Dymbëdhjetë të vrarë në Paris, për Krishtlindje…

Në një status të shkurtër, të hedhur dje, në Facebook, si një nga rrjetet sociale më të përdorura, ishte enkas nxitja apo ndikimi nga ngjarjet e fundit në Paris. Ishte i  formësuar kësisoj, vetëm sa për të shprehur një ndjenë dhimbjeje e mllefi…

Evropë! E dashur Evropë…, të dua natyrisht!

E di që je Djep i qytetërimit…, e në rrudhat tua të shumta ka shumë dhimbje, histori të tmerrshme, por dhe shumë krenari për qytetërimin tënd të lashtë!

Si një “copë” poeteje që jam, ndaj dhimbjen me dhimbjet tua, ndiej therjet e plagëve tua… Mirëpo, sikur të keqes së ekstremizmit islamik t’ia kishe prerë rrënjët që atëherë, kur Shqipërinë time të dashur, e le mish për korba, shqiptarët i degdise në pesë a gjashtë copëza të kafshuara…, nuk e di nëse do të ndodhte kjo që po ndodh në zemrën tënde të qytetëruar?!

Me ndjesë Paris…, kam arsye më shumë se kushdo tjetër të të ndiej dhimbjen nga afër, sepse je pjesë e ëndrrave të mia të fëmijërisë… Lëre, histori tjetër kjo…, do të flasim një rast tjetër mbase, sy më sy, për plagët tua dhe të miat!

Megjithatë, je tempulli i LIRISË.

Të dua, Paris…!!!

Sigurisht, çdo njeri i ndërgjegjshëm, madje edhe pa e ditur as më të voglën arsye, fillimisht e merr anën e viktimës (-ave) megjithëse, më vonë ndodh shpesh që të bjerë pre e lajmeve kontraverse e disadimensionale. Prandaj, pse duhet gjykuar apriori, kur dihet që tymi do i del më vonë ndoshta, kësaj tragjedie?! Dihet vetëm se në Paris mbetën dymbëdhjetë të vrarë, për Krishtlindje. Në një çast ironi do thosha, ku fshihet i trembëdhjeti? I trembëdhjeti mund të ishte një Juda. Të presim që të deshifrohet skenari i vërtetë i Judës.

Me këtë rast, më duket sikur gjykojmë si nga skenari i filmit “Dy krisma në Paris”.

  • A thua gjithmonë drejt dhe në kohën e duhur gjykohet vrasësi?
  • A thua aq e drejtë dhe efikase është bota e kundërkrimit apo prapaskenat janë aq të errëta,

sa gjasat për të zbuluar të vërtetën, në vëzhdimësi na lënë në verbërinë e së drejtës sonë prej njeriu të ndërgjegjshëm. Edhe Albert Einstein, në të tilla raste, do të pohonte: “Dy gjëra janë të pafundme: universi dhe marrëzia e njeriut. Për këtë të parën nuk jam fort i sigurtë”.

Dy fjalë për popullin tim

Populli im i dashur, përse gjithmonë duhet të sillemi si delet më të urta që ka falur Perëndia? Përse gjithmonë duhet të përbëjmë gjysmën e së tërës…, përse, përse  kjo përçarje edhe në debate e gjykime? E kuptoj, ne kemi shpirt human, kemi vuajtur mjaft, andaj e ndiejmë dhimbjen e popujve tjerë, por nuk e kuptoj, pse gjithmonë të dyzuar në mendime e qëndrime?!

Një herë të vetme do të duhej që ne shqiptarët t’i drejtohemi një “stacioni” informativ (nënkupto: kaste intelektuale), për të mos shkarrë në humnera nga ku nuk mund të dalim lehtë. Nuk e kuptoj, si është e mundur të jesh edhe me pafajësinë, edhe me krimin! Patjetër që duhet vënë më shumë në lëvizje logjikën e shëndoshë, sepse vetëm urtia është zgjidhje afatgjate. Elita intelektuale shqiptare duhet të jetë më unike dhe më orientuese…, të mos lodhemi kot nga debate “shurdhuese”, pa konkluza bisedash, ndonëse të lodhshme e maratonike me tërë ato legjione fjalë-fyerjesh ndaj njëri-tjetrit që mendon ndryshe nga ne! Gati të gjitha debatet na përfundojnë si klishe të mërzitshme.

Pse bëhemi pre e çdo plasimi ideologjik e teologjik, kur ne jemi këta që jemi vetëm si rezultat i paanshmërisë ndër shekuj, në të kundërtën jemi kafshur nga mijëra gjarpërinj helmues, duke u lënë në dhimbjen e plagëve tona, pa kurrfarë aleancash ngushëllimi. Është mirë që sot, vëmendja evropiane dhe botërore është kthyer kah ne shqiptarët, pavarësisht arsyeve pse bëhet kjo, duhet shfrytëzuar me maturi, të paktën…! Për ne akoma duhet të jetë prioritet kulti i Atdheut të përbashkët dhe pse jo, humaniteti ndërnjerëzor dhe toleranca fetare.

E sotmja dhe e nesërmja jonë mund të jetë në shënjestër…, por pse habitemi kaq shumë për disa që nuk i vret ndërgjegja, kur ata e kanë vrarë me kohë ndërgjegjen e tyre. Çmenduria e tyre, e cilës do palë qoftë, përbën rrezik për këdo që don të jetojë në paqe.

Si gjykojmë dhe pse?

Ngarja në Paris, padyshim që e tronditi botën e civilizuar, ndërsa e kënaqi pafundësisht atë të egrën, shtazaraken, që ushqehet me logjikën e dhunës dhe hakmarrjes për të sjellë në vend egon e lënduar, për X arsye.

Pavarësisht detajeve të historisë, asgjë nuk duhet mbetur vetëm një mit, kur realisht mbeten të vrarë, kryeredaktori i revistës satirike “Hebdo”, Charlie Hebdo, disa gazetarë dhe policë. Thuhet se, arsyeja për këtë vrasje të shumëfishtë: “nuk ishte kundërpërgjigje në ndonjë sulm ushtarak, nuk ishte reagimi ndaj ndonjë diskriminimi të popullsisë myslimane në qytetin e Parisit apo ndonjë zone të Francës, nuk ishte shprehja e racizmit kundrejt ndonjë xhamie apo vendi të shenjtë për myslimanët nga kjo gazetë…, por ishin karikaturat. Vizatime të publikuara nga gazeta, të cilat ironizonin islamizmin gjatë kohës së profetit Muhamed”.

Tërë kjo, më duket paksa absurde. Pse të lejohet një gjë e tillë, ndaj një religjioni që përbën gjysmën e botës, kur dihet se bota demokratike, vërtet e lejon lirinë dhe të drejtën e fjalës, por njëkohësisht ka ligj edhe për mbrojtjen nga fyerjet e mundshme ndaj dinjitetit njerëzor, e lëre më nga dhuna fizike! Përse këto ligje, dikur, para ca vitesh e zgjodhën memecërinë kundrejt kësaj gazete të “guximshme, në fyerjet e saj ndaj një religjioni. Sikur të paralajmëroheshin a të ndëshkoheshin për guximin “e tepruar”, a thua do të ndodhte tragjedia e para ca ditëve?! E njëjta gjë vlen edhe për palën tjetër. Individët që bëjnë krim në emër të religjionit (me këtë rast – islamist). Kjo dilemë, më jep të drejtë për analogjinë që e ngrita në fillim të shkrimit: sikur Parisi, ky tempull i lirisë, të reagonte që herët ndaj çmendurive të tilla, çka do të ndodhte, në fakt? A do të urrehej kaq marrëzisht bota njerëzore?

Pse kryeredaktori, Charlie Hebdo, ka thënë: “E di fort mirë që mund të na vrasin. Më mirë dua të vdes në këmbë, se të rroj në gjunjë”. Mos ishin këto paralajmërime, gjë që do t’i hapnin shteg teorisë së konspiracionit, apo vetëm e kishte atë paranojën prej vdektari, që vështirë se sfidohet që nga lashtësia, me Epin e Gilgameshit”? Në këtë, natyrisht dyshoj!

E kuptoj, është krejt e pamundur të mbash dyanësinë, mirëpo a thua pa shkas, të ketë pasojë?!

Është tejet e vështirë që të demistifikohen ngjarjet që vijnë gjithmonë si nga thellësitë e kutisë së Pandorës. Sidoqoftë, me vrasjen e Ch. Hebdo, nuk u vra një individ i zakonshëm dhe ca miq të tij, në të vërtetë u godit gazetari – liria e shprehjes dhe polici – siguria njerëzore, edhe atë në zemër të demokracisë – Paris. Atëherë, a i mbetet qytetarit të zakonshëm ndonjë grimcë guximi për ta identifikuar të keqen…,! A thua kush do ta mbrojë atë, në guximin e tij?! Kjo stuhi historike na ndjek si murtajë në pasigurinë tonë të përditshme. Megjithatë, respektimi i vlerave universale fetare e shoqërore është domosdoshmëri mbijetese për botën e qytetëruar.

Lajme të ngjashme

Back to top button