Dramë te Klinika e Shkupit: Mbytet një motër medicinale nga i dashuri

Tragjedi e rëndë ka ndodhur mbrëmë në Klinikën e Fëmijëve në Shkup. 22 vjeçari nga Petroveci i Shkupit ka mbytur motrën medicinave 31 vjeçare. Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:30 minuta, në çatinë e Klinikës së Fëmijëve ku edhe ishin takuar dy personat. Incidentit, sipas policisë, i ka paraprirë një zënke verbale mes 22 vjeçarit dhe motrës medicinave. I  dyshuari pasi kishte mbytur bashkëfshataren e tij, kishte tentuar të vetëvritet, por policia kishte arritur që të parandalojë një gjë të tillë.

“Me marrëveshje kishin caktuar takim në çatinë e klinikës. Aktori i vrasjes nga ora 18:00 kishte qenë në vendin e caktuar, ndërsa viktima është paraqitur rreth orës 18.30 mes dyve është zhvilluar përleshje verbale, e cila ka pasuar me sulm fizik dhe ngulfatje. Autoritetet policore kanë arritur që ta marrin trupin e pajetë të 31 vjeçares. Pas disa orëve, policia ka arritur ta arrestojë të dyshuarin dhe e ka dërguar në polici, ku edhe ka pranuar fajin”, deklaroi Maria Jakovleska, Zëdhënëse e MPB-së.

Drejtoresha e Klinikës për fëmijë, Aspasia Sofijanova mohon se në trupin e koleges së saj ka pasur shenja dhune. Sipas saj, vrasësi nuk ishte futur me një qëllim të tillë dhe se nga sigurimi është lëshuar të futet në klinikë pasi siç tha ajo, tashmë 22 vjeçari ishte i njohur për ata.

“Menjëherë filluam rianimimin dhe të gjithë kolegët e kurimit intensiv u angazhuan. Për 45 minuta bëmë çfarë mundëm, por trupi ishte i pajetë dhe u vërtetua vdekja e saj. Personi ishte i njohur edhe për personelin edhe për sigurimin dhe hyrja e tij në klinik nuk ishte për herë të parë. Konsideroj se vrasësi nuk ishte futur me një qëllim të tillë pasi që nuk mbante me vete armë apo ndonjë mjet tjetër”, u shpreh  Aspasia Sofijanova, Drejtoreshë në Klinikën për Fëmijë.

I akuzuari gjatë ditës para prokurorisë publike do të shpjegojë motivet dhe arsyet e vrasjes, të cilat sipas MPB-së ende nuk dihen. Por sipas informacioneve jozyrtare, dyshohet për lidhje jashtëmartesore mes 31 vjeçares dhe 22 vjeçarit, që të dy nga Petroveci i Shkupit.

Lajme të ngjashme

Back to top button