Ja se si u prit Obama në Gostivar (FOTO)

Në kuadër të vizitës së tij në Maqedoni, presidenti i Fondacionit ndërkombëtar “Barak Husein Obama”, Malik Obama vizitoi Komunën e Gostivarit, me ç’rast realizoi takim me kryetarin e Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta. 

Në ceremoninë e zhvilluar përpara godinës së Komunën së Gostivarit, e cila u ndoq nga shumë qytetarë të Gostivarit, kryetari Bejta dhe Malik Obama përcollën mesazhe për paqe, tolerancë dhe mirëkuptim të ndërsjellë mes etniteteve të ndryshme që jetojnë në Gostivar, Maqedoni, Ballkan dhe në gjithë botën. 

Pasi përshëndeti të pranishmit dhe shprehu mirënjohje për vizitën që Malik Obama ia bëri qytetit të Gostivarit, në fjalimin e tij para të pranishmëve, kryetar Bejta nënvizoi se pikërisht Gostivari është një shembull pozitiv ku pjesëtarë të më tepër etniteteve dhe religjioneve, jetojnë në harmoni dhe tolerancë me dekada të tëra. 

“Me vizitën që ia bëri qytetit të Gostivarit, vëllai i presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Barak Obama, Malik Obama nuk më ka nderuar vetëm mua por gjithë qytetarët e Gostivarit. Vizita e tij në Maqedoni ka për qëllim që të përcjell mesazhin për paqe, tolerancë dhe mirëkuptim mes njerëzve. Qyteti i Gostivarit si një nga qytetet më të mëdha në Maqedoni, dallohet nga qytetet e tjera për tolerancë dhe mirëkuptim mes njerëzve. Në qytetin e Gostivarit jetojnë në harmoni dhe tolerancë mes veti shqiptarë, maqedonas, turq, romë dhe të tjerë. Kjo e bën qytetin e Gostivarit një mozaik të mirë ku jetojnë dhe respektojnë dallimet e njëri tjetrit pjesëtarë të më tepër etniteteve dhe religjioneve. Kjo është një pasuri që duhet ta mbrojmë me shumë kujdes”, theksoi mes tjerash kryetar Bejta. 

Në linjë të njëjtë ishte edhe fjalimi kryetarit të Fondacionit ndërkombëtar “Barak Husein Obama”, Malik Obama. 

“Babai im Barak Husein Obama ndërroi jetë kur unë isha nw moshën 46 vjeçare dhe gjatë gjithë jetës sa jetoi punoi për të sjellë paqe, harmoni dhe tolerancë mes popujve të ndryshëm.

Zoti që na ka krijuar të gjithëve, na bëri të ndryshëm pikërisht nga fakti për të parë se si ne e respektojmë njëri tjetrin. Sot po të kthehej në jetë babai im, do të ishte shumë i lumtur që unë e vazhdova misionin e tij për të sjellë paqe, harmoni dhe tolerancë mes njerëzve në të gjithë Botën. I falënderohem Zotit që ma mundësoi të vizitoj këtë pjesë të Botës. I falënderohem edhe kryetarit të komunës së Gostivarit, z.Nevzat Bejta dhe qytetarëve të Gostivarit për mikpritjen që na bënë. Këtu shoh njerëz të lumtur dhe të gëzuar. Rrugëve të Shkupit pash njerëz të buzëqeshur dhe tepër të lumtur, dhe i thashë vetes mos vallë këtu njerëzit janë në pushim”, tha Obama.

Në ceremoninë e organizuar për nder të presidentit i fondacionit ndërkombëtar “Barak Husein Obama”, Malik Obama, të pranishëm ishin edhe ministri i mbrojtjes Talat Xhaferi, myftiu i Gostivarit, Shaqir ef. Fetahu, kryetari i këshillit komunal Nasir Musliu, si dhe kryetari i “Klubi Ballkanik për paqe”, Osman Vatresh, i cili në fjalimin e tij po ashtu apeloi për paqe dhe mirësjellje mes popujve që jetojnë në Ballkan. 

Pas ceremonisë, delegacioni i shoqëruar nga drejtuesit e komunës së Gostivarit vizituan Xhaminë dhe Kullën e Sahatit si dhe kishën e qytetit. Vizita e presidentit të fondacionit ndërkombëtar “Barak Husein Obama”, Malik Obama në Gostivar, u përmbyll me një koktej rasti në restorantin “Lovec”.

Lajme të ngjashme

Back to top button