A duhet luftë për hir të paqes?

Nga Dionis Xhafa
 
Parisi u bë zemra e goditjes së rradhës të ekstremistëve, të cilët përgjakën vendin e konsideruar të parimeve të lirisë, vëllazërisë dhe barazisë, Francën. Një ngjarje e tillë u raportua me dhimbje të madhe në mbarë botën. Ajo që më ra në sy këta ditë të ngjarjes së raportuar ishte ndër të tjera edhe ngritja e pyetjes ndër shqiptarë “Kur do të nisë luftë?”
 
Ngjarja në Paris dhe perceptimi ndër ne
Ngjarja në Paris me siguri ka shkaktuar panik dhe ndjenjë frike ndër shumë persona në botë. Një ndjesi e frikës u vu re edhe ndër shqiptarë. Jemi mësuar se kur ka përplasje ne Perëndim diçka po ndodh, ngjarje të bazuara në ideologji po ndodhin dhe se kjo përplasje mund të ‘zbresë’ deri edhe në vendin tonë. Një perceptim i tillë nuk është se nuk ka baza, por se nisur nga të gjitha të dhënat e ngjarjes, mund të konkludohet se përmasat e ndonjë frike të mundshme nuk ekzistojnë. Bëhet fjalë për një ngjarje me dy kriminelë, sulmet e të cilëve nuk i ka marrë përsipër asnjë organizatë. Sa i përket pyetjes së shqiptarëve që ata e ngrenë aq shumë në biseda mes tyre se “kur do të ketë luftë”, jeta e një shqiptari të zakonshëm përjet kësaj ngjarje, në të vërtetë është ‘luftë’ e vazhdueshme për përmirësimin e cilësisë së jetës.
 
ISIS, nazizmi i ri?
Duke qenë se jetojmë në një botë demokratike, edhe idetë që qarkullojnë janë të ndryshme dhe i lihet njeriut të zgjedhë mes ideologjive të cilat ai do ti përqafojë. Siç thotë Eco, ka shumë njerëz në botë që lexojnë pa fund dhe mbushin mendjen me ide, të cilat nguliten thellë, edhe nëse ata janë ide krejt të kundërta me vlerat njerëzore që njeh bota e qytetëruar. Është e thënë dhe e stërthënë se asnjë fe dhe asnjë libër i shenjtë nuk thotë të vrasësh e as të bësh keq e ndërsa ISIS ka kryer krime, ç’ka e bën automatikisht organizatë terroriste. Nëse marrim në konsideratë se bota ndodhet në luftë të ftohtë, ekziston kampi anti-ISIS dhe ai i ISIS, njëlloj në kushtet e Luftës së Dytë Botërore kur bota u kërcënua nga nazizmi.
 
Luftë në hir të paqes?
Pavarësisht se nuk jetojmë në gjendje lufte mbarëbotërore, nëpër shtete të ndryshme të botës shënohen revolucione, ngritje dhe rënie nga pushteti, që shpie në rënie dhe ngritje të idelogjive. Gjendje më e frikshme është sidomos në Lindje të Mesme, ku dhe përplasjet janë më të forta dhe konfliktet fetare, etnike dhe ata për pushtet janë tejet të ashpra. Një organizatë terroriste si ISIS që merr nën kontroll territore të tëra në Siri dhe në Irak, padyshim që është kërcënim për mbarë njerëzimin. Në këto kushte është krijuar koalicioni anti-ISIS drejtuar nga SHBA-ja, por që brenda të cilit është edhe Arabia Saudite, që myslimanë dhe të krishterë të bëhen bashkë kundër terrorizmit si e keqe e përbashkët. Popper thotë se paqja është shumë e vështirë të arrihet dhe që parimet thelbësisht njerëzore të triumfojnë. Duke qenë se ekzistojnë edhe njerëz që përqafojnë ide terroriste, ndërhyrja është e nevojshme. Mjafton që pasojat e ndërhyrjes të jenë sa më minimale. Ajo që kërkon mbarë njerëzimi sot është paqja universale, ndoshta ide utopike dhe ndaj lufta pa kompromis ndaj së keqes është e nevojshme.

Lajme të ngjashme

Back to top button