kemi të drejtë t’ua ndalojmë njerëzve që të vizitojnë objektet e tyre të kultit, varrezat dhe shtëpitë e tyre. Dhe, kur asnjëri nuk e bën punën e vet, më së lehti i vjen me ia shti fitilin vendit.
Konsideroj se është më e mbarë që të krijojmë ura bashkëpunimi dhe të punojmë për arsyet të cilat na bashkojnë.

Lajme të ngjashme

Back to top button