Ngjarjet e Parisit shtojnë drojën, Maqedonia dhe rajoni nën ethet e ksenofobisë

Sulmi terrorist mbi redaksinë e gazetës satirike “Sharlie Ebdo” në Paris ku mbetën të vrarë 10 gazetarë dhe dy polic, i jep një dimension të ri trajtimit të akteve terroriste, duke shtuar paragjykimet dhe frikën, por edhe drojën e përmbajtur në shumë shoqëri evropiane.

Njohësit e këtyre rrethanave thonë se tendencat konfliktuoze në Evropë si pasojë e kërcënimeve terroriste, nuk pritet të kenë pasoja të mëdha në vendet e Ballkanit dhe në veçanti në shoqëri multietnike si Maqedonia, sepse kontesti ndëretnik ka lënë nën hije gjithmonë kontestet tjera. Megjithatë teologë, sociologë, konsiderojnë se ksenofobitë me ngjyrime fetare këtu i kemi të gatshme në segmentin kombëtar, dhe kur këto bashkohen me elementin fetar bëhen edhe më të rrezikshme.

Ngjarejt e Parisit mund të shtojnë dhe forcoje paragjykimet e shumta në Ballkan

Ramadan Ramadani, thotë për Portalb se pas ngjarjeve në Paris nuk duket se do ketë pasoja në Ballkan dhe në Maqedoni nga rritja e tendencave konfliktuoze në Evropë, para së gjithash shkaku se kontesti ndëretnik këtu i mbulon, i lë në hije, gjithë kontestet tjera.

“Por, mund të shtoje dhe forcoje paragjykimet e shumta që në Ballkan njerëzit edhe ashtu i kanë ndaj njëri tjetrit. Mund të ketë pasoja për kuptimin e rëndësisë së lirisë së shtypit një gjë që është anashkaluar në Maqedoni e që nuk është kuptuar si duhet nga disa qarqe qeveritare të cilat me ngulm tentojnë ta ngulfatin këtë liri dhe tani kanë rastin të kuptojnë seriozitetin e kësaj”, thotë Ramadan Ramadani.

Duhet të jemi të kujdesshëm në kultivimin e raporteve ndëretnike dhe fetare

Profesori i sociologjisë, Ali Pajazaiti thotë për Portalb se për fat të keq jetojmë në një botë kur terrorizmi, herë individual e herë institucional (shtetëror) po marrin përmasa trishtuese.

“Tanimë njeriu askund nuk është i sigurt. Edhe si udhëtar civil trajtoheni si fajtor (nxirr këpucët, rripin, monedhat, laptopin), survejoheni nga çdo cep. Shoqëria e shekullit 21 është e tendosur tej mase, andaj edhe e ardhmja e shoqërive ballkanike në drejtim të sulmeve të mundshme është një e panjohur. Ksenofobit me ngjyrime fetare, këtu i kemi të gatshme në segmentin kombëtar, dhe kur këto bashkohen me elementin fetar bëhen edhe më të rrezikshme. Rrjetet sociale kanë bërë që njeriu dhe tavolina e vet të ketë akces në pamje të ndryshme rrëqethëse dhe të rekrutohet virtualisht për akte më makabre”, thotë Pajaziti.

Sipas tij, duhet të jemi jashtëzakonisht të kujdesshëm në kultivimin e raporteve mes komuniteteve si etnike ashtu edhe fetare sepse jetojmë në kohën e ekstremizmave, në kohën kur dizgjinët na kanë dalë duarsh, kur rreziku konvencional, i ushtrive, ia lëshon vendin militantizmit të celulave dhe individëve që vetë interpretojnë të vërtetën.

“Fobitë janë bërë tetivë akiliane e shoqërisë moderne, në veçanti në këtë shekull kur ndodhi 11 Shtatori që përbën një pikë kulmore të ndarjes së botës në tabore aksi i të mirës dhe aksi i sherrit, kur në shënjestër në veçanti janë pjesëtarët e proveniencës fetare islame, të cilët njëherë sulmoheshin si fundamentalistë, si talebanë dhe sot si terroristë. Islamofobia është sëmundja e kohës sonë, që ditëve të fundit u aktualizua sërish me PEGIDA-n në Gjermani dhe probabilitetin për të treguar rritje pas rastit Charlie Hebdo, Paris. Le Pen, Lega Norde, Ëilders, Pipes, Jevtiq janë figura të forta islamofobe”, thotë Ali Pajaziti.

Shqiptarët kanë dëshmuar se janë kundër çdo lloj terrorizmi

Frika nga ndikimet asimetrike të sulmeve terroriste apo rritjes së paragjykimeve nuk mund të konsiderohet si barë e marrëdhënieve shpesh të brishta mes popujve në Ballkan dhe as të shqiptarëve në Maqedoni.

Teologu dhe profesori universitar Qani Nesimi thotë për Portalb se ne si shqiptarë dhe si mysliman të Maqedonisë jemi kundër çdo lloj terrorizmi dhe këtë e kemi dëshmuar.

“Islami është kundër çdo lloji terrorizmi, i cili nuk ka as fe, as komb, as racë e as gjuhë të caktuar. Njeriun terrorist e bën shpirti i tij. Kurse shpirti flet vetëm se me gjuhën e shpirtit. Në Islam veprat terroriste janë rreptësishtë të ndaluara. Njeriu ose është me Allahun ose është terrorist. Këto nuk shkojnë bashkë. Ndërkaq edhe praktika pejgamberiane na paraqet një personalitet jo vetëm që nuk është terrorist, por as qe ka ndonjë pike te përafërt me të. Muslimani as edhe ne betejë nuk guxon me qenë i tille e jo më në paqe”, thotë Qani Nesimi./ Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button